Një fis martir në Plan të Dukagjinit, ka shkruar me gjakun e tyre për breza me rradhë historinë e atyre trojeve. Historia e tyre është sa epike aq edhe tragjike. Sa herë që binte këmbana e kishës për të lajmëruar luftë ata ishin në krye të betejave, kundër gjithë pushtuesve që ju avitën trojeve amtare.

I pari i tyre Nikë Lucaj, përmendet në të gjithë rrëfimet e burrave të këtij fisi. Ata tregojnë se për shkak të qëndresës së paepur fisi i tyre do ti dhuronte atdheut jetën e 5 burrave, tre të vrarë në luftë me pushtuesit  dhe dy të vrarë nga komunizmi.

Nji prej pasardhësve të këtij fisi, Nosh Kolë Rrushaj, citon të atin Kolë Nikën, i vuajtur në burgjet e komunizmit, i cili i kishte thënë: “I kam numëruar vitet e burgut komunsit që kanë bërë burrat e fisit tonë. Janë plot 53 vite burg që kanë rënduar mbi ta prej vitit 1945, e derisa regjimi u shemb”.

E tillë është historia e fisit që rrodhi nga Nikë Lucajt të Planit të Dukagjinit, dhe u masakrua nga komunizmi për gjysëm shekulli.

Fisi i Prel Nikës

Pesë martirë dhe 53 vite burg komunist

Studiuesi dhe gazetari prel Milani, e njeh mirë historinë e fisit të Prel Nikës, sidomos të atyre viteve të lavdishme, kur burrat e këtij fisi luftonin në çdo luftë kundër pushtuesve që mësynin në ato troje.

Prel Milani: Wshtë një derë e madhe parike e malësisë së Dukagjinit. Me origjinë janë nga fisi i madh i Mërturit, që është një nga 12 fiset e zanafillës së maleve shqiptare. Nga Mërturi janë shpërngulur dhe janë vendosur në krahinën historike të Planit. edhe si nëndegë e fisit të Mërturit, Thani janë mërturas edhe këta janë kryeshtëpia e këtij fisi që kanë një traditë qoftë familjare, qoftë edhe fisnore të përmendur dhe të se, në historinë e maleve tona dhe të trevës së Dukagjinit, për disa breza me radhë.

Gjergj Prela rrjedh prej degës së Nok Prelës, njërit prej dy djemve të  Prel Nikës dhe ai e tregon  historinë e fisit të tij që prej katër shekujve më parë, kur ata e lanë mërturin dhe u ngulën në Plan të Dukagjinit. 

Gjergj Prela: Ne si fis kemi ardhur prej Mërturit, diku 400 vite më parë ose më saktë 13 breza. Kemi zënë, aty ku jemi edhe sot, kemi jetuar nga ajo periudhë deri tani. Kemi qenë një shtëpi që meshkujt kanë marrë pjesë nëpër luftëra, kudo ku ka qenë një vatër lufte në veri të Shqipërisë, ka dalë kushtrimi, këta kanë marrë pjesë.

Prel Milani: Kanë qenë familje e madhe, punëtore, me shumë njerëz, me shumë miqësi. Miqësinë e kanë pasur me dyer të mëdha dhe familje të fisme nga të gjitha krahinat edhe kjo ka qenë atëherë shkaku që ka vazhduar aq gjatë filli i trashëgimisë së tyre të shquar qoftë në jetën fisnore, qoftë në ngjarjet historike, qoftë politike të viteve të ndryshme, që nga pavarësia e Shqipërisë edhe në vijim, deri në ditët tona.

Gjergj Prela: Nik Lucaj, i pari ynë, ka mbetur në një luftë në Shkup me një ushtri turke. Ai ka lënë Prel Nikën. Prel Nika u bë i njohur shpejt d.m.th., pati gjë të madhe e pasuri, e u bë fort i njohur, si shtëpia e Prel Nik Lucës. Më kanë thënë pleqtë dikur, Prel Nika ka lënë një bukë gjithmonë në penxhere të kullës, se e ka pasur edhe shtëpinë në rrugë, kush e ka parë d.m.th. është kthyer e ka ngrënë bukë, ka thënë: paska bukë kjo shtëpi. Edhe mbeti si fjalë: ku ke fjetur? – Te Prel Nika. – Ku ke pushuar? – Te Prel Nik Luca. – Ku ke ngrënë bukë? – Te Prel Nik Luca. U bë e njohur në tërë veriun e Shqipërisë deri në Malësinë e Gjakovës: si shtëpia e Prel Nik Lucës. 

