Report Tv zbulon strukturën e plotë të rrjetit të kompanive që zotërojnë ‘Albania Land Development’, e blerë nga dy vëllezërit e njohur nga Katari, Moutaz dhe Ramez Al-Khayyat

Në bazë të ekstraktit të Regjistrit Tregtar, subjekti raportues ‘Albania Land Development’ zotërohet 100% nga subjekti juridik i huaj ‘Sazan Land Holding’ (më parë me emrin ‘Sazan Operations Holding’).

‘Sazan Land Holding’ zotërohet 100% nga subjekti juridik i huaj ‘Sazan Real Estate Development LLC’.

‘Sazan Real Estate Development LLC’ zotërohet 70% nga subjekti juridik i huaj ‘Assets Real Estate Ventures LLC’, 15% nga ‘Global Travel Retails SA’ dhe 15% nga ‘JAMCO Global LLC’. Duke qenë se këto dy shoqëri zotërojnë më pak se 25% të kapitalit, në kuptim të ligjit për pronarët përfitues ato nuk konsiderohen pronarë përfitues.

‘Assets Real Estate Ventures LLC’ zotërohet 100% nga subjekti juridik i huaj ‘Assets International LLC (QFC)’.

‘Assets International LLC (QFC)’ zotërohet 100% nga subjekti juridik i huaj ‘Assets Real Estate Development W.L.L (Qatar)’.

‘Assets Real Estate Development W.L.L (Qatar)’ zotërohet nga subjekti juridik i huaj ‘Power International Holding W.L.L (Qatar)’.

‘Power International Holding W.L.L (Qatar)’ zotërohet 50% nga individi Mohamadmoataz MHD Ruslan Alkhayat dhe 50% nga individi Ramez MHD Ruslan Alkhayyat.

Kush janë vëllezërit Al-Khayyat?

Mohamadmoataz MHD Ruslan Al-Khayyat, i njohur gjerësisht si Moutaz Al-Khayyat, dhe vëllai i tij Ramez Al-Khayyat janë dy nga biznesmenët më të njohur të Katarit dhe drejtuesit e grupit gjigant Power International Holding (PIH). Moutaz Al-Khayyat mban postin e Kryetari i bordit, ndërsa Ramez Al-Khayyat është zv.kryetar i Bordit dhe President.

Me një shtrirje në 24 vende të ndryshme të botës, grupi Power International Holding, u rendit i 10-ti në 100 Bizneset Familjare Arabe më të mira në vitin 2025, të listuara nga Forbes. Nën drejtimin e tyre, Power International Holding është shndërruar në një nga konglomeratet më të mëdha private në Lindjen e Mesme, me aktivitete në ndërtim, pasuri të paluajtshme, turizëm, energji, bujqësi, shëndetësi dhe shërbime financiare.

Një nga kompanitë më të njohura të grupit është UCC Holding (Urbacon Trading & Contracting), e cila ka realizuar projekte infrastrukturore dhe ndërtimore me vlerë miliarda dollarë në Katar dhe vende të tjera të rajonit. Grupi kontrollon gjithashtu kompani të rëndësishme si Assets Group, Baladna, një nga prodhuesit më të mëdhenj të produkteve të qumështit në rajon, si dhe një sërë investimesh në sektorin e turizmit dhe pasurive të paluajtshme.

Emri i vëllezërve Al-Khayyat mori jehonë ndërkombëtare gjatë përgatitjeve të Kupës së Botës Katar 2022, kur kompanitë e grupit të tyre u përfshinë në ndërtimin e stadiumeve, rrugëve, hoteleve dhe infrastrukturës mbështetëse të turneut.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë