Pas vendimi të Gjykatës së Lartë e cila shpalli mokompetencë për të çelur procesin për dosjen e njohur si Gërdeci, që ka qenë e pushuar vetëm për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediun, GJKKO ka përcaktuar datën 27 korrik për të shqyrtuar ose jo kërkesën e SPAK për rihapje. Gazetari i Report Tv Arsen Rusta raporton se GJKKO caktoi gjyqtarin Erjon Çela, për tu shprehur për kërkesën e SPAK.
Edhe në GJKKO, kërkesa për Gërdecin do të bëhet në dhomë këshillimi pa praninë e Mediut ose avokatit të tij dhe pa praninë e SPAK. Kërkesa në Gjykatën e Lartë për rihapjen e çështjes kundër ish-ministrit të Mbrojtjes në atë periudhë Fatmir Mediut u bë nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Sipas SPAK, pas depozitimit të kërkesës së familjes Durdaj, të cilët humbën djalin 7-vjeçar, me objekt ndjekjen penale të shtetasit Fatmir Mediu, ish Ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë, është arritur në përfundimin se ekzistojnë të gjitha shkaqet ligjore që të rihapet procesi gjyqësor për Mediun.
SPAK evidentoi në kërkesë faktin se në vitin 2009 Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi pushimin e procedimit ndaj Mediut për shkak se ndjekja penale ndaj tij nuk mundet që të vazhdonte sepse me rizgjedhjen në Kuvend kishte imunitet parlamentar. Por me ndryshimet kushtetuese të vitit 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale ndaj tij, për hetimin apo për gjykimin e tij.
Për këtë, Prokuroria e Posaçme vlerësoi se ndjekja penale ndaj Fatmir Mediu nuk ka asnjë pengesë që të vazhdojë.
Feruzan dhe Zamira Durdaj, dy prindërit e Edison Durdaj, 7-vjeçarit të vrarë në 15 mars 2008 nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec, kanë kërkuar marrjen të pandehur të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe rihapjen e gjykimit. Vetë mamaja e 7-vjeçarit, Zamira, e bëri një gjë të ditur për gazetarin e Report Tv, Arsen Rusta.
Nga ai shpërthim i fuqishëm i 15 marsit të 2008 rreth orës 12:05 humbën jetën 26 persona, e ndërsa u plagosën mbi 300 të tjerë. Kjo ngjarje përfundoi dhe në dyert e gjykatave shqiptare, ende nuk ka asnjë person pas hekurave.