Më 1878 Prel Nika merr pjesë në Lidhjen e Prizrenit si përfaqësues i zonës. Dhe fjalët e tij janë një diskutim patriotik, atdhetar. Prel Nika pati 2 djem, Ndue Prelën e Nok Prelën. Edhe këta u bënë bujarë si i ati, pasuri, gjë e mall kishin boll. Në rrugë ishte, hante bukë gjithkush, si i thonë asaj fjalës: i verbër e i shkretë. Edhe këta luftuan gjithkund ku kishte një vatër zjarri, lufte, këta ishin të gatshëm të merrnin pjesë.

Prel Milani: Kjo derë njihet dhe është e dokumentuar si pjesëmarrëse në lëvizjet e mëdha patriotike për pavarësinë e Shqipërisë, në kryengritjet e vitit 1910 kundër gjeneralit Shefqet Turgut (Dërgut?)pasha, ku në Dukagjin pësoi një sfidë të hidhur dhe ishte treva e vetme kur Turguti u sfidua dhe u kthye prapa. Nga kjo shtëpi ka qenë prel Noka, i cili, vetë frati i Shoshit Kamilio Libardi thotë se në një mbledhje që u bë në fshatin Plan, hapi derën e kishës pa dëshirën e priftit sepse prifti në ato momente kishte, feja vazhdimisht mundohet të luajë rolin e pacifistit dhe ishte si punë aventure sipas mendimit të atij fratit që, nuk ia di emrin në atë kohë, që populli të hidhej në revoltë sepse donte të ruante popullin të mos konfrontohej, të mos kishin vrasje e djegie e plaçkitje siç ndodh në rast lufte. Por ky e quajti kapitullim dhe hyri aty pa dëshirën e priftit dhe i ka rënë këmbanës së kishës që të bashkohej fisi për të marrë pjesë në luftë, ku dihet se një pjesë e klerikëve, edhe faktori ndërkombëtar, ishte kundër asaj kryengritjeje, e cila ishte sinjali i parë, ulërima e parë e pavarësisë. pra parathënia e pavarësisë së Shqipërisë ishte kryengritja e vitit 1910.

Gjergj Prela: Nok Prela ka marrë pjesë në 1910-n, në luftë, në qafën e ____, kundër Turgut Pashës, që ka luftuar edhe është burgosur për atë punë, ka ndenjur edhe në burg për disa kohë. Ka marrë pjesë në luftë në 1911-n, të ngrinte flamurin në Deçiç, me Ded Gjo Lulin.

Pas ardhjes së Turgut Pashës në Shkodër, këtë e burgosën, ka ndenjur disa muaj në burg. Ka thyer burgun e ka dalë jashtë, vetë i dytë, ka jetuar maleve disa kohë d.m.th.,

Prel Milani: Nga kjo derë kanë shquar dhe kanë shkëlqyer në vitin 1915, pas 5 vitesh, kur kemi inkursionin e ushtrive serbo-malazeze në territorin e Dukagjinit edhe kemi disa pikë-kalime të ushtrive malazeze në këtë territor, ku një nga më të rëndësishmet ka qenë kalimi në territorin e Planit, ku në këtë betejë shumë të përgjakshme, ku kanë humbur jetën mbi 80 veta vetëm në Plan, 4 veta janë dëshmorët e kësaj familjeje, duke dhënë një kontribut të shquar dhe duke u sakrifikuar deri në luftimet trup me trup me pushtuesit e huaj.

Gjergj Prela: Rapsodi, këngëtari, i ka thurur këto vargje këtij fisi të kësaj shtëpie të këtyre burrave:

 “Me lahutë t’vjetër shqiptare,

u kry nji kangë diku mbi male,

prej nji kulle t’vjetër e kulle bujare,

nji kullë e lashtë 300-vjeçare.

 

Ardh’ kjo shpi prej Merturit,

nda prej fisit t’tij Prel Luli,

i pat’ ndërtu kullat prej guri,

e n’kët shpi qe fjala e burrit.

 

Na i dul za e na i dul nam,

ngado shkun nëpër çdo an’,

zani i dul malit e fushës

porsi shpija e Prel Nik Lucës”.

Gjatë gjthë këtyre viteve, kanë dhënë jetën 5 meshkuj në luftë për atdheun, të cilëve ne edhe ua bëjmë hallall sepse kanë dhënë jetën për atdheun, por nuk mund të bëjmë hallall vuajtjet e komunizmit, ku ndër të gjitha këto vuajtje (Eno hiqe ngercin ketu) janë pushkatuar 3 meshkuj...

Gjergji shpejgon se martiri i parë i fisit të tyre ishte djali i vetëm i vëllait të stërgjyshit të tij, Kolë Ndou, i vrarë në vitin 1913 në luftë kundër serbëve. Pas tij një tjetër histori trajgike shënohet po në luftë kundër serbëve dhe këtë herë viktimë ishte stërgjyshi i tij Nok prela,  të cilin e masakruan serbët me bajonetat e armëve në vitin 1915.

