Taulant Balla tha sot se mund të mbledhë grupin parlamentar të Partisë Socialiste për të marrë një vendim lidhur me mungesën e Elisa Spiropalit në seancën plenare të 12 marsit, ku me 79 vota të PS-së dhe 3 vota të PSD-së, u rrëzua kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

Përmes rrjeteve sociale, Spiropali ka reaguar ndaj deklaratës së Ballës duke thënë se është "plotësisht dakord. Nëse çështja kërkon konsultim me grupin parlamentar, atëherë është pikërisht ajo që duhet bërë pa vonesë".

Nëse një mbledhje e tillë ndodh, Spiropali paralajmëron se diskutimi do të jetë "i hapur, i troçtë dhe i ndërgjegjshëm".

"Taulant, e lexova me vonesë një deklaratë tënden publike.

Jam plotësisht dakord. Nëse çështja kërkon konsultim me grupin parlamentar, atëherë është pikërisht ajo që duhet bërë pa vonesë.

Thirre grupin dhe zhvillojmë një diskutim të plotë.

Vendimmarrja kolektive është forca e grupit të PS dhe garancia e legjitimitetit politik. Çdo qëndrim që del nga një diskutim i hapur, i troçtë dhe i ndërgjegjshëm, meriton respekt, pavarësisht drejtimit që merr.

Rëndësi ka që vendimi të jetë i menduar, i argumentuar dhe në përputhje me përgjegjësinë që kemi përballë publikut",- shkruan Spiropali në rrjtete sociale.

Elisa Spiropali nuk ishte e pranishme në Kuvend më 12 mars të këtij viti, ku mazhoranca rrëzoi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit parlamentar të Belinda Ballukut, e cila akuzohet për veprën penale të shkeljes së barazisë në tenderë, në procedurat për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, gjatë kohës kur ishte zëvendëskryeministre dhe ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës.

Punimeve të Kuvendit iu bashkua edhe vetë kryeministri Edi Rama, por përveç Spiropalit, nga socialistët munguan edhe Fatmir Xhafaj dhe Blendi Gonxhja. 

lajm në përditësim...