
Reshjet e dendura të shiut gjatë ditës së sotme kanë shkaktuar një situatë problematike edhe në fshatin Qeparo të Bashkisë Himarë.
Përmes një njoftimi, kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, ka shkruar se vërshimi i ujit në Qeparo ka shkaktuar përmbytje në rrugë, toka dhe banesa.
Sipas Tavos, intensiteti i lartë i reshjeve, në një kohë shumë të shkurtër, e bëri të pamenaxhueshme gjendjen dhe përballimin e ujit nga infrastruktura kulluese.
“Reshjet e dendura shkaktojnë përmbytje në Qeparo! Vërshimi i ujit në Qeparo ka shkaktuar përmbytje në rrugë, toka dhe banesa. Pamjet e mëposhtme i përkasin lagjes Valta.
Intensiteti i lartë i reshjeve, në një kohë shumë të shkurtër, e bëri të pamenaxhueshme gjendjen dhe përballimin e ujit nga infrastruktura kulluese.
Jemi të gjithë në krye të detyrës për të punuar në normalizimin e gjendjes, riparuar dhe ç’bllokuar kanalet e bllokuara nga dheu dhe materialet inerte që kanë sjellë vërshimi i përrenjve. Jemi në punë, jemi pranë banorëve!”, ka shkruar Tavo në rrjetet sociale.
Po ashtu, përmes një tjetër postimi në rrjetet sociale, Tavo ka bërë të ditur se në qytetin e Himarës, por edhe në zona të tjera, po punohet për kthimin e situatës në normalitet.
Tavo ka shkruar po ashtu se dalja nga shtrati e përroit në zonë ka sjellë depozitime balte dhe materialesh inerte, të cilat kanë krijuar problematika në rrugë dhe në mjedise të tjera publike.
Ai u ka bërë thirrje banorëve të Himarës, por edhe të zonave përreth që të shmangin lëvizjet e panevojshme, deri në përmirësimin e situatës.
“Po punohet për rikthimin e situatës në normalitet! Strukturat e Bashkisë janë në terren dhe në krye të detyrës për të eliminuar pasojat e vërshimit të ujërave në qytetin e Himarës dhe në zona të tjera.
Ndërprerja e reshjeve ka ulur intensitetin e prurjeve, por dalja nga shtrati e përroit ka sjellë depozitime balte dhe materialesh inerte, të cilat kanë krijuar problematika në rrugë dhe në mjedise të tjera publike. Po vijon puna për normalizimin e plotë të situatës.
Bashkia Himarë apelon që qytetarët të shmangin lëvizjet e panevojshme, veçanërisht me automjete, dhe aty ku është e mundur, të bashkëpunojnë për largimin e degëve dhe mbetjeve të pemëve të transportuara nga ujërat”, ka shkruar në një tjetër postim Tavo.
Lajmi kryesor:
Reshjet e dendura të shiut! Përmbytet shëtitorja në Himarë, prani të ujit në disa banesa! Rrëshqitje dherash në 'Kodrën e Currilave', bllokohet njëri krah i rrugës











