Pas denoncimit publik që bënë artistët, duke e cilësuar logon e re të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit plagjiaturë, ka reaguar dhe kompania “Pika pro”.

Në këtë prononcim, theksohet se pagesa për logon është shuma prej 1 845 000 përfshirë tvsh-n. Ndërsa, sipas tyre duke hequr tvsh-n që është 20 për qind, Pika pro ka marrë shifrën 1 537 500 lekë. Kjo pagesë nuk është  vetëm për logon, por edhe për një numër të madh materialesh krijimtarie dizajni dhe video, shkruan Pika Pro, si koncepti i logos, realizimi i librit të imazhit, video konceptuale, sigla dhe tranzicione, shembuj të materialeve promocionale etj.

Për opinionin që ngulmon në kopjen ekzakte të logos së re, kompania rendit disa nga pikat që kanë sjellë produktin final, që janë: Elementi kryesor rrethi solid i O-së, që ka formën e gojës dhe fjalës opera; fronti i shkrimit, kompozimi grafik i shkrimit të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, ngjyra gold e logos, ngjyra e sfondit dhe pozicionimi në raport me hapësirën dhe vlera e saj estetike.

Përpos këtyre pikave shfajësuese , në këtë prononcim evidentohen edhe përngjasjet artistike që ekzistojnë mes logove të kompanive të mëdha, ku sipas kompanisë që është denoncuar për plagjiaturë, është e vështirë të gjendet se kush e ka kopjuar tjetrin?

Prandaj, kompania i sugjeron opinionit publik që të priten me profesionalizëm dhe respekt reciprok ndaj njëri-tjetrit zhvillimet dhe ecuria e mëtejshme. Pasi, sipas autorëve, pagesa e bërë për “Pika pro” është një pagesë e merituar ndaj një punë shumë voluminoze, profesionale dhe të ndershme të të gjithë stafit të saj.