Dokumenti, ja dosja sekrete
 e prokurorisë për Shullazin

Dokumenti, ja dosja sekrete<br /> e prokurorisë për Shullazin
Një seri gjobash të vendosura ndaj biznesmenëve të ndryshëm në Durrës dhe Tiranë, ka renditur në kërkesën e saj për caktimin e masës së sigurisë ndaj Emiljano Shullazit, shokut të tij Gilmando Dani dhe djalit të xhaxhait të Shullazit, Blerim Shullazi. Gazeta “Shqiptarja.com” zbardh të plotë dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ku prokurorët Elisabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi, kanë renditur të paktën 7 raste të dyshuara gjobëvënie nga anëtarët e grupit të Shullazit.

Në kërkesën e prokurorisë thuhet se grupi i Shullazit përbëhet nga kontigjentë kriminale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, disa prej tyre të dënuar dhe më konkretisht shtetasit Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Blerim Shullazi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë shtrënguar nëpërmjet kanosjes për dhënien e pasurisë, personat të cilët njihen si biznesmenë të njohur të vendit dhe më konkretisht një shtetas që zotëron një kompani të njohur në Durrës për tregtimin e materialeve ndërtimore dhe hidrosanitareve, shtetasin A. B, pronar i disa lokaleve në qytetin e Durrësit si dhe përfaqësues i një kompanije kafeje në Durrës dhe një biznesmeni të njohur që zotëron një kompani nafte në Shqipëri.

Prokuroria nuk jep detaje të sakta lidhur me shumat financiare që Shullazi ka përfituar nga këto gjobëvënie, por burimet thonë se bëhet fjalë për mijëra euro. Më tej prokuroria shton se këta persona, Emiljano Shullazi, Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi, në bashkëpunim edhe me persona të tjerë të grupit, kanë kryer veprime aktive kriminale në formën e grupit të struklturuar kriminal.

“Parkun sportiv” në Durrës
Po ashtu, këta persona me cilësinë e krerëve të grupit kriminal dhe persona të tjerë, grup i cili për nga organizimi dhe veprat që kryen ka formën e një grupi të strukturuar kriminal, në mënyrë të kundërligjshme po bëjnë përpjekje për të privatizuar objektin e quajtur “Parku Sportiv” që ndodhet në lagjen nr.05 në qytetin Durrës. Kjo pronë momentalisht është në pronësi të bashkisë së Durrësit dhe se menaxhohet prej saj, ku bëjnë stërvitje lojtarët e ekipit të “Teutës”.

Ky grup kriminal, nëpërmjet kanosjes dhe dhunës fizike dhe psikologjike, ka bërë të mundur regjistrimin e pronës “ish-Hotel Vollga”, që ndodhet në lagjen me nr.01 të qytetit Durrës. Për hedhjen në dorë të kësaj pasurie, shtetasi Emiljano Shullazi ka ushtruar dhunë ndaj personave që e kanë përfituar këtë pronë në mënyrë të ligjshme dhe duke qenë se prona kishte probleme me dokumentacionin për regjistrimin e saj, ka ushtruar presion dhe dhunë ndaj drejtuesit të ZRRPP Durrës, duke detyruar punonjës të ZVRPP dhe ZPRPP Tiranë, për regjistrimin e kësaj prone në kundërshtim me ligjin dhe procedurat e regjistrimit. Në të njëjtën kohë ka të dhëna se ky grup personash në bashkëpunim dhe me persona të tjerë, shtetas shqiptar dhe të huaj, janë të organizuar dhe kanë për qëllim trafikimin e lëndëve narkotike, në vendet fqinj të Bashkimit Evropian.

Garazhi i pronarit të basteve
Po ashtu rezulton se shtetasit Emiljano Shullazi, Gilmando Danim, Blerim Shullazi dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar, në muajin Janar-Shkurt e në vijim, kanë kanosur dhe ushtruar dhunë psikologjike ndaj shtetasit Jani Zaka dhe Mitri Prifti, me qëllim marrjen dhe përfitimin në mënyrë të padrejtë të pronës së fituar prej tij nga blerja dhe më konkretisht të një sipërfaqe nëntokësore prej 1200 m2 të shfrytëzuar përparking automjetesh, në pallatin e ndodhur në vendin e quajtur Rruga “Sali Bukta” ish Nesheraku.

Autorët e veprave penale, duke vepruar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, i kanë thirru në takime shtetasit Jani dhe Mitri dhe kanë ushtruar dhunë psiqike ndaj tyre për dorëzimin e pronës së mësipërme, kundrejt kanosjes për jetën e tyre dhe të familjarëve të tyre, ku për këtë arsye pas disa ditëve shtetasi Jani, nga kanosja e ushtruar është larguar jashtë vendit dhe nuk dihet vendndodhja e tij.

Në lidhje me këtë fakt rezulton se me datë 13.03.2016, rreth orës 00.05, në vendin e quajtur rruga “Sali Butka” në zoën e ish-parkut të autobusave (Nesheraku) është vendosur dhe ka shpërthyer lënë plasëse me eksploziv, në portën e qepenit të parkingut nëntokësor në pallatin 12 katësh, njohur me emrin Pallati i Sinanajve, parking i cili është në posedim të shtetasit Arjan Zaka, si formë kanosje dhe kërcënimi për marrjen e pasurisë. Nga veprimet e para hetimore ka të dhëna dhe dyshime se  ngjarja e ndodhur është kryer nga i njëjti grupim personash, pasi në mënyrë të vazhdueshme shtetasit Emiljano Sullazi, Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi dhe persona të tjerë, kanë kërkuar takime me të dëmtuarit, me qëllim plotësimin e dokumentacionit për kalimin e pasurisë në emër tyre.

Kanosja e dekanit Koni
Më datë 14 dhe 15.04.2016 një grup personash, ndër të cilët dyshohet se janë shtetasit Emiljano Shullazi, Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi, kanë kanosur me jetën e tyre dhe të familjarëve të tyre shtetasit Mynyr Koni, përkatësisht Dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe njëkohësisht kandidat për Rektor i Universitetit të Tiranës si dhe Dhori Kule, aktualisht Rektor i Universitetit të Tiranës, duke i urdhëruar tërheqjen nga kandidimi për Rektor i Universitetit të Tiranës, të shtetasit Mynyr Koni.

Nga aktet e procedimeve penale të mësipërme ka dyshime se shtatesit Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Blerim Shullazi në bashkëpunim dhe me persona të tjerë, janë autorë të veprave penale për të cilat janë regjistruar procedimet penale me nr. 26, 27, 50 dhe 76 të vitit 2016. Ky grup personash vijojnë aktivitetin kriminal, për të realizuar ardhjen e pasojave, marrjen e përfitimeve të padrejta, nëpëmjtet kanosjes si dhe trafikimin e lëndëve narkotike dhe kryerjen e veprave të tjera penale në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Urdhëri i ndalimit
Më datën 16 prill 2016 me urdhër të prokurorit është urdhëruar ndalimi i shtetasit Gilmando Dani, Emiljano Shullazi dhe Blerim Shullazi si autorë të kryerjes së veprave pebnale të ndryshme, pasi janë mbledhur të dhëna që dokumentojnë mbi faktet e mësipërme dh autorësinë e tyre. Sipas prokurorisë ndalimi i tre personave të sipërcituar është bërë në përputhje me nenin 253 të Kodit të Pr, Penale. Sipas akuzës ndalimi i tre shtetave është bërë në përputhje të plotë me kërkesat e ligjit dhe nisur nga kjo situatë, këto arrestime duhet të konsiderohen të ligjshëm. Nga ana tjetër për shkak të rrethanave të faktit dhe personalitetit të tre të arrestuarve, sipas akuzës ata duhet të qëndrojnë në masën e sigurisë “arrest me burg” pasi këta të arrestuar ka rrezik që të kryejnë të njëjtën vepër penale ose vepra të tjera.
 

Redaksia Online
(A.N/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kickbox/ Skandal në Malin e Zi, arbitri godet me trofe në fytyrë trajnerin kosovar (Video)

Kickbox/ Skandal në Malin e Zi, arbitri godet me trofe në fytyrë trajnerin kosovar (Video)