TIRANË- Me semafor të kuq dhe pa patentë, Ajas Sulejmani, 39-vjeç, përplasi me një makinë luksoze tip ‘G Class’, mesditën e sotme në rrugën e Kavajës, teksa po kalonin vijat e bardha, një çift bashkë me foshnjën e tyre tre muajshe.

Pas aksidentit të rëndë, 39-vjeçari zbriti nga makina dhe u largua nga vendi i ngjarjes, duke lënë të plagosur në mes të rrugës çifitin Vilma Konomi, 43-vjeçe, dhe Arion Konomin, 48-vjeç si dhe foshnjën e tyre tre muajshe. Ishin kalimtarët e rastit që i ofruan ndihmën e parë familjes së plagosur, ndërsa janë dërguar në spitalin e Traumës për mjekim, ku foshnja ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe çifti është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Report Tv ka siguruar edhe videon, ku Ajas Sulejmani, me shpejtësi dhe duke shkelur rregullat e qarkullimit rrugor, përplasi teksa po kalonin në vijat e bardha dhe me semafor jeshil të ndezur, dy prindërit dhe foshnjën tre muajshe, e më pas del nga rruga.

Arratia 39-vjeçarit, zgjati rreth 3 orë, pasi u arrestua në një spital privat në Tiranë. Ajas Sulejmani pas kryerjes së testit të drogës, ka rezultuar se drejtonte makinën nën efektin e lëndëve narkotike.

Menjëherë pas aksidentit, policia shoqëroi si dëshmitar edhe kushëririn e tij, i cili nuk dihet nëse ishte pasagjer në makinë. Report Tv ndoqi live shoqërimin e kushëririt të Sulejmanit, ku shihet se ai bashkë me shokun e tij kontestuan me këmbëngulje dorëzimin e celularit tek efektivëve e policisë, por në fund u dorëzuan.

Ajas Sulejmani, nuk është një emër i panjohur për policinë, si brenda vendit ashtu edhe jashtë vendit. Drejtuesi i makinës luksoze me targa të gjermane, është ndëshkuar 8 herë nga efektivet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, nga të cilat disa herë për shkelje të sinjalizimit rrugor, shkelje semafori dhe mospërdorim të rripit të sigurimit.

39-vjeçari është shoqëruar tre javë më parë në ambientet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, po me këtë automjet, për verifikim nga strukturat e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, dhe pasi është verifikuar, është proceduar për shkeljen e dispozitave të Kodit Rrugor.

Sulejmani ka qenë i shpallur në kërkim në vitin 2014 nga autoritetet amerikane, pasi akuzohej për trafikim të lëndëve narkotike. Ende nuk dihet nëse Sulejmani e ka mbyllur këtë çështje me drejtësinë amerikane.

*Raportuan lajmin për Shqiptarja.com dhe Report Tv gazetarët Arsen Rusta dhe Sokol Dema

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:48
Aksidenti në Tiranë, reagon deputeti i PD, Sula: Policia nuk duhet të bëjë një sy qorr përballë shoferëve me makina 250 mijë €

Deputeti demokrat Dashnor Sula ka reaguar në llogarinë e tij në Facebook në lidhje me aksidentin e rëndë të ndodhur ditën e sotme në Tiranë, ku një makinë përplasi një çift së bashku me fëmijën e tyre 3 muajsh.

Sula shkruan se policia nuk mund të bëjë një sy qorr, e një vesh shurdh, as përballë një shoferi me një makinë modeste, por as para shkelësve të ligjit me makina 250 mijë euroshe, ndërkohë qytetarët e thjeshtë ndalohen në mes të ditës dhe gjobiten në kufijtë maksimal të vlerës vetëm sepse nuk ndezin dritat. 

Dua ta nis këtë reagim me një lutje që familja që u aksidentua sot në "Rrugën e Kavajës" të shërohet sa më shpejtë e ta harroj këtë ditë të keqe. Por dua të denoncojë me zë të lartë neglizhencën e Policisë së Shtetit. Sipas raportimeve të mediave 39-vjeçari që gati sa nuk shkaktoi një tragjedi është një shkelës i vazhdueshëm i kodit rrugor. Ai rezulton i proceduar 8 herë për shkelje serioze të kodit rrugorë. Por në vend që atij ti privohej e drejta për të drejtuar makinën, pa ju dridhur qerpiku ai qarkullonte në Tiranë me një makinë 250 mijë euro dhe gati sa nuk i mori jetën një familje të re e të pafajshme.

