TIRANË- Dosja ndaj Lulzim Bashës për falsifikim formulari në lidhje me lobimin rus në Gjykatën e Apelit i është caktuar Fatmira Hajdarit. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta raporton se shorti ka zgjedhur pikërisht Fatmira Hajdari, ish bashkëshorten e Azem Hajdarit, për të gjykuar nëse vendimi i marrë nga gjyqtari Lazër Sallaku që shpalli kryedemokratin Basha të pafajshëm nga akuzat, është i drejtë ose jo.  

Ankimi në Gjykatën e Apelit Tiranë është depozituar më 7 shkurt nga prokurori Kolë Hysenaj i cili kërkon që Basha të gjykohet për falsifikimin e deklaratave të shpenzimeve për fushatën elektrorale 2017.

Gjykata e Tiranës në gjyqin paraprak që u zhvillua më 13 janar vendosi pushimin e çështjes së lobimit për kryetarin e PD-së Lulzim Basha dhe dy zyrtarët e tjerë të PD-së, ish-sekretarin e përgjithshëm Arben Ristani dhe financierin e partisë Ilir Dervishi. Kështu dy vite hetime nga prokuroria e Tiranës, gjyqtari Lazer Sallaku i cilësoi të pavlefshme duke rrëzuar akuzën e ngritur nga organi i akuzës për falsifikim kundër Lulzim Bashës dhe dy zyrtarëve të tjerë të PD-së, pasi sipas tij nuk faktohet një gjë e tillë. Me një vendim të tillë, prokuroria nuk ishte dakord vendosi ta apelonte.  

Fatmira Hajdari është ish- bashkëshortja e deputetit demokrat Azem Hajdari dhe mamaja e Rudina Hajdarit, ish- deputeja e PD-së që zgjodhi të mos i "bindej" Bashës për djegien e mandateve.