Dosja e Vetingut, ja 17 njollat në pasurinë e gjyqtarit Artan Lazaj

Komisioni Pavarur i Kualifikimit, organi bazë i Vetingut, ka arsyetuar vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Artan Lazaj. Këtij të fundit i është refuzuar edhe viza nga Ambasada Amerikane, duke i ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Trupa gjykuese e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komici ka arritur në konkluzionin se gjyqtari Lazaj ka bërë deklarim të pamjaftueshëm dhe nuk ka dhënë shpjegime bindëse për justifikimin e pasurisë, çka për rrjedhojë nuk mund të shërbejë në sistemin e drejtësisë.

Nga hetimi i thelluar, KPK ka konstatuar 17 probleme serioze në pasurinë e gjyqtarit Lazaj. Gjetjet konsistojnë në mosdeklarimin e shpenzimeve në shumat 10 mijë euro, 4.900.000 lekë si dhe në mosdeklarimin e gjendjes cash prej 150 mijë eurosh. Nga ana tjetër, sipas komisionit të Vetingut, gjyqtari ka bërë deklarim të rremë të gjendjes cash prej 60 mijë eurosh në vitin 2008 si dhe ka bërë deklarim të pasaktë për vlerën e blerjes së një apartamenti.

Gjithashtu, KPK ka konstatuar se gjyqtari Lazaj ka dhënë para Komisionit përgjigje të pavërteta, të ndryshme dhe kontradiktore midis tyre, që nuk përkojnë me realitetin e fakteve të vërtetuara nga dokumentet rreth pasurisë së tij. Me zbardhjen e vendimit, Lazaj mund të kërkojë konfirmimin në detyrë tek Kolegji i Posaçëm i Apelimit, organi fundor i Vetingut, i cili vendos në mënyrë përfundimtare fatin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nëse duhet të konfirmohen apo shkarkohen nga detyra. Ndërkaq, gjatë seancës dëgjimore, gjyqtari Lazaj ka bërë thirrje që mos t’i ndërpritet ëndrra.

“Burimi im i vetëm është rroga. Nuk jam si të tjerët me hua tek vjehrri e vjehrra apo xhaxhai. Kam dhënë 4 dënime me vdekje në Shqipëri. Shumë e shumë me burg përjetë. Jam kërcënuar me vdekje. Nëse ka qëllim që gjyqtarin Laze ta hedhim si pre në botën e krimit, atëherë nuk kam çfarë pres. Disa nga këta të dënuar ende policia s’i ka kapur policia. Shtyjeni këtë seancë, merrni të dhëna dhe me vlerësoni. Kam besim se do më rivlerësoni dhe njëherë. Do të jepni një vendim pozitiv rikonfirmimin tim në detyrë. Mos ndërprisni ëndrrën e të dhënit drejtësi gjyqtarit Artan Laze”, ka pohuar ai. 

Gjyqtari Artan Lazaj

Konstatimet e KPK mbi ligjshmërinë e pasurisë së gjyqtarit Laze

1.    Nuk është deklaruar shpenzimi prej 4.900.000 lekësh, i kryer në vitin 2009 dhe as ai prej 50.000 eurosh i bërë në vitin 2010 – të dy në favor të “***” sh.p.k.

2.    Nuk kishte burime financiare të ligjshme në datën 18 gusht 2010 për pagesën e 50.000 eurove, pasi të ardhurat nga shitja e shtëpisë, e kryer më 19 nëntor 2010, ishin të disponueshme tre muaj më vonë.

3.    Mungesë deklarimi të gjendjes cash prej 50.000 eurosh dhe të burimit të tyre. Kjo sasi likuiditeti duhej të ishte deklaruar gjendje cash e mbartur në datën 31.12.2009, pra në deklaratën e këtij viti, me specifikimin e burimit të kësaj shume, duke u nisur nga fakti që në datën e kryerjes së pagesës në fjalë nuk disponohej ende shuma e përfituar nga shitja e apartamentit në Rrugën ***, Tiranë.

4.    Është bërë deklaratë e rreme në vitin 2008, kur në faqen nr. 3 është deklaruar një gjendje cash 60.000 euro – si pjesë e ngelur nga shuma prej 90.000 eurosh, e përfituar nga shitja e apartamentit (pasi: ishin paguar taksat; ishte shlyer kredia në “Alpha Bank”; ishte blerë një autoveturë).