Ne jemi vet dëshmitarë sesi qytetarët e thjeshtë ndalohen në mes të ditës dhe gjobiten në kufijtë maksimal të vlerës vetëm sepse nuk ndezin dritat. Sesi mbushen plot me gjoba për parkime në lagje. Por nga ana tjetër herë pas here bëhemi dëshmitarë sesi bosët me makina luksoze lëvizin lirshëm në të gjithë vendin duke rrezikuar seriozisht jetën e qytetarëve.

Policia e Shtetit nuk duhet të bëj një sy qorr e një vesh shurdh as përball një shoferi me një makinë modeste por as para shkelësve të ligjit me makina 250 mijë euroshe.

Gjithashtu i bëj thirrje policisë që të verifikojë në çdo moment tabelat me logot e Kryesisë së Kuvendit apo të ministrive në xhamat e parë të automjeteve luksoze se ka zëra që ato tabela po shiten si patentat në treg të zi. Si ka mundësi që në çdo makinë luksoze ka një tabelë institucioni shtetëror? A nuk i bën përshtypje uniformave blu kjo? A ju duket normale që një Lamborghini, G-Clas apo Range Rover qarkullon me mjet identifikues institucionesh shtetërore?, shkruan Sula në rrjetin social facebook.

 

Ora 20:47
Aksidenti në Tiranë, policia aksion në kryeqytet, kontroll drejtuesve të mjeteve luksoze nëse kanë konsumuar alkool e drogë

1652033348_Screenshot5.jpg

Nisur nga aksidenti i sotëm në Rrugën e Kavajës ku mbetën të plagosur çifti i bashkëshortëve Vilma e Arjan Konomi dhe djali i tyre tre muajsh, Policia Rrugore po kryen në këto momente kontrolle masive të automjeteve në të gjithë Tiranën. Efektivë të Policisë Rrugore janë shpërndarë në akset hyrëse, dalëse dhe rrugë të tjera brenda Tiranës dhe verifikojnë automjetet, kryesisht ato luksoze. Sipas burimeve, po kryhen jo vetëm teste alkooli por edhe droge për drejtuesit e automjeteve.

Ora 18:12
Përplasi familjen në mes të rrugës, Ajas Sulejmani rezulton pozitiv në testin e drogë

 

Ajas Sulejmani, 39-vjeçari që përplasi familjen në  mes të rrugës te vijat e bardha, ka rezultuar pozitiv në testin e drogës.

‘Në lidhje me aksidentin e ndodhur në Rrugën e Kavajës, ku një automjet me targa të huaja aksidentoi një çift dhe fëmijën e tyre të vogël, ju informojmë se: Pas kryerjes së testit të drogës, drejtuesi i mjetit, shtetasi A. S., ka rezultuar se drejtonte mjetin nën efektin e lëndëve narkotike.’- njofton policia.

Ora 17:19
U përplasën nga 39-vjeçari te Rruga e Kavajës, çifti në gjendje të rëndë shëndetësore

1652021290_page.jpg

Report Tv mëson se çifti Arian dhe Vilma Konomi, që u përplasën te Rruga e Kavajës, ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore. Të dy pacientët kane diagnozë politraume në gjendje të rëndë shëndetësore, me prognozë të rezervuar nën mjekim intensiv.

Ora 17:08
Aksidentoi familjen me makinën luksoze, 39-vjeçari ishte gjobitur 8 herë nga policia për shkelje të qarkullimit! 3 javë me parë u shoqërua trafik droge! VIDEO nga momenti arrestimit

Policia e Tiranës thotë se Ajas Sulejmani, i cili përplasi në vijta e bardha prindërit dhe foshnjën e tyre tre muajshe, është gjobitur 8 herë nga policia për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Po ashtu tre javë më par është shoqëruar nga policia për verfikim në fushën e trafikut të drogës, por që më pas është proceduar për shkeljen e dispozitave të Kodit Rrugor.

