I kthyer në atdhe nga burgu i Nishit, ku kishte përjetuar tortura e dhunë prej serbëve, Skënder Skënderaj do të kuptonte se edhe në vendin e tij sundonte po ashtu dhuna. Persekutimi do të bëhej bashkëudhëtari i tij i ri në jetë. Nën peshën e tij Skënderi do të krijonte familjen e tij të re me Violetën, vajzën e një kundërshtari të rreptë të regjimit si Ago Agaj. Do të lindnin fëmijët e tyre dhe bashkë me ta do të përjetonin për më shumë se çerek shekulli survejimin e pandërprerë, përndjekjen, presionet dhe padrejtësitë, qoftë edhe ndaj fëmijëve që në bankat e fillores.
Dhimbja për Kosovën, patriotizmi dhe ndjenjat që lidheshin me të ishin sakrilegj i madh në Shqipërinë komuniste dhe Skënderi, Violeta dhe fëmijët e tyre të brumosur me këtë filozofi do t’ju duhej të vuanin një çmim të lartë që do të zgjaste me dekada për ta.
Mallëngjim Kosov Skënderaj, Sovi, siç e thërrasin shkurt, dëshmon në këtë pjesë të dytë të rrëfimit të tij kalvarin e përndjekjeve të familjes, përndjekje që zgjati deri në fund të diktaturës. Këtë, siç thotë ai, e dëshmon edhe dosja voluminoze e Sigurimit të Shtetit, e mbushur me përgjimet e përditshme që u bëheshin në shtëpi dhe në çdo ambient ku ata ishin.
“Në 1966-n na internojnë në Llakatund si familje. Në një dhomë të vogël atje, poshtë një palë shkallëve të një shtëpie me dru. Atëherë bëheshin dëbim-internimet. Në 1970-n pastaj, që unë isha 7 vjeç, na rikthyen dhe na çuan në disa shtëpi tonat afër te Sheshi i Flamurit. Dhe ato i prishën pastaj, sepse më 1972 u bë Sheshi i Flamurit që mori ndryshim; u prishën disa shtëpi atje dhe u bë pjesa e Monumentit të Pavarësisë dhe neve na çojnë te kazermat e ushtrisë”, tha Mallëngjim Kosov Skënderaj.
Unë isha pa mbushur 9 vjeç. Klasën e parë e mbarova te shkolla “4 Heronjtë” dhe semestrin e të dytës aty. Pastaj, duke qenë se shkuam te kazermat e ushtrisë, disa kazerma italiane të cilat ishin bërë më 1933-1936 dhe që kishin qenë për stalla kuajsh, na vendosën atje në një dhomë e kuzhinë të vogël. Pjesë që çuditërisht e lidh edhe me dosjen ku thuhet se gjoja kishte nevojë për shtëpi dhe ta çojmë atje, por para se ta çojmë ta krehim shtëpinë dhe të vendosim çipin.
Dhe çuditërisht unë, pa mbushur 9 vjeç, jam survejuar në bisedat e mia si fëmijë, sepse survejonin babanë, nuk diskutohet.
Filluam jetën atje, një jetë e vështirë dhe herë pas here na vinte një makinë riportabël që mbushej me zhavorr e rërë për ndërtimet. Kthehej ajo pjesë që binte poshtë rëra. Dhe vinte ndonjë ditë të diel dhe thoshin: “Çohuni se ka ardhur vendimi për t’ju internuar”. Mblidhnim plaçkat. Si fëmijë, me sinqeritet, as e kuptoja fare atë pjesë.
Ngriheshin, bëheshin gati, i çonim lart dhe ne si fëmijë rrinim lart. Na lëviznin deri në njëfarë mase dhe pastaj na kthenin: “Jo, u kthye urdhri prapë”.
Siç shpjegon Sovi, ky ishte një lloj presioni që u bëhej për t’i mbajtur mbërthyer pas frikës dhe presione të tilla ishin të shpeshta. Ndër to ai kujton mirë një ditë të diel…
“Ishte ditë e diel dhe im atë kishte një radio të vogël gjermane. Sa herë që shkoja për të fjetur, puthja mamanë dhe pastaj babanë. Mirëpo kur puthja babanë më dridheshin buzët. Thosha: “Ç’ne, te mami nuk më dridhen buzët?” tha Mallëngjim Kosov Skënderaj.
Më pas, kur dhoma u mbush plot me policë dhe erdhën për ta arrestuar tim atë sepse dëgjonte “Zërin e Amerikës” dhe gjuhë të huaja, një fëmijë i vogël sheh gjithë atë dhe normalisht në moment nuk kupton, por gradualisht lë shenja.
Im atë nuk e prishi terezinë fare. Shtrirë në krevat siç ishte.
“Hë, po dëgjon”, i thonë.
“Hape radion në qoftë se”, u thotë ai.
E hapën radion.
“Radio është e prishur”, u thotë.
Në të dy potenciometrat, si ai i zërit edhe ai i kanaleve, vetëm zhurmë.
“Më fal”, dhe ikën të gjithë.
Siç shton më tej Sovi, ata ishin të sigurt se Skënderi dëgjonte kanale të ndaluara në radio, sepse në shtëpinë e tij kishte përgjues dhe e kishin regjistruar shumë herë.
“Im atë vërtet dëgjonte. Ngrihej shumë shpejt në mëngjes dhe bënte lëvizje në korridor. Flinte te një kuzhinë me minder dhe dëgjonte që në mëngjes “Zërin e Amerikës”, Mallëngjim Kosov Skënderaj.
