Doktoratura e Taulant Mukës dhe fenomeni delikat i plagjiaturës

Doktoratura e Taulant Mukës dhe fenomeni delikat i plagjiaturës

Taulant Muka

Tashmë prej disa muajsh Taulant Muka është bërë i njohur në rrjetet sociale për investigimet e tij mbi plagjiaturat në doktoratura. Ky “specializim” i tij, natyrisht, ka ngjallur kuriozitet mbi doktoraturën e tij (që e ka marrë në Roterdam) dhe mbi publikimet e tij të shumta shkencore, për të cilat shumë njerëz mendojnë se janë në një numër tepër të lartë për një të ri të sapodiplomuar në mjekësi.

Për të kontrolluar plagjiaturat ekzistojnë shumë software online, të cilat krahasojnë të dhënat e një materiali të shkruar, që duhet kontrolluar, me miliona dokumenta të tjerë shkencorë të publikuar në internet. E papritura është se, duke kaluar në skaner doktoraturën e Taulant Mukës me dy software të ndryshme, edhe punimi i tij rezulton fryt i plagjiaturës.

Ndryshe nga ajo çka ka bërë Muka me shumë nga viktimat e tij, për të cilët nuk ka verifikuar në mënyrë të saktë referencat, duke i akuzuar për kopje edhe të frazave të veçuara, "Shqiptarja.com" ka shkuar përtej aparencave dhe ka verifikuar me kampione pjesët e doktoraturës së Taulant Mukës, të cilat, sipas softwareve, rezultonin të kopjuara. Dhe kështu zbuluam se shumë nga pjesët ishin kopjuar nga publikime të tjera shkencore, në të cilat Taulant Muka ishte bashkautor.

Në foto rezultati i analizës së doktoraturës së Taulant Mukës

Sistemi zbuloi 56.920 fjalë të kopjuara, me një përqindje “plagjiature” afro 50%. Mukës do t’i kishte mjaftuar kjo për të akuzuar për plagjiaturë dikë tjetër. Kur psh Muka ka akuzuar për plagjiaturë duke publikuar disa fraza, të cilat në realitet kishin një referencë në fund, por të cilën Muka nuk e ka përmendur. Në raste të tjera, “plagjiaturat” ishin fraza të përgjithshme me koncept të mirënjohur, që mund të gjenden njësoj në mijëra publikime të tjera.

Në fakt, plagjiatura e vërtetë duhet të ketë të bëjë me zbulimet, me intuitat, me analizat që përmban një doktoraturë dhe që nuk janë prodhim i autorit të saj. Mbi të gjitha, duhet të kenë të bëjnë me pjesë thelbësore të doktoraturave, jo fraza të shkurtëra, të shkëputura ndërmjet mijëra të tjerave. Në këtë kuptim, akuzat në disa rastet të denoncuara nga Muka, nuk janë të bazuara mbi fakte konkrete dhe duken si të bazuara më shumë mbi inate politike, se sa mbi korrektesën shkencore.

Por është pikërisht mbi sasinë e materialit “të kopjuar” që rrezikon të rrëshqasë Taulant Muka. Doktoratura është një punim individual dhe duhet të jetë krijim i një studenti të vetëm, që i mbështet intuitat apo zbulimet e tij edhe mbi punën e të tjerëve, që më pas citohet si referencë. Por Taulant Muka e ka bazuar 50% të doktoraturës së tij mbi publikime të mëparshme, në të cilat ai është vetëm një nga autorët. Si të thuash se 50% e doktoraturës së Taulant Mukës nuk është bërë nga Taulant Muka, ose të paktën është bërë nga ai dhe nga dhjetëra autorë të tjerë.

Kemi shfletuar listën e gjatë të publikimeve të Mukës, disa prej të cilave të përdorura si bazë për doktoraturën: Muka ka hedhur firmën, mbi jo pak, por mbi 66 prej tyre në vetëm 4 vjet. Një prodhim rekord për këdo kërkues universitar. Por problemi është se, tek këto 66 publikime, vetëm në 15 raste Taulant Muka rezulton të jetë autori i parë. Autori i parë, në fakt, është ai që ka kryer punën kryesore të kërkimit, është autori i vërtetë shkencor, me të cilin të tjerët, që kanë vënë emrin tek publikimi, kanë bashkëpunuar me kontribute të vogla. Ndërkohë, në disa prej 66 studimeve, Taulant Muka është “autori i fundit”, një figurë e njohur si  “corresponding author”, që shpesh interpretohet më shumë si një rol administrativ, se sa si një rol shkencor. Në shumicën e publikimeve, më së fundi, Taulanti nuk është as i pari, as i fundit autor: është thjesht një nga të shumtët. 

Kjo bën të shihet me një sy tjetër rolin e tij si “shkencëtar”, të cilin ai synon t’ia veshë vetes dhe që sigurisht nuk e bën të duket me nuanca pozitive. Por sidomos tregon se si historia e “plagjiaturave”, që Muka e ka kthyer në kalin e tij të betejës, është një thikë me dy presa, një temë delikate që kërkon një analizë shkencore, më shumë se sa një lojë me software që mund të gjenden online.

Kopjimi është një krim dhe, para se të akuzosh dikë, duhet të kesh prova dhe fakte konkrete: në rastin e doktoraturave, kërkohen prova shkencore. Për të kuptuar se si funksionon kjo jashtë vendit, pyetëm një profesor universitar francez se si do të vepronte në rast se do t’i jepej një doktoraturë si ajo e Taulant Mukës, e bazuar në një masë të madhe mbi punë të bëra nga të tjerët.

Përgjigja ishte e qartë: “Në fakultetet e Mjekësisë autorësia e shumëfishtë në kërkimet, për fat të keq, është një praktikë e përhapur, me të cilën bëhen shumë abuzime. Por vlera e një doktorature qendron pikërisht tek vlera e saj studimore, e pabotuar dhe personale, e autorit të saj të vetëm. Një doktoraturë të atillë unë personalisht nuk do ta kisha pranuar”. Pra, në Francë Taulant Muka do të kishte rrezikuar të akuzohej për plagjiaturë.  

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren

Fushë Arrëz/ Reshjet e dëborës vështirësojnë qarkullimin në Iballë, borëpastrueset në terren