Lumi Seman ka çarë mesditën e sotme argjinaturën në disa segmente në afërsi të fshatit Ndërnënas dhe Hasturkas në Libofshë, si pasojë e prurjeve të shumta. Uji ka vërshuar përtej argjinaturës drejt tokave bujqësore duke alarmuar banorët e zonës. Ata pohojnë se një prurje të tillë nuk e kanë parë kurrë në zonën e tyre, ndërsa i frikësohen tendencës në rritje të ujërave të cilat po i afrohen zonave të banuara.
"Nga hidrovori i Karavastasë atje lart nuk ka mundësi të tërheqë gjithë ujin e lumit Seman për arsye se ai është çarë atje dhe nuk e thith më lumi andej. Ne duam një ekskavator urgjentisht të zëmë kanalizimet që uji mos të shkojë në fshat se do të përmbytet. Argjinatura, kam dëgjuar është çarë në 2-3 vende dhe këtu po çahet. Ky është viti i çudirave. Hera e parë e jetës sime kam parë që të përmbytet fshati ynë kaq keq", thotë një banor.
"Uji duhet të shkonte në krah të kundërt dhe do të hyjë në fshat. Janë shumë hektarë, 2 mijë hektarë po njëherë se fillon që andej lart. Tani kemi fshatin larg, gati 2 parcela, 500 metra. Ky kanal këtu, po të vazhdojë, direkt e merr përpara fshatin. Kërkojmë ndihmë nga shteti, gjithë ato toka janë përmbytur", vijon një tjetër duke shtuar se problemit duhet t'i ishte paraprirë.
Përballë kësaj situate alarmante , Forcat e Bordit të Kullimit ndodhen në terren dhe po punojnë me mjete të rënda për disiplinimin e ujërave që derdhen në kolektorin që mbledh hidrovori i Karavastasë me qëllim shmangien e përmbytjes së banesave dhe paneleve fotovoltaike.
"Një pjesë e mirë e këtyre ujërave kullojnë nëpërmjet sistemit me ngritje mekanike të hidrovorit në Karavasta. Hidrovori është në gatishmëri maksimale të punës. Aktualisht, niveli në hyrje të hidrovorit është -1.5, çka na lejon njëfarë avantazhi që t'i presë e përthithë këto sasi uji që kanë dalë në sipërfaqe të këtyre zonave", thotë për Report TV inxhinieri i Bordit të Kullimit, Evarist Koliçi.
Ai shton se me marrjen e njoftimit nga njësia administrative Libofshë, është ndërhyrë me ekskavator dhe puna do të vijojë.
"Aktualisht është duke ardhur ekskavatori tjetër për të bërë aq sa na lejojnë kushtet dhe terreni, për të mbrojtur tokën bujqësore të fshatit dhe panelet fotovoltaike. Prurjet vazhdojnë të vijnë. Niveli i Semanit qëndron në nivele të larta", tha Koliçi.
Situata mbetet nën monitorim ndërsa autoritetet u bëjnë apel banorëve të tregojnë kujdes . Ndërkohë qindra hektarë tokë bujqësore janë nën pushtetin e ujit.
Lajmi kryesor:
Përmbytjet/ Uji tërhiqet nga tokat, fermerët: Iku mundi i jetës! Në Durrës 543 të evakuuar! Protestë në Dimal e Maliq