Kishte futur një tel bakri si antenë që të kapte valët dhe e kapte me dorë. Në antenë kalonin rreth 36 volt tension dhe kjo bënte që mua, kur e puthja natën, të më dridheshin buzët sepse më kalonte rryma.
Pastaj e kuptova. Të dy potenciometrat nga pas babai i kishte prerë dhe i lëvizte me dorë për të gjetur stacionet. Kur zgjohej ose flinte i prishte përsëri që të mos bënte zhurmën “viu-viu”.
Kjo ishte arsyeja pse nuk arritën dot ta arrestonin, edhe pse çipin e kishin dhe e dëgjonin.
Nga fëmijëria e tij Sovi ndan edhe një fenomen që e ka çuditur shumë dhe njëkohësisht e ka lënduar kur e kuptoi domethënien. Prindërit e quanin “punë e detyruar”.
“Një ditë në shkollë na pyetën: nga çfarë familje vjen dhe çfarë pune bëjnë prindërit. I thashë babait: çfarë pune bën?”, tha Mallëngjim Kosov Skënderaj.
Më tha: “Punë të detyruar”.
I thashë: çfarë pune është kjo?
“Kaq thuaj”, më tha, “punë e detyruar”.
“Po mami?”
“Edhe mami punë të detyruar bën”.
Më vonë kuptova se çfarë ishte. Babai ishte filozof dhe dinte tre gjuhë të huaja, por punonte në ndërmarrje si bojaxhi ose dezinfektues në pularinë e Vlorës.
Ndërkohë mamaja, Violeta, kishte mësuar rrobaqepësinë nga i ati Ago Agaj gjatë kohës kur ai studionte në Vjenë dhe bënte tregti në Itali. Ajo mësoi vetë duke parë revistat e modës që sillnin nga Italia.
Por një ditë e pashë në ndërtim duke bërë llaç. Çuditesha: “Ç’ne mamaja ime në llaç?” sepse e dija që ishte rrobaqepëse. Po kështu edhe babai punonte hamall. Atëherë kuptova fjalën e tij: punë e detyruar.
Sovi kujton edhe peripecitë në shkollë.
Kur mbusha 9 vjeç, ishte momenti për t’u bërë pionier. Të gjithë shokëve ua vendosën shallin, por mua jo. Shkova në shtëpi dhe i thashë babait. Ai më tha: “E kanë porositur edhe shallin tënd, por nuk kishte në dyqan”.
Në klasën e tetë përsëri nuk ma dhanë teserën e rinisë.
Shokët e klasës u revoltuan dhe u qethëm tullë të gjithë në shenjë solidariteti. Drejtori u trondit: “Si ka mundësi që 14-vjeçarët bëjnë këtë për një shok?”
Megjithatë më rrahën dy herë: një herë pse nuk shkova në ndeshje dhe një herë pse humbëm.
Më pas shkuam në finale dhe fituam. Unë luaja mbrojtës i lirë dhe bëra një ndërhyrje shumë të fortë. Arbitri më dha dorën: “Bravo të qoftë”, dhe pastaj më dha karton të verdhë sepse ishte faull.
Më pas nuk donin të më merrnin në Elbasan për finalen.
Edhe në shkollë kishte përplasje për një vizatim që bëra për 28 Nëntorin: flamurin me një tambur. Mësuesja e vendosi në tabelë, por disa mësues kundërshtuan sepse “familja e tij…”
Megjithatë Sovi i është mirënjohës mësuesve që e mbështetën.
Në provimin e lirimit në matematikë ai zbuloi një gabim në ushtrim. Ministria u njoftua dhe shkolla mori medalje, por merita nuk iu dha personalisht atij.
Pas kësaj ai u largua edhe nga ekipi i futbollit për shkak të biografisë.
Më vonë u përfshi në ansamblin “Labëria” si valltar dhe më pas si solist për rreth 10 vjet.
Pas vitit 1990 u angazhua në lëvizjet demokratike në Vlorë. Më 6 janar 1991 Partia Demokratike u prit me entuziazëm në qytet.
Më vonë ai rifilloi studimet që i ishin mohuar gjatë diktaturës: studioi për drejtësi dhe financë-bankë, punoi si jurist dhe drejtoi ekipin e Flamurtarit.
Sipas tij, rruga e shpëtimit është dija.
“Demokracinë e fillova aty ku më ishte ndërprerë: te shkolla. Shumë më thoshin pse nuk ike jashtë, por unë fillova nga zero, me borxhe dhe vështirësi”, tha Mallëngjim Kosov Skënderaj.
Mamaja vdiq vetëm 50 vjeçe dhe babai jetoi me vështirësi ekonomike.
Megjithatë realizova dijen, sepse gjithmonë kam thënë se njeriu çlirohet nëpërmjet punës dhe dijes.
Komente













A mendon me të vërtet zotnia që i ka kaluar miu nën hundë ish sigurimit?Unë mendoj se JO dhe se ato që thuhen që ata dinin dhe sa pjata e lugë kishim nëpër shtëpia. Më vjenë mirë ti shokë dhe një herë mendimet.Tregojnë për një mi të kapur nga macia me bisht të gjatë 10m i fhonë tregimtarit epa mundur e ai filloi dhe blri të vogël dhe kur arriti tenjë bërxhik i thanë dëgjuesit prapë jo por i revoltuar ai tha:Unë pa bishtë nuk do ta lë.
Përgjigju