Gjergj Prela: Edhe në 1915-n, vjen ushtria e serbit, kalon nga shtëpia jonë, e merr Nok Prelën si njeri me influencë, e merr me vete për rrugës që mos t’i dalë kush përpara, duke pasur një burrë të katundit me vete që ishte me zë, e merr edhe shkojnë në oborrin e kishës. Kur shkojnë në oborrin e kishës vjen grupi tjetër i ushtrisë edhe e marrin të vëllanë, Ndue Prelën që e pati te shtëpia dhe i djegin edhe shtëpinë. Ky, kur pa se ia morën vëllanë dhe ia sjellin te kisha, kishte ishte rreth 200 metra në vijë ajrore larg shtëpisë, jo më larg, ky kur pa se ia ndezën shtëpinë dhe ia morën vëllanë dhe po vinin te kisha, ky mori gur në shkallët e kishës dhe i ra komandantit serb dhe ia çau kokën dhe e vrau. Atëherë Nok Prelën aty e kanë therur me bajoneta, për të mos dëgjuar Plani se krisi pushka, se kishte qenë ushtria e shpërndarë nëpër Plan edhe e kanë therur me bajoneta Nok Prelën, në 1915-n, qe i pari dëshmor i 1915-s, që kanë vdekur 70 e ca burra, ka qenë Nok Prela.

Ndue Prelën e pushkatuan me ata burrat e tjerë atje, te _gurt e medhenj ne, në rrugën e Shalës.

Pas vrasjes së këtyre tre burrave të këtij fisi, Gjergji dëshmon së pasardhësit nisën të fuqizohen sërish. Nga dega e stërgjyshit të tij do të rriteshin plot 9 djem, që dot ëmbanin mbiemrin Toma dhe Nika...ndërsa nga dega e vëllait të stërgjyshit do të rriteshin 3 djem trima e të shkolluar që do të mbanin mbiemrin Thani. Gjergji e vijon historinë e tyre me degën nga rrjedh ai vetë, duke nisur nga gjuhsi i tij Tom Noka dhe vëllai i tij Nik Noka. 

Gjergj Prela: Nok Prela pati 2 djem, Tom Nokën e Nik Nokën. Edhe këta u bënë të njëjtë si të parët e tyre, luftëtarë, të urtë, bujarë, shtëpi buke e bese, i përmend tërë Dukagjini.

Tom Noka e Nik Noka në këtë periudhë që ishte në 1915-n, këta qenë malit duke luftuar, bjeshkëve të Planit. Kanë qenë në luftë me Mark Mirditën që është vrarë edhe ky në bjeshkë atje. Kanë qenë djelmosha të rinj. Edhe këta kanë luftuar me shkjaun shumë.

Më pas Tom Noka e Nik Noka kanë marrë pjesë nëpër shumë luftëra që kanë qenë. Nik Noka në 1920-n ka luftuar në luftën e Koplikut e kundër serbit. Tom Noka e Nik Noka në 1924-ën kanë luftuar tek Ura e Mesit kundër Zogut. Pra, d.m.th. e gjithë jeta e këtyre meshkujve ka shkuar nëpër luftëra, gjithkund.

Ky është gjyshi im Tom Noka.

Ky ka marrë pjesë nëpër luftëra, tek Ura e Mesit, në shumë vende të tjera bashkë me të vëllanë, me Nik Nokën.

Prel Milani: Vitet e pas pavarësisë dhe të Luftës I Botërore kanë qenë vite dramatike për shqiptarët. Natyrisht që kjo familje ka përkrahur austriakët dhe në mënyrë të veçantë Qeverinë e Vidit dhe në Kongresin e Lushnjës, Ded Thani, që është babai i Tinka Kurtit, ka qenë së bashku me Va__ Kirin, një nga oficerët që janë marrë me sigurinë e kuvendit ku u mbajt Kongresi i Lushnjës, i cili de facto ka sanksionuar edhe pavarësinë e Shqipërisë dhe caktimin e Tiranës si kryeqytet i vendit tonë në ato periudha.

Gjergji e kthen rrëfimin e tij sërish tek martiri i parë i fisit vrarë në vitin 1913, Kolë Ndou, kushëriri i parë i gjyshit të tij, dhe tregon për fatin e djemve të tij që mbajtën më pas mbiemrin Thani. 

Gjergj Prela: Kol Ndou la 3 djem: Ded Thanin, Pal Thanin e Mark Thanin. Këta i mori nëna e vet e i çoi në Shkodër, i çoi në shkollë. Ded Thani ka mbaruar shkollën në Austri për shkenca politike. Pal Thani e Mark Thani kanë mbaruar shkollën në Akademinë Ushtarake në Itali, e kanë dalë oficerë me grada të larta, të dy, Pal Thani kolonel, Mark Thani major.