5.    Nuk janë deklaruar pagesat (që pretendohet) që janë kryer në favor të “***” sh.p.k., përgjatë periudhës 2010 - 2014, – sipas deklaratës së kësaj të fundit, të datës 21.03.2018, – të detyrimit prej 50.543 eurosh (të ngelur nga çmimi i blerjes së apartamentit: 129.000 – 28.457 – 50.000 = 50.543).

6.    Ka mospërputhje midis deklaratës së “***” sh.p.k., të datës 21.03.2018, të cilën subjekti i rivlerësimit e konfirmon, duke iu referuar asaj dhe duke mbështetur në të disa argumentime të tij, dhe veprimeve të kryera, si dhe deklarimeve periodike në të cilat nuk është specifikuar mënyra/vlera/viti i pagesave (e kësteve të pretenduara).

7.    Ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm në lidhje me çmimin e blerjes së apartamentit në Rrugën ***, Tiranë, të deklaruar të ndryshëm nga sa rezulton në kontratën e datës 25.08.2004.

8.    Ka paraqitur deklarime të pasakta dhe me përmbajtje të ndryshme nga të dhënat e kontratave të nënshkruara prej tij.

9.    Ka paraqitur deklarim në Deklaratën-Vetting të pamjaftueshëm dhe në mospërputhje me deklaratat periodike, si dhe me deklarimet e dhëna prej tij në përgjigje të pyetësorëve të Komisionit.

10.    Ka paraqitur deklarata periodike të pamjaftueshme dhe të pasakta, pasi rezultojnë në mospërputhje midis tyre, si dhe me përmbajtjen e kontratave të premtim-shitjes nga ana e tij (2008 dhe 2010) të apartamentit të sipërcituar, në lidhje me çmimin e aplikuar, me pjesën, mënyrën dhe momentin e pagesës së tij;

11.    Ka dhënë para Komisionit përgjigje të pavërteta, të ndryshme dhe kontradiktore midis tyre, që nuk përkojnë me realitetin e fakteve të vërtetuara nga dokumentet.

12.    Ka nënshkruar një kontratë të dytë premtim-shitjeje, fiktive, për të njëjtin send, vetëm për të favorizuar blerësit që të shmangnin detyrimet e kamatëvonesës që lindte, pikërisht nga vonesa me të cilën mund të ishte bërë regjistrimi i kontratës së parë.

13.    Është kryer fshehje e pasurisë, në masën e pjesës takuese, si dhe e deklarimeve periodike të pamjaftueshme në vitet 2003 - 2013, dhe në Deklaratën- Vetting.

14.    Rezulton një mospërputhje midis deklaratave dhe të dhënave konkrete të kontratave, si dhe dy deklarime të rreme, si në Deklaratën-Vetting, po ashtu edhe në deklaratën e vitit 2003.

15.    Janë bërë deklarata të pamjaftueshme në deklarimet periodike të viteve 2015, 2016 dhe 2017, si dhe janë dhënë përgjigje të pavërteta dhe të paplota ndaj këtij Komisioni.

16.    Në periudhën 2003-2016 rezulton se të ardhurat e ligjshme të realizuara nga subjekti i rivlerësimit nuk kanë qenë të mjaftueshme për të përballuar blerjet e pasurive të paluajtshme, gjendjen e likuiditeteve në bankë dhe cash në shtëpi, si dhe për të kryer shpenzimet jetike dhe ato të deklaruara.

17.    Mungesë e theksuar gjendje të ardhurash nga burime financiare të ligjshme, në vitet 2004; 2005; 2006; 2009; 2010; 2011; 2012; 2014; 2015; 2016, që të mund të ishin të mjaftueshme për të përballuar të gjitha shpenzimet e kryera nga familja e subjektit të rivlerësimit në periudhat respektive, si dhe për të realizuar kursimet e deklaruara.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Liku: 04/09/2018 10:12

    Ky te rruante mire.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Invalidët pa kujdestar zhytin familjet në varfëri! Familja e Asqeri Durajt nga Memaliaj jeton me 12 mijë lekë në muaj! Gruaja e të paralizuarit: Na e hoqën kempin

Invalidët pa kujdestar zhytin familjet në varfëri! Familja e Asqeri Durajt nga Memaliaj jeton me 12 mijë lekë në muaj! Gruaja e të paralizuarit: Na e hoqën kempin