'Dosja K' në Report Tv/ Gjon Boriçi: Shqipëria e armatosur gjer në dhëmbë me ndihma nga Kina

Prapaskenat e bisedimeve të Beqir Ballukut dhe Adil Çarçanit. Si e binden Mao Ce Dunin dhe Çu En Lain që Shqipëria ishte gjithnjë nën kërcënim për luftë. Finalaja e marrëdhënieve dhe si arriti Shqipëria të merrte nga Kina më shumë armatime edhe se Vjetnami që ishte në Luftë me SHBA-në...

Nga Admirina Peçi

Marrëdhëniet e Shqipërisë me Kinën gjatë epokës së luftës së ftohtë ishin të një rëndësie të veçantë për shtetin shqiptar dhe personalisht për pushtetin e Enver Hoxhës. Pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, në dhjetor të vitit 1961, Enver Hoxha e lidhi Shqipërinë kokë e këmbë me Kinën dhe nga Kina vërshuan miliarda kredi, të cilat bënë të mundur rimëkëmbjen e ekonomisë shqiptare, e cila, pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik pësoi një goditje të jashtëzakonshme, gati në kolaps.  Kina ishte në këto kushte, një varkë shpëtimi për Republikën Popullore të Shqipërisë dhe për pushtetin e Enver Hoxhës.

Me Kinën, Shqipëria pati të vetmen marrëdhënie të hapur, të plotë, sipas Enver Hoxhës, të sinqertë, duke ia mbyllur derën çdo lloj bashkëpunimi tjetër me të gjitha vendet, qoftë nga Blloku Lindor, qoftë nga Blloku Perëndimor, duke u izoluar plotësisht.

Por në kulmin e kësaj marrëdhënie gati utopike mes dy aleatëve që i ndanin mijëra kilometra distancë, tek diktatori shqiptar mori formë dhe kulmoi një paranojë e paimagjinueshme. Si shkak i kësaj paranoje Hoxha projektoi një Shqipëri të mbushur me bunkerë, me mijëra tunele të mbushur me armatime dhe me një aksion të padëgjuar kurrë më parë për përgatitjen ushtarake të gjithë popullsisë nga fëmijët e kopshteve deri tek të moshuarit që mezi mbanin armën.

Nuk dihet saktësisht sesa ndikoi Kina komuniste në bunkerizimin e Shqipërisë, apo edhe se sa mund të ketë ndikuar me këshillat e saj që Shqipëria të bunkerizohej. Por dokumentet flasin për një fënomen të jashtëzakonshëm, armatimin gjer në dhëmbë të shtetit të vogël buzë Jonit e Adriatikut, nga Kina Komuniste përgjatë gjithë viteve të miqësisë së tyre.

Doktor Gjon Boriçi, historian i departamentit të historisë bashkëkohore në Akademinë e Studimeve Albanologjike në Tiranë, i specializuar sidomos për temën e mardhënieve shqiptaro-kineze, do të na bëjë sot një skaner sa i takon paranojës dhe manisë së diktatorit Hoxha për ta armatosur Shqipërinë  gjer në dhëmbë,  falë marrëveshjeve që arriti me aleatin e tij të fundit politik, Kinën Komuniste.

“Nga dokumentet që kam hulumtuar, dhe kam hulumtuar jo pak për marrëdhëniet shqiptaro-kineze gjatë epokës së luftës së ftohtë, nga Kina kanë ardhur armatime të shumta, por unë nuk kam gjetur asnjë rresht që Kina të ketë ndikuar në bunkerizimin e Shqipërisë, ose më mirë të them, Mao Ce Duni, Çu En Lai t’ia mbushnin mendjen Enver Hoxhës dhe enturazhit të tij politik që Shqipëria duhej të bunkerizohej. Këtë nuk e kam gjetur. Ama, që kanë ardhur nga Kina, sidomos në vitin 1961, armë të teknologjisë së fundit, gjithmonë flasim për kohën, dhe mbi të gjitha, në nëntor të vitit 1968, kur Shqipëria nuk kishte as dy muaj që ishte shkëputur zyrtarisht, në muajin shtator, nga Traktati i Varshavës, nga Kina kanë ardhur sasi të jashtëzakonshme armatimesh. Atëherë, në Kinë, në vitin 1968, u dërguan dy emisarë të lartë shqiptarë, që ishin zëvendëskryeministri i parë i atëhershëm Adil Çarçani, dhe ministri i Mbrojtjes Popullore Beqir Balluku. Të dy këta nënshkruan respektivisht marrëveshje specifike që Shqipërisë t’i vinin ndihma të konsiderueshme ushqimore, tregtare dhe ushtarake.

