Lënia e mandatit të deputetit, pritet të sjellë dhe transferimin e dosjes së Armando Prengës nga Gjykata e Lartë drejt Gjykatës së Rrethit të Laçit.
 
Kjo pasi, Prenga nuk mund të gjykohet më nga Gjykata e Lartë, pasi kjo e fundit me ligj nuk është më kompetente për të marrë në shqyrtim këtë dosje.
 
Pritet që me plotësimin e trupit gjykues, Gjykata e Lartë të shpallë moskompetencën dhe dosjen penale në ngarkim të ish-deputeti Armando Prenga, t’ia referojë për gjykim Laçit.
 
Me mbërritjen e dosjes në këtë gjykatë, procesi do të fillojë nga fillimi, ku dëshmitarëve do t’i duhet edhe një herë tjetër, që të paraqiten për të dëshmuar.
 
Ajo që nuk është e sigurt në këtë gjykatë është siguria, pasi si fisi Cali dhe Prenga, vijojnë t’i kenë të tensionuara marrëdhëniet.
 
Mbërritja e dosjes në Gjykatën e Laçit dhe përballja e palëve në gjyq, mund të sjellë lindjen e konflikteve të tjera, mes dy fiseve.
 
Ndërkohë burime pranë Prokurorisë së Laçit thanë se nëse situata do jetë e agravuar, ata do kërkojnë që procesi gjyqësor ndaj ish-deputetit Prenga të zhvillohet në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com