Dokumenti/ Skandali në QSUT, Grupi i PD kërkon interpelancë urgjente me ministren e Shëndetësisë

Dokumenti/ Skandali në QSUT, Grupi i PD kërkon interpelancë urgjente me ministren e Shëndetësisë

Albana Koçiu

Grupi Parlamentar i PD-së ka kërkuar interpelancë urgjente me ministren e Shëndetësisë, Albana Koçiu një ditë pas ekzekutimit të 7 masave të sigurisë për mjekë të spitalit Onkologjik, pas zbulimit të skandalit ku bluzat e bardha drejtonin pacientët me kancer në QSUT drejt privatit.

Në shkresën drejtuar kryeparlamentares Lindita Nikolla, Grupi i PD-së shkruan se “korrupsioni galopant të Spitalit Onkologjik, pranë “Qëndrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë”, i  kalon përmasat thjeshtë të një abuzimi të disa mjekëve dhe stafit mjekësorë në bashkëpunim me subjekte private të fushës së shëndetësisë.”

Ndërkohë shprehen se mijëra qytetarëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale në vend që të gjenin një trajtim dinjitoz shëndetësor publik, janë përballur me një abuzim çnjerëzor, duke u trajtuar si plackë për përfitime financiare midis stafit shëndetësor, përfshirë dhe drejtuesen e institucionit, dhe klinikave private.

“Ndërkohë që gjithë sistemi i Shëndetësisë tashmë prej 11 vite keqqeverisje në vend, përballet me abuzime të njëpasnjëshme duke ofruar një shërbim shëndetësor me kosto të rritura për qytetarët dhe aspak pranë nevojave të tyre”, thuhet në dokument.

Gjithashtu theksoi se “është e paprecedentë dhe fyese për qytetarët shqiptar që përgjegjësia të kufizohet vetëm ndaj disa mjekë abuzues, ndërkohë që ky nuk është një rast sporadik dhe i izoluar i korrupsionit pranë Onkologjikut.”

SHKRESA

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike

Lënda: Kërkesë për interpelancë urgjente me Ministrin e Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale Albana Koçiu

Drejtuar: Znj. Lindita Nikolla Kryetare e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë

Këtu, Zonja Nikolla,

Gjatë ditës së djeshme, opinioni publik shqiptar është përballur me një të vërtetë rrënqethëse dhe shokuese të korrupsionit galopant të Spitalit Onkologjik, pranë “Qëndrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë”, e cila kalon përmasat thjeshtë të një abuzimi të disa mjekëve dhe stafit mjekësorë në bashkëpunim me subjekte private të fushës së shëndetësisë. Jeta dhe fati i mijëra qytetarëve shqiptarë të diagnostikuar me sëmundje tumorale, shpesh terminale, në vend që të gjenin një trajtim dinjitoz shëndetësor publik, sikundër është zbardhur nga mediat, në fakt janë përballur me një abuzim c’njerzor, duke u trajtuar si plackë për përfitime financiare midis stafit shëndetësor, përfshirë dhe drejtuesen e institucionit, dhe klinikave private.

Duke iu referuar burimeve të medias, të cilët kanë zbardhur pjesë nga hetimi paraprak i Prokurorisë së Tiranës dhe fill pas njoftimit të kësaj të fundit për kërkesën për masë sigurie të së paku 8 personave të përfshirë, opinioni publik mbarë-kombëtar iu dëshmua një pjesë e skemës korruptive dhe abuzive që institucionet publike sic është Spitali Onkologjik veprojnë në kurriz të jetës së qytetarëve. Ndërkohë që gjithë sistemi i Shëndetësisë tashmë prej 11 vite keqqeverisje në vend, përballet me abuzime të njëpasnjëshme duke ofruar një shërbim shëndetësor me kosto të rritura për qytetarët dhe aspak pranë nevojave të tyre.

Është e paprecedentë dhe fyese për qytetarët shqiptar që përgjegjësia të kufizohet vetëm ndaj disa mjekë abuzues, ndërkohë që ky nuk është një rast sporadik dhe i izoluar i korrupsionit pranë Onkologjikut. Prej disa vitesh tashmë media, qytetarë, profesionistë përfshirë edhe mjekë kurajozë kanë ngritur zërin për abuzime të vazhdueshme për barnat e parimbursueshme, për mjekime që nuk ofroheshin, për trajtimin me rreze që deklarohej jashtë funksioni.

Prandaj kjo përgjegjësi jo vetëm morale por administrative dhe ekzekutive në fakt përfshin në mënyrë të drejtpërdrejtë vetë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale. Është vetë Ministria që duhet dhe mund të kishte vepruar në kohë pas dhjetëra e qindra denoncimesh për abuzime ndër vite. Janë titullarët ndër vite të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale, që duhet të kishin vepruar në kohë, për të ndaluar abuzimet ndaj jetës dhe shëndetit që qindra apo mijëra pacientë të Onkologjikut janë përballur çdo vit, në duart e një grupi të korruptuarish dhe abuzuesish për qëllime përfitimi financiar.

Prandaj dhe sot, qytetarëve shqiptarë nuk mund ti ofrohet thjeshtë një deklaratë publike shfajësimi por përballje të përgjegjësive të drejtpërdrejta që mbart Ministria e Shëndetësisë për rastin në fjalë, duke e nisur nga Kuvendi i Shqipërisë, nëpërmjet kësaj kërkese për interpelancë, dhe duke inkurajuar organin e akuzës për të hetuar mbi mundësinë e përgjegjësive të tjera përfshirë dhe penale.

Në këtë kontekst, kërkesa jonë për interpelancë urgjente me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale është domosdoshmëri që vjen nga vullneti i opinionit publik dhe qytetarëve për këtë rast të paprecedentë që kërkon mbatje përgjegjësie të plotë nga institucionet përgjegjëse. Ndaj dhe bazuar në nenin 80, pika 1 e Kushtetutës dhe të nenit 96 pika 1 dhe 2 dhe nenit 97 të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë interpelancë urgjente me Ministrin e Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale, Albana Koçiu.

 

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës