TIRANE- Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaroi pasditen e sotme gjatë një takimi me strukturat se në fund të muajit maj do të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Për drejtuesen e LSI-së, socialistët do ta spostojnë Ramën nga qeverisja. Kryemadhi sulmoi edhe ndërkombëtarët, referuar deklaratave të eurodeputetëve, veçanërisht Knut Fleckenstein, kur tha se vijnë për të marrë qokën e fundit.

"Tashmë duhet të bëhemi gati që njerëzit ti çojmë në kutitë e votimit ditën e zgjedhjeve që do të jenë në fund të majit, sepse jam e bindur që zgjedhjet e përgjithshme parlamentare do të jenë të parakohshme. Sepse në radhë të parë do të jenë socialistët ata që do ta vendosin në cep Edi Ramën dhe në radhë të dytë do të jetë e gjithë shoqëria shqiptare që do ti thotë JO krimit të organizuar që ka marrë në dorë fatet e fëmijëve të shqiptarëve. Prandaj që nga ky moment mos hezitoni më. Çdo ditë e më shumë që zvarritet pushteti i kalbëzuar i Edi Ramës aq më shumë kalbëzohet dhe aq më i pafuqishëm bëhet. Prandaj terreni është i juaji, hapësirat janë tuajat, mos ndaloni.

Minimumi janë pesë deputetë të cilët vijnë në Parlament nëpërmjet përgjimeve të antimafias italiane të prokurorisë shqiptare dhe shërbimeve ndërkombëtare, të cilët vijnë në parlament me paratë e trafikantëve të drogës. Kemi Vlorën, kemi Tiranën, kemi Durrësin, kemi Lezhën, kemi Shkodrën. Pa llogaritur dhe sa e sa të tjerë kemi pa dalë. Kemi një raport të ODIHR-it dhe të Komisionit të Bashkimit Evropian ku bëjnë analizën e zgjedhjeve. 20 për qind e votave janë blerë. Epo 20 për qind e votave do të thotë 28 deputetë. Nuk bleu opozita, i bleu qeveria sepse ne kemi qenë vetë dëshmitarë se si makinat e Policisë shoqëronin kryetarët apo anëtarët e bandave për të hyrë në shtëpitë e qytetarëve, se si merrnin peng votues të LSI-së apo partive të tjera politike, në mënyrë të tillë vetëm e vetëm që të intimidoheshin dhe kërcënoheshin.

Tashmë petët i dolën lakrorit, kështu që nuk ka më ku të shkojë. Iu hapën që të gjitha dhe doli haptas, në dritën për diell, që kemi një mazhorancë, që vetëm në Shqipëri ndodh që ka 48 për qind të votave, por ka mazhorancë mandatesh. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që ke blerë vota, ke blerë njerëz, ke përdorur pushtetin. Ka ndërkombëtarë që nuk i kuptojnë, mos u shqetësoni për ata që nuk i kuptojnë, por di tu them që ka ndërkombëtarë, ka institucione, sepse ne kurrë nuk do të bëjmë marrëveshje me individë. Marrëveshjet bëhen shtet me shtet, marrëveshjet bëhen institucione me institucione dhe ja ku po ua them që nuk ka asnjë qeveri e Bashkimit Europian e cila përkrah qeverinë e Edi Ramës. Nuk ka asnjë institucion, qoftë ky Parlament Europian apo Komision Europian që të dali haptas sot dhe të përkrahi reformat e dështuara të Edi Ramës.

Prandaj mos u intimidoni, mos u surprizoni nga deklarata, të cilat vijnë për të harxhuar qokën dhe për të marrë qokën e fundit në Shqipëri, mos u shqetësoni nga të gjithë. Sepse në fund të fundit, votat e LSI kanë qenë vota të cilat janë të lidhura me miqësinë, janë të lidhura me pasionin, me shoqërinë dhe mbi të gjitha i ka lidhur sakrifica dhe solidariteti. Tashmë evidentimi i njerëzve, organizimi i njerëzve, njerëzit e kanë perceptimin shumë të mirë për LSI-në. Njerëzit e kanë perceptimin shumë të mirë për ta ndryshuar këtë realitet" tha ajo. Por kryeministri Edi Rama i ka mohuar kategorikisht zgjedhjet e parakohshme duke deklaruar se mandatin e marrë vitin e kaluar do ta dërgojë deri në fund. Nga Samiti i Diasporës, sot kryeministri Edi Rama i bëri një ftesë publike liderit të opozitës Lulzim Basha për tu ulur në bisedime për të zgjidhur krizën politike.