'Drejtuesi i automjetit me targa të huaja, shtetasi me iniciale A. S., 39 vjeç, i dyshuar si autori që shkaktoi aksidentin me këmbësorët, në Rrugën e Kavajës, është ndëshkuar 8 herë nga efektivet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, nga të cilat disa herë për shkelje të sinjalizimit rrugor, shkelje semafori dhe mospërdorim të rripit të sigurimit.

Gjithashtu, ky shtetas është ndëshkuar disa herë, me bllokues gomash, për shkak të parkimeve në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor në rrugët e kryeqytetit.

Po ky shtetas  është shoqërur tre javë më parë në ambientet e Komisariatit Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë, po me këtë automjet, për verifikim nga strukturat e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, dhe pasi është verifikuar, është proceduar për shkeljen e dispozitave të Kodit Rrugor.

Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.'- njofton policia.

Ora 16:56
Me shpejtësi e semafor të kuq ndezur, Report Tv siguron videon kur Ajas Sulejmani përplas prindërit dhe foshnjën te rruga Kavajës

 

Report Tv ka siguruar videon, ku Ajas Sulejmani, me shpejtësi dhe duke shkelur rregullat e qarkullimit rrugor, përplasi teksa po kalonin në vijat e bardha dhe me semafor jeshil të ndezur, çiftin Vilma Konomi dhe Arjan Konomi bashkë me foshnjën e tyre tre muajshe, të cilët mbetën të plagosur. Më pas Ajas Sulejmani u largua nga vendi i ngjarjes dhe u arrestua pas tre orësh në një spital privat.

Ora 15:54
Përplasi prindërit bashkë me foshnjën teksa po kalonin vizat e bardha, arrestohet Ajas Sulejmani! Ishte në një spital privat

1652019088_ajazsulejmani.jpg

Pas përplasi dy prindërit me foshnjën e tyre tre muajshe në rrugën e Kavajës në Tiranë, teksa po kalonin në vijat e bardha me semaforin jeshil, policia ka arrestuar pas rreth tre orësh në arrati shoferin, Ajas Sulejmanin. 39-vjeçari u arrestua në një nga spitalet private të kryeqytetit si dhe u krye shoqërimi i tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr.2, për kryerjen e veprimet të tjera hetimore në funksion të ngjarjes rrugore.

Ora 14:46
U përplas nga makina luksoze, identifikohet çifti (EMRAT)

1652013227_aksidentnetirane5.jpg

Identifikohet çifti që u përplas me foshnëjn tre muajsh nga makina lukosoze në rrugën e Kavajës në Tiranë. Vilma dhe Arjan Konomi janë çifti. 

Ora 14:36
Përplasi me makinë luksoze çiftin dhe foshnjën 3 muajshe, kush është Ajas Sulejmani! Trafikanti i drogës i kërkuar nga policia amerikane

1652013631_WhatsAppImage20220508at2.16.31PM1.jpeg

Ajas Sulejmani, shoferi i automjetit luksoz që përplasi çiftin dhe foshnjen 3 muajshe tek Rruga e Kavajës ka qenë në kërkim në vitin 2014 për trafik droge nga policia e Illinois në SHBA. Ende nuk dihet nëse e ka mbyllur këtë çështje me drejtësinë amerikane.

Ora 13:54
Arrestohet kushëriri i shoferit që përplasi çiftin me fëmijën tre muajsh, Report Tv sjell VIDEON

Kushëriri i Ajas Sulejmanit është vënë në pranga. Makina luksoze G Class përplasi paraditen e sotme në rrugën e ‘Kavajës’ çiftin me fëmijën tre muajsh. Ajas Sulejmani, i cili po drejton mjetin është ende në arrati.

Ora 13:46
FOTO/ Mjeti luksoz përplas çiftin me fëmijën tre muajsh, merr përpara karrocën dhe e përmbys në rrugë

1652010233_karroccaa.jpg

Ky është momenti i aksidentit të rëndë në Tiranë, ku automjeti luksoz tip G Class ka përplasur sot një çift me foshnjen tre muajsh. Në foto duket sesi është përmbysur karroca dhe foshnja ka përfunduar në rrugë. Shoferi i mjetit ka braktisur makinën dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.