Dosja e plotë/ Mashtroi qytetarët,
burg për drejtorin e spitalit gjerman

“Arrest me burg” është vendimi që Gjykata e Apelit ka dhënë për Lefter Sulkajn, administratorin e Spitalit Gjerman, i cili akuzohet se ka kryer mashtrim në vlerën 2 milionë euro. Me 27 korrik gjykata e Shkallës së Parë ka dhënë masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërsa prokuroria kishte apeluar vendimin.

Ndërkohë mësohet se Lefter Sulkaj ka thyer masën e sigurisë dhe ai është ndaluar nga policia më datën 6 gusht. Ai ka dalë sërish përpara gjykatës më datë 17 gusht, ku ndaj tij është vendosur masa e sigurisë “arrest me burg”. Sulkaj akuzohet se ka mashtruar shumë qytetarë si dhe të katër bankave të nivelit të dytë në Shqipëri.

Mashtrimi i parë
Nëpërmjet një kallëzimi të bërë në datën 9 maj 2017, në Prokurorinë e Tiranës ndaj biznesmenit Lefter Sulkaj, kallëzuesi ka rënë pre e mashtrimit nga Lefter Sulkaj dhe një bankë e Nivelit të Dytë në Tiranë.

Sipas kallëzimit të referuar në prokurori, 4 punonjëset e bankës së Nivelit të Dytë, me incialet A.B, V.G, V.D dhe E.K i kanë kërkuar një shtetasi që të depozitojë në llogarinë e biznesmenit Lefter Sulkaj 1 milion euro.

E gjithë skema ka ndodhur në datë 09.12.2016, ku punonjësja e bankës me incialet A.B, e ka kontaktuar në telefon shtetasin që të paraqitej me urgjencë pranë degës së tyre, për të kryer një transfertë për aksionerin e Spitalit Gjerman, Lefter Sulkajn. Me të mbërritur në bankë, shtetasi (kallëzues kundër Lefter Sulkaj) është njohur me kërkesën e punonjësve të bankës së Nivelit të Dytë, të cilat i kanë dalë garant për të kryer një transfertë parash për Spitalin Gjerman, që është në pronësi të vëllezërve Sulkaj.

Sipas kësaj marrëveshje, ku garant ishte edhe banka, njëri nga aksionerët e spitalit, Lefter Sulkaj do t’i kthente paratë brenda 2 ditëve. Për tu siguruar, shtetasi i cili ishte i shoqëruar edhe nga një person tjetër (në cilësinë e dëshmitarit), ka takuar një tjetër punonjëse të bankës me inicialet V.G.

Kjo e fundit i ka kërkuar të njëjtën gjë, që të transferojë një shumë parash për Spitalin Gjerman për dy ditë, dhe pastaj do t’i rikthehen. “Duke qënë në llogaritë e tua, na ndihmo të plotësojmë shumën e depozituar në favor të Spitalit Gjerman”–i është drejtuar punonjësja e bankës V.G, duke i dalë garant se Lefter Sulkaj bënte transferta të mëdha parash dhe se nuk i kishte problem t’i rikthente.

Punonjësja e bankës V.G i ka kërkuar kallzuesit, që të njihej edhe me aksionerin e Spitalit Gjerman, Lefter Sulkaj. “Na i jep këto lekë, sepse sot e kemi të pamundur t’i gjejmë, por ditën e hënë nuk e kemi problem për 2-3 fishin e tyre.” –i ka thënë Sulkaj, kallzuesit. Pas kësaj, shtetasi ka pranuar të bëjë këtë transfertë por është shprehur që nuk ka 1 milion euro në gjendje, por vetëm 300 mijë euro dhe 41.000.000 lek. Derdhja e kësaj shume në llogari të Spitalit Gjerman është bërë me një mandat me shënimin “Dhënie huaje deri më datë 12.12.2016.”.

E gjithë ngjarja ka qënë e filmuar nga kamerat e sigurisë, por skandali thellohet edhe më tej pasi në hetimet e organit të akuzës, pamjet filmike janë fshirë vetëm në këtë ditë (09.12.2016). Sipas marrëveshjes të bërë, kallëzuesi është paraqitur pas dy ditësh në bankë për të kontrolluar llogarinë, por ende nuk ishin kthyer nga Lefter Sulkaj.

