Doli nga reanimacioni, ja fjalët e para të nënës që u përplas nga shoferi i droguar në Tiranë

Doli nga reanimacioni, ja fjalët e para të nënës që u përplas nga shoferi i droguar në Tiranë

Vilma dhe Arjan Konomi, çifti që u përfshi në aksident

Elvis Toçi, i afërmi i familjes që u përplas me makinë te vizat e bardha nga Ajas Sulejmani një ditë më parë, foli për gjendjen shëndetësore të tre të lënduarve. I ftuar në emisionin "Shqip", Toçi tha çifti Konomi, ka dalë nga reanimacioni dhe se fjalët e para të nënës, ishin: Ku është vajza!

“Unë sapo erdha nga spitali. Të lënduarit kanë dalë nga reanimacioni. Vilma ishte më rëndë. Sot në mëngjes ka filluar të reagojë, është koshiente. Por sigurisht është e përhumbur, por ka shumë thyerje. Arjani gjithashtu ka 6 brinjë dhe legenin të thyer. E para ishte jeta, këtë fazë e kaluan, edhe pse doktorët nuk e kanë thënë fjalën e fundit. Ne shpresojmë që ata ia kanë hedhur. Fëmija është gërvishtur te syri, por ende nuk është formuar sepse është vetëm 3 muajsh.

Arjani pati mushkëritë me ujë, u detyruan të hapnin mushkëritë, Vilma nuk ishte koshiente. Pyetja e parë që bëri ishte për vajzën: Ku është vajza? Çifti është tani në një dhomë, dhe tani kanë vendosur edhe një krevat për vajzën. Ajo do të jetë një forcë e madhe që ata të bëhen mirën.  Në këtë rast nuk mund të thuash nuk kishte rrugë me sinjalistikë. Aty ishin të gjitha, semafor, vijat e bardha, të gjitha standardet. Çfarë nuk kishte? Vetëm njerëzit që kishin një armë në dorë, që në këtë rast ishte makina, që e përdorën në të gjitha parametrat e palejueshme”, tha Toçi 

Ai tha se çifti kishin disa vite martuar dhe prej kohësh dëshironin që të bëheshin me një fëmijë. Toçi tregoi se Vilma Konomi ishte mjeke familje dhe udhëtonte çdo ditë për në Vorë për pacientët e saj kurse Arjani punonte në Ministrinë e Arsimit.

"Arjani është punonjës në Ministrinë e Arsimit, kurse Vilma mjeke dhe ky fëmijë erdhi si një mrekulli pas shumë vitesh martese dhe përpjekje.  Imagjino të arrish gëzimin më të madh të jetës dhe të ndodhi një tragjedi. Është një familje normale si të gjithë ne, është në rrugën e vetë.  Dy njerëz që punojnë me ndershmëri. Vilma punon si mjeke familje në Vorë. E bën çdo ditë vajtje ardhje. Është shumë e përkushtuar.  Ne jemi shoqëri që e pranon të fortin, krimin…nuk na duket më çudi është bërë pjesë e jona.  Ky rast është një kauzë që duhet të na bëjë bashkë. Makina është kthyer në një armë.  Një armë që po vret si në Ukrainë. Nëse ndërtojmë një shtet të fortë këta njerëz do pakësohen", u shpreh Toçi.

Ajas Sulejmani, me G-CLASS-in e tij të zi kaloi me semafor të kuq dhe përplasi çiftin Vilma dhe Arjan Konomi në viza të bardha teksa me vete kishin edhe një foshnje 3 muajshe, e cila shpëtoi fatmirësisht pa asnjë lëndim. Gjendja shëndetësore e bashkëshortëve Vilma e Arjan Konomi paraqitet e qëndrueshme, ndërsa kanë dal tashmë nga trajtimi intensiv.

Sulejmani, nuk është një emër i panjohur për policinë, si brenda vendit ashtu edhe jashtë vendit. Drejtuesi i makinës luksoze me targa të gjermane, është shoqëruar tre javë më parë në ambientet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, po me këtë automjet, për verifikim nga strukturat e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, dhe pasi është verifikuar, është proceduar për shkeljen e dispozitave të Kodit Rrugor. Sulejmani ka qenë i shpallur në kërkim në vitin 2014 nga autoritetet amerikane, pasi akuzohej për trafikim të lëndëve narkotike. Ende nuk dihet nëse Sulejmani e ka mbyllur këtë çështje me drejtësinë amerikane.

B.K./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë