Ish-drejtuesi i Policisë, Mit'hat Havari, ka shkruar sëfundmi librin e titulluar ‘Dosja 4171’.

Në emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, Havari zbuloi detaje nga ajo që ka shkruar në librin e tij, i cili i referohet kohës që ai pretendon se është përndjekur nga Sigurimi i Shtetit i regjimit komunist.

Havari tregoi se gjatë viteve të regjimit komunist, shpesh herë ngrinte zërin dhe bënte ‘propagandë’ kundër Partisë së Punës. Kjo pasi sipas tij, ishte rritur me vështirësi dhe sakrifica të mëdha që i vogël.

Ai tha gjithashtu se ra në sytë e shërbimeve sekrete të kohës, pasi foli me një person (që ishte goditur nga regjimi komunist), për të cilin beson se e spiunoi.

Havari zbuloi gjithashtu se me dosjen 4171 u njoh për herë të parë në Elbasan, pasi PD kishte ardhur në pushtet në vitin 1992. Ish-kreu i Policisë u ndal edhe te sulmet ndaj imazhit të tij gjatë këtyre 35 viteve, teksa tha se ‘nëse qëndron në tabelë, duhet të presësh plumba’.

“Brenda librit unë kam shkruar për përndjekjen që më kanë bërë strukturat e sigurimit të shtetit të epokës së diktaturës komuniste prej 9 vitesh. Në prill të vitit 1982 është hapur dosja ime si person që agjitoja kundër pushtetit komunist dhe është mbyllur në shkurt të vitit 1991. Nisi me agjitacion-propagandën kundër pushtetit komunist... E kam filluar herët. Përshembull një bashkëpunëtor sigurimi që është në dosjen time me pseudonimin ‘Furra’, shkruante që ‘Mithat Havari fliste kundër pushtetit komunist që në kohën që ishim ushtar, në vitin 1969 në Delvinë, kur ishim ushtar’. Më kishte njohur mirë.

Nuk e doja regjimin komunist, na kishin munguar gjëra elementare që fëmijë, rritur me shumë sakrifica dhe vështirësi të kohës. Mbase të tjerëve nuk u bënte përshtypje. Unë vazhdova agjitacion-propagandën pa ndërprerje. Erdhi momenti që unë dikujt i fola, ka qenë një person që ka qenë në dosje. Dhe unë shpresoja se ky person që ishte goditur nga regjimi, unë mund të flisja me të.

Kur unë isha në Elbasan kryetar i degës së rendit publik pas marrjes së pushtetit nga demokratët, më sollën një listë aty që unë e kam botuar në fund të faqes, të dosjes dhe aty gjeta që dosjet e sigurimit të shtetit që dispononte dega e brendshme e Elbasanit transferohej te Shërbimi Informativ. Aty pashë për herë të parë numrin 4171, që do materializohej kur unë mora dosjen në vitin 2009. Në këto 35 vite është abuzuar shumë me këto shpifjet dhe këto... Sepse po dole në tabelë zonjushë, plumba pret. Duhet të rrish poshtë tabelës. Unë kam preferuar gjithnjë të qëndrojë në tabelë”, tha mes të tjerash Havari.