Prel Milani: Janë të dy oficerë të lartë të Akademisë së Padovës në Itali, intelektualë me formim perëndimor, opozitarë me regjimin e Zogut, opozitarë dhe të papajtueshëm me sistemin e ri komunist, i cili u bë shkak që këta t’i sfidonte dhe t’i burgoste, t’i internonte edhe t’i ekzekutonte siç ka vepruar me një pjesë të madhe të elitës kundërshtare të tyre.

Historia do të tregojë se nga tre djemtë e mirëshkolluar të Kol Ndout vetëm Dedë Thani do të mbijetonte. Dy të tjerët do të masakroheshin sapo të vendosej regjimi komunist.

Prel Milani: Ded Thani ka qenë intelektual i kësaj dere, i formuar në Perëndim edhe ka pasur një karrierë politike të suksesshme

Ded Thani ka shërbyer në Tuz si kryetar komune, prefekt në Shkodër, në Fier, në Roskovec edhe në Kosovë. Mandej, ka marrë pjesë në kryengritjen e vitit 1926, në lëvizjen e Dukagjinit, e cila kjo lëvizje shpeshherë është keqinterpretuar dhe paragjykuar në mënyrë politike më tepër se duhet. Ajo ishte një lëvizje kundër gjendjes mizerabël që kishte Dukagjini, pakënaqësisë, varfërisë ekstreme dhe Ded Thani ka marrë pjesë në këtë kryengritje, e cila pas sukseseve të para, pas marrjes së qendrës së rrethit në Dukagjin, pas marrjes së postkomandës tek Ura e Mesit, me ndërhyrjen e të gjitha forcave qeveritare, gjithashtu edhe nga qëndrimi pritës që mbajtën krerët natën e asaj kryengritjeje, nuk arrin të hyjë në Shkodër edhe pas kësaj kemi shtypjen e kryengritjes dhe nga Dukagjini janë arrestuar mbi 700 veta, 250 kanë përfunduar në burgje, mbi 15 kanë përfunduar në litar, 16 janë dënuar me vdekje dhe 1 i dënuar me vdekje në mungesë ka qenë Ded Thani.

Ded Thani është babai i Tinka Kurtit. Tinka njihet shumë mirë, është një artiste, është bijë e kësaj dere edhe në këtë derë ka pasur babanë, gjyshin, vëllezërit e xhaxhallarët e të gjithë.

Gjergj Prela: Kur ka hyrë Italia në Shqipëri, Ded Thani ka qenë i pari shqiptar që e ka kundërshtuar pushtimin e Italisë, me shtyp, me mjete të kohës që kanë qenë atëherë. Edhe Pal Thani edhe Mark Thani, oficerë, kanë dalë kundër kësaj ushtrie e kundër këtij pushtimi edhe ata.

Gjergji thotë se po ashtu karrierë ushtarake synoi të kryejë edhe babai i tij  prelë Toma. Ai ruan në shtëpinë e tij edhe një foto të të atit, mbas e evetmja që i ka mbetur, e shkrepur diku në vitin 1941, ndërsa ishte ende akademist në Itali.

Gjergj Prela: Ky është babai im Prel Toma. Ka qenë në Akademinë Ushtarake në Itali, më 1941, edhe ka këtë fotografi prej atje ku ka qenë.

Fundi i Luftës së dytë botërore do të shënontë edhe fundin e epokës së qetë në jetën e tyre që cilën ata mundën ta përjetojnë në vitet 30 dhe fillim vitet 40. Me ardhjen e regjimit komunist, i gjithë fisi do të vihej në shenjëstër dhe prej ditëve të para të regjimit e deri në fund të vitit 1990, persekutimi ndaj tyre nuk do të ndalej.  Gjergji tregon se ndër të parët që u futën në hetusi dhe u torturuan prej komunistëve ishte edhe gjyshi i tij Tom Nona me të vëllanë.

Gjergj Prela: Hyri komunizmi atëherë. Komunizmi më gjakatar se çdo pushtues tjetër që ka hyrë në Shqipëri.

Bashkë me vllanë me Nik Nokën, edhe këta të dy kanë qenë në burg të komunizmit, edhe këta Tom Noka e Nik Noka, e prej torturave që kanë pasur në hetuesi, kur kanë dalë prej burgut pak kohë kanë jetuar e kanë vdekur të dy, në 1945-n.

Por ky ishte vetëm sipari i tragjedisë që po trokiste në fisin e tyre dhe në gjithë malësinë. Komunistët do të pushkatonin dy vëllezërit e Dedë Thanit, Palin dhe Markun, e mandej do të vijonin një sagë të gjatë  vuajtjesh nëpër burgje , për të gjithë burrat e fisit të tyre....