Djali i madh i konsulles të përgjithshme të Kanadasë në Majemi u vra si pasojë e një debati me trafikantë droge, bëri të ditur sot policia e Floridas.

"Djaloshi 17-vjeçar vdiq në një shkëmbim të shtënash me armë zjarri, ndërsa vëllai i tij, 15 vjeç, u arrestua nga policia për përfshirjen në këtë incident", shpjegoi zëdhënësi i policisë të Majemit.

Një nga trafikantët e drogës vdiq gjithashtu në këtë shkëmbim të shtënash.

Djali i vogël i konsulles së përgjithshme, Roxanne Dube mund të fajësohet për vrasje.

Sipas policisë, djemtë e konsulles ishin të dy të armatosur pasi u futën në shtëpinë ku ndodheshin trafikantët e kanabisit ku dhe shpërtheu lufta me armë.

"Mendojmë se bëhet fjalë për një debat mbi shitjen e drogës", deklaroi shefi i policisë së Majemit, Rodolfo Llanes për gazetën "Miami Herald".

"Autoritetet kanadeze dhe amerikane po bashkëpunojnë për hetimin", saktësoi zëdhënësi i policisë./ATSH/

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)