Kohët e fundit doli nga shtypi libri monografik “Domgjoni në dokumente, gojëdhëna dhe histori” të studiuesit të njohur mirditor Llesh Ndoj. Eshtë një monografi historike kushtuar një fshati të veçantë në rrethin e Mirditës. Trevë e njerëzve të urtë e bujarë, patriot dhë liridashës, vend ii një gurre të njohur, monument culture, vendlindja e figurave të njohura historike mes të cilëvë Patër Gjergj Fishta, Zef Vorf Nekaj dhe studiuesi i njohur kosovar prof.Hasan Hasani – Përkola.
Llesh Ndoj është një krijues i përmasave mbarëkombëtare, është autor i rreth 6 librave studimorë dhe poetikë. E kam njohur vite më parë si krijues sidomos si poet, ku pati krijuar profilin e tij të admirueshëm në poezi, por jo si studiues. Madje kur më propozoi t'a shihja librin e tij në dorëshkrim, pranova me një farë ndrojtje, sepse shpesh më ka rënë rasti të shoh kapërcime të tilla, nga poezia tek studimi dhe kam pasur gjithnjë rezerva. Ndryshe ndodhi me veprën serioze të studiuesit Llesh Ndoj, ku sa më shumë shfletoja faqet e librit, aq më shumë ndrojtja ime davaritej. Kur arrita në fund, u befasova. Një punë plot pasion, e lodhshme, emocionale dhe për më tepër motivuese. Pena me traditë e autorit ka spikatur bukur vlerat historike, shpirtërore dhe njerëzore të fshatit të tij të lindjes, fshatit më të njohur në Mirditë,Domgjonit.
Të shkruash një monografi aq të bukur, me nivel dhe mbreslënëse, autorit i është dashur mjaft mundim dhe punë, sidomos në shfletimin e materialeve të ndryshme nëpër arkiva, dorëshkrime, libra, gazeta, etj, punë të cilën autori e ka përballuar me sukses.Kam lexuar shumë monografi historike, por vepra e autorit Llesh Ndoj, është pasuruar me element të veçantë, që në kontekstin krijues e bëjnë këtë monografi shumë interesante, tërheqëse dhe me vlera dokumentare.
Kjo vepër, vjen në momentin e duhur dhe për trevën e duhur për të vertetuar me dokumenta historike ata që thuhen dhe mendohen për Domgjonin, këtë fshat sa historik, bujqësorë dhe turistik. Që në fillim autori studion etimologjinë e emrit të fshatit dhe verteton se toponimi Domgjon ka ardhur nga emri i një misionari katolik nga Gjakova me emrin Gjon. Edhe pse analizon disa burime të mundshme të prejardhjes së emrit autori këmbëngul tek ajo e një prifti Gjon, roli i të cilit mund të ketë qënë dominant duke e lidhur këtë jo vetëm me gojdhënën, por edhe me kushtet e përgjithshme historike, e sidomos me atë që i ka detyruar njerëzit të dalin në këto male, ku autori nënkupton represionin osman.Në mesjetën e hershme vendi ku u vendos Dom Gjoni, nisi të popullohet me bujq punëtorë, që ja ndryshuan faqen vendbanimit, derisa u formua fshati. Megjithatë, autori merr në konsideratë dhe analizon edhe mendime të studiuesve të tjerë mirditorë si Nikollë Loka, Hasan Hasani apo Pjetër Nikolla, i cili mendon se emri i fshatit vjen nga toponimi Demastion, qytet i shkrirjes së bakrit. Gjithsesi, tezat që diskutohen kanë të vërteta historike, por rruga mbetet ende e hapur. Fakti se toponimi Domgjon, nuk përmendet në regjistrat turke të viteve 1529, 1536, 1537 por vetëm në vitin 1671, ndoshta përforcon më shumë hipotezën e autorit se emri i fshatit vjen nga ky prift katolik Dom Gjoni, ardhur nga Gjakova.
Domgjoni del në dokumenta si vend i banuar që në shkeujt IV - V të e.s., bile faktet si gurra e Lashtë, ndër më të rrallat në llojin e vet në vendin tone e më gjërë, mbeturinat e shkrirjues së bakrit etj, tregojnë për popullatë të zhvilluar. Gojëdhëna nga ana tjetër, tregon se kjo popullatë, ka ardhur nga Pashtriku i Gjakovës këtu e 4 - 5 shekuj më parë. Po cila është lidhja mes tyre? Çfarë ka ngjarë? Autori përmes analizës logjike, përpiqet t'u japë përgjigje këtyre pyetjeve dhe jo vetëm.
Fshati Domgjon, ndër më të njohurit në krahinën e Fanit, mendohet të ketë nisur të formohet aty nga shek.XIV, kur kanë nisur të ndërtohen edhe vendbanimet e para, por objektet kulturore, si Qyteza - vendi i shkrirjes së bakrit, kisha e Shën Barnabës, apo Gurra e famshme e Domgjonit, besohet se janë më të hershme. Studiuesi Llesh Ndoj pranon gojdhanën, se banorët e ardhur nga Domgjoni mund të jenë joshur nga pozicioni gjeografik, kultura fetare dhe pasuritë minerale, vecanërisht përpunimi i bakrit. Ai hedh tezën se këta banorë, ka gjasa të kenë mbërritur këtu nga Pashtriku i Gjakovës, ndoshta edhe nga Bugjoni i Pukës, por nuk përjashtohet as krahina e Hasit, të cilët sollën me vete mjeshtrinë e bujkut, të blegtorit, ndërtuesit dhe të përpunimit të metalit. Në kuptimin fetar dhe shoqëror, që njëherit shpreh dhe kuptimin shpirtëror e kulturor, popullsia e Domgjonit paraqitet tërësisht homogjene. Është për t'u theksuar fakti, se popullsia e Domgjonit pëson rritje sipas periudhave të ndryshme historike. Ky fakt dëshmohet edhe nga gjurmët e ndërtimeve prehistorike, sipërfaqet e banuara, dendësia e ndërtimeve, numri i punishteve, mullinjve, objekteve të kultit, madhësia e shtëpive dhe muri i përbërjes familjare. Autori verteton se sipas relacionit të Zmajevicit, në vitin 1703, Domgjoni kishte vetëm 14 shtëpi me rreth 117 banorë, ndersa në vitin 1905 ky fshat numëronte 113 shtëpi me 860 banorë, pra një rritje e konsiderueshme e numrit të popullsisë gjatë kësaj periudhe në këtë fshat.
Për të ruajtur karakterin e theksuar etnik-shqiptar të domgjonasve sherben edhe antroponimia dhe sidomos patronimia-mbiemrat, ku emrat janë tërësisht katolikë, ndërsa mbiemrat që përbënin pesë fiset që përmend autori Kola, Kolpepa, Kaza, Gjakëza, Laçi, që sipas autorit kanë ardhur nga malësia e Gjakovës. Për të dokumentuar lashtësinë e këtyre fiseve, autori ndalet dhe pasqyron historinë e tyre, breznitë, numrin e shtëpive, madje edhe degëzimet fisnore. Këto të dhëna dokumentare e bëjnë librin më tërheqës dhe interesant. Ka të dhëna se Domgjoni ka qenë vendbanim i konsiderueshëm, por në saj të rritjes së popullsisë, filluan të krijoheshin edhe lagjet, toponimet e të cilave autori i jep të dokumentuara si lagjja Va', Kodra e trojeve, Gjakëz, Pla', Arat e Gjata dhe Sang, duke pasqyruar me kompetencë dhe saktësi edhe familjet që jetonin atje. Këto fakte dhe dokumente e bëjnë këtë matërial mjaft të domosdoshëm dhe të besueshëm.
Një nga kapitujt për të cilët autori flet me pasion dhe siguri, është flora dhe fauna e pasur e Domgjonit. Dihet se baza kryesore e jetesës ka qenë bujqësia dhe blegtoria. Duke qenë një fshat që shtrihej në zonën e klimës mesatare, dalloheshin të katër brezat bimorë. Ky fakt, e bënte këtë fshat vend të përshtatshëm për prodhimet bujqësore dhe ata blegtorale. Gjatë periudhave të ndryshmë historike, bujqësia nuk pati ndonjë zhvillim për t'u shënuar, madje ishte e prapambetur, si rezultat i varfërisë së tokave, prandaj për të siguruar bukën mundësitë ishin mjaft të kufizuara. Ekzistenca e brezit të shkurreve, pyjeve gjethegjëra, pyjeve konifere dhe kullotave alpine, si dhe i një koleksioni mjaft të larmishëm bimësh, madje 44 prej tyre të regjistruara në Listën e Kuqe të florës sonë, shumica prej të cilave endemike, tregojnë për një pasuri të pazakontë të natyrës së këtij fshati të njohur. Pasuri me vlera është edhe ekzistenca e rreth 54 lloj kafshësh të egra, si kaprolli, arriu i murrmë, shqiponja, thëllëza etj,të cilat rriten në këtë rajon.
Një kapitull me vlera gjuhësore është edhe studimi i toponimeve, të cilat përbëjnë një pasuri të paçmueshme që dëshmon lashtësinë dhe kulturën e popullsisë së këtij fshati. Autori e ka studiuar toponomastikën në rrafshin e analizës gjuhësore dhe etimologjike. Ka këtu toponime kompozita, me grupe emrash që kanë si bazë fjalët gurrë, arë, lak, qafë, krua, livadh etj, nuk mungojnë edhe toponimet që lidhen me figura të njohura dhe historike, jo vetëm në Domgjon, por edhe në Mirditë e më gjërë. Duke menduar se pas çdo toponimi, qoftë ky i rastësishëm apo historik fshihet një gojëdhënë apo legjendë, ato përbëjnë një pjesë të historisë dhe kulturës së Domgjonit. Edhe akti i vetëqeverisjes ka qenë një rregullator i rëndësishëm në Domgjon. Normat zakonore si kuvendi, beja, besa, fjala e dhënë, pleqësia, ishin rregullator i jetës dhe veprimtarisë shoqërore në atë periudhë. Domgjonasit ishin njerëz të fjalës, të besë, të burrërisë, të kuvendit, prandaj Mirdita është treva e organizimit në bazë bajraqesh ku një rol parësor ka luajtur dera princërore e Gjomarkajve dhe shumë shtëpi bajraktarësh me peshë, në këtë trevë.