Dy punonjëset e bankës me inicialet A.B dhe V.G, që dolën garant për këtë derdhje parash, i kanë shprehur kallzuesit se Spitali Gjerman po pret aprovimin e një kredie tek banka “Intesa San Paolo”. Sipas hetimeve të prokurorisë, ky ishte një tjetër mashtrim, pasi Lefter Sulkaj bashkë me vëllezërit e tij rezultonin debitor me shuma të mëdha kredie të pashlyer pranë kësaj banke. Në datë 14.12.2016 dhe 15.12.2016, Lefter Sulkaj i ka kthyer kallëzuesit vetëm 30 mijë euro dhe 11.000.000 lekë, ndërsa i detyrohej edhe 270 mijë euro si dhe 30.000.000 lek.

Kallëzuesi ka shpjeguar se në vijim ka kontaktuar disa herë Lefter Sulkajn dhe vëllain e tij Përparim Sulkaj por ende nuk është bërë kthimi i shumës së mbetur. I gjendur përballë këtij fakti, shtetasi ka depozituar një kallzim penal ndaj aksionerit të Spitalit Gjerman, Lefter Sulkaj dhe punonjësve të bankës së Nivelit të Dytë, pasi në mirëbesim i kanë zhvatur atij një shumë të madhe parash për të mos ia kthyer më. Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet duke marrë në pyetje punonjëset e bankës, të cilat kanë mohuar se kanë ndikuar tek kallzuesi për të derdhur shumën në llogarinë e Spitalit Gjerman.

Gjithashtu në pyetje është marrë edhe Lefter Sulkaj, i cili fundos pretendimin e punonjësve të bankës, pasi sipas tij, kallëzuesin e ka njohur pikërisht nga këto punonjëse banke. Sulkaj shprehet se e njeh detyrimin ndaj kallëzuesit por për momentin nuk ka mundësi financiare që t’ia shlyejë.

Mashtrimit me godinën e Spitalit Gjerman
Një tjetër kallzim ka mbërritur në Prokurorinë e Tiranës, më datë 28 prill 2017,ku një shtetas ka akuzuar për mashtrim të tre vëllezërit Sulkaj, Lefter, Përparim dhe Ilmi. Sipas kallëzuesit, të tre këta biznesmen, kanë përvetësuar në mënyrë të paligjshme dhe nëpërmjet mashtrimit truallin ku është ndërtuar Spitali Gjerman, i pozicionuar pranë Kishës Ortodokse, tek Rruga e Kavajës.

E gjithë ngjarja ka ndodhur në vitet 2003-2004, ku shtetasi Lefter Sulkaj ka marrë përsipër ndërtimin e një godine 9 + 2 kate (aty ku është sot Spitali Gjerman), mbi 709 m2 truall, në pronësi të kallzuesit.

Sipas kontratës së sipërmarrjes, shtetasi do të merrete një fitim prej 1.085.000 milion dollarë nga shitja e apartamenteve dhe njësive tregtare.

Por vëllezërit Sulkaj, i kanë kërkuar kallzuesit që t’i përdornin për bizneset e tyre dhe t’ia rikthenin pak më vonë. Pas kalimit të periudhe një kohe prej disa vitesh, kallzuesi iu ka kërkuar vëllezërve Lefter, Përparim dhe Ilmi Sulkaj për t’ia kthenin shumën e parave, por biznesmenët nuk ia kanë dhënë me pretendimin se ishin në pamundësi financiare për ta likujduar.

Gjatë hetimeve të Prokurorisë së Tiranës, vëllezërit Sulkaj kanë mashtruar për pamundësi financiare, pasi ndër vite ata kanë kryer investime me shuma, më të mëdha sesa detyrimi që i kishin kallzuesit 1.085.000 milion dollarë.
 
Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Durrës/ E ngarkuara e SHBA-së takim me ministrin Vengu dhe kundëradmiralin Agastra, viziton Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare

Durrës/ E ngarkuara e SHBA-së takim me ministrin Vengu dhe kundëradmiralin Agastra, viziton Qendrën Ndërinstitucionale Operacionale Detare