Dua të flas pak edhe për pasqyrimin e vlerave shpirtërore në këtë libër. Përshkrimi i riteve të fejesës, martesës dhe ceremonive mortore, përbën një vlerë të paçmuar në lëmin e studimeve folklorike. Ceremonia e dasmës përshkruhet bukur, bazuar në rite ashtu siç ndodhte në Domgjon, sepse në kontekstin njerëzor dasma është një akt sublim në jetën e njeriut. Përmes një përshkrimi korrekt, autori na tregon se këngët e dasmës në Domgjon janë të larmishme, harmonike dhe të ekuilibruara, ku zotëron rrëfimi poetik dhe lirizmi i thellë. Në krijimtarinë poetike, mirditorët janë mjeshtër të fjalës, prandaj kjo do të reflektohej edhe në përshkrimin e riteve të dasmës, ose të ceremonialit të vdekjeve. Edhe ritet e vdekjes në këtë fshat janë një moment i vecantë, sepse si një nga format e hidhërimit për vdekjen është padyshim vajtimi. Ashtu si në mbarë fshatrat tona edhe vajtemoret e Domgjonit përmendnin virtytet, cilësitë morale, bukurinë, vlerat shpirtërore të personit duke pasur parasysh edhe rëndësinë e tij shoqërore. Këto rite, ndoshta sot nuk kanë ndonjë rëndësi, pasi shumë prej nesh i njohin, po marrin vlera të veçanta për të ardhmen, pasi mjaft prej riteve që përshkruan studiuesi Llesh Ndoi, sot thuajse nuk praktikohen, ose neglizhohen sidomos riti më i lashtë - gjama e burrave. Prandaj ky libër ka vlera, për sot edhe për të ardhmen.
Domgjoni luajti një rol të rëndësishëm për kohën, në lëmin e lëvizjeve kulturore dhe kombëtare, sepse bijtë e saj qenë personalitete të kulturës dhe përhapjes së ideve patriotike dhe lëvizjeve për pavarësi. Kështu, autori me mjaft kompetencë dhe ndjeshmëri artistike, analizon jetën dhe veprimtarinë patriotike, letrare dhe artistike të Padër Gjergj Fishtës, birit të Domgjonit, që nga studimet e sotme rrjedh nga fisi Paci, shtëpinë e njohur të Nikollë Bajraktarit, vëllezërit Nekaj, ku shkëlqen prof. Zef Vorf Nekaj, professor i njohur dhe figurë e shquar në perëndim, Kolë Laska, Pjetër Llesh Doda dhe deri tek prof. Hasan Hasani, shkrimtari dhe studiuesi erudit i Kosovës dhe trojeve mbarëkombëtare, autor i rreth 71 veprave letrare dhe studimore. Këta bij të talentuar dolën nga gjiri i klasës punëtore dhe fshatarësisë së Domgjonit dhe vunë aftësitë e tyre intelektuale dhe krijuese në shërbim të lëvizjes kulturore dhe patriotike kombëtare duke u bërë kështu përçues të vlerave kulturore kombëtare.
E gjej me vend të theksoj edhe vlerat e padiskutueshme të këtij libri në pasurimin e leksikut të gjuhës shqipe. Nga leximi i këtij libri mund të evidentohen shumë fjalë dhe shprehje të reja që autori i përdor në vendin e duhur dhe kuptimin e duhur, të cilat mund të njihen dhe përdoren në krahinë, por kanë vlera të rëndësishmë dhe për leksikun tonë. Fjalë të tilla si arkëmort - arkivol, mshlluk - lajmëtar, peshkvë - rrëshirë pishe ose arrneje, shumarë - teknik pyjesh, kanë vlera të veçanta jo vetëm njohëse por edhe leksikore e studimore. Autori i kësaj vepre, me mjaft vlera, studiuesi dhe krijuesi tashmë i njohur Llesh Ndoj përmes materialeve dokumentare dhe historike e njeh lexuesin me historinë dhe kulturën e këtij fshati me tradita, me levizjet kulturore, me objektet historike, me figurat e shquara, për të cilat brezat e ardhshëm do të jenë krenar. Sot, autori i kësaj vepre ka rendur nga malet historike të Mirditës për të na befasuar me këtë kanisk, mesazhet e të cilit të gdhenden në memorjen e kombit siç ishte gdhendur shekuj më pare piktogrami i Xhuxhës në shkëmbin pellazg të trevës së Fanit, ku bën pjesë dhe Domgjoni. Kjo vepër është një manual, një libër tavoline, një udhërrëfyes për studiuesit dhe lexuesit e thjeshtë, një shembull i padiskutueshëm i ndihmesës që ka dhënë populli i Domgjonit dhe i mbarë Mirditës në periudhën kalimtare nga mesjeta e hershme deri në kohët e sotme moderne. E përgezoj nga zemra autorin dhe i uroj suksese në të ardhmen. Presim vepra të reja…