Madje, mund t’ju them që bisedimet sekrete ndëmjet Çu En Lait  dhe Beqir Ballukut kanë zgjatur gati 48 orë, ku Çu En Lai përpiqej me çdo kusht që t’i mbushte mendjen Beqir Ballukut që nuk kishte nevojë Shqipëria që të merrte kaq shumë armatime nga Kina, duke folur jo vetëm për shpenzimet e stërmëdha që do të kushtonin, duke imagjinuar edhe transportin, sepse kishte edhe një problem tjetër. Mirë që do të vinin të gjitha këto armatime, por atëherë Republika Popullore e Kinës ishte në armiqësi të hapur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kontrollonin ngushticën e Tajvanit me flotën e tyre të shtatë, e cila garantonte pavarësinë e Tajvanit nga Kina komuniste. Dhe duke qenë se kontrollonin ngushticën e Tajvanit, si mund të kalonin pastaj të gjitha këto anije nga Kina nëpër oqeanin Indian deri në ngushticën e Kanalit të Suezit, për të kaluar në Mesdhe dhe për të furnizuar Shqipërinë”, thotë historiani Gjon Boriçi .  Pas diskutimeve për dy ditë rresht, marrëveshja ishte arritur dhe pas kësaj  ishte vendosur të sillej në Shqipëri një arsenal i paimagjinueshëm armatimi nga Kina Komuniste. 

Në vijim të argumenteve të tij historiani Boriçi thotë: “Nëse më lejoni, dua t’ju citoj disa fakte shumë të rëndësishme për sa i përket këtij armatimi gjigant që erdhi nga Kina drejt Shqipërisë, në vitin 1968, sipas marrëveshjes së firmosur ndërmjet Adil Çarçanit dhe Li Hsien Jenit, por mbi të gjitha, sipas marrëveshjes që quhet “marrëveshje zotërinjsh” ndërmjet Beqir Ballukut dhe Çu En Lait.

Më 7 tetor të vitit 1968, pas diskutimeve të gjata, Çu En Lai pranoi që t’i dërgoheshin Shqipërisë, 200 mijë tonë armë të rënda, 800 tanke, avionë, raketa, 50 milionë predha, si edhe 110 mijë armë të lehta, si edhe armë antikëmbësorie dhe mitralozë kundërajrorë. Dhe të gjitha këto në bazë të një kredie, e cila nuk do të përfshinte vetëm anën ushtarake, por edhe anën ekonomike, prej 1 miliard e 56 milionë juanë kinezë. Kjo shifër ishte afërsisht e barabartë me 700-800 milionë dollarë amerikanë”.

Por a i erdhën vërtet gjithë këto armatime dhe ndihma Shqipërisë  nga aleati i saj i largët Kina dhe si i kishte bindur Enver Hoxha përmes emisarëve të tij Mao Ce Dunin dhe Çu En Lain? Hisotirani Gjon Boriçi thotë se Shqipërisë këto armë i erdhën. “Shqipëria u armatos siç thuhet, “deri në grykë”. Ishte një nga vendet për numrin e popullsisë më të armatosur në Evropë, se në Ballkan as që diskutohet. Enver Hoxha u kujdes shumë që gjatë bisedimeve të Beqir Ballukut me Çu En Lain, Beqir Balluku duhej t’ia paraqiste kryeministrit të Kinës Çu En Lai, si katastrofike situatën në Shqipëri, sikur ishim në gjendje të menjëhershme lufte me Italinë, me Jugosllavinë dhe me Greqinë, çka nuk ishte aspak e vërtetë”.

Shqipëria e sapodalë nga Traktati i Varshavës dhe e vetizoluar nuk pati kërcënim real për luftë, as nga fqinjët e saj me të cilët kufizohej dhe as nga fuqitë më të madhe të kohës si Nato apo Traktati i Varshavës. Drejtuesit e lartë politikë të Kinës Komuniste e dinin mirë se në ç’pozita ishte Shqipëria sa i takon pavarësisë territoriale. Sidoqoftë, ata u treguan shumë bujarë me mikun e tyre të vogël në Mesdhe, duke i dhënë aq armatime sa kërkoi. Po pas kesaj bujarie, sic duket,  fshihej dicka tjetër.

Hisotirani Gjon Boriçi argumenton se Shqipëria kishte një avantazh në ato momente, në dallim nga Kina. “Shqipëria ishte anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe Kina nuk ishte anëtare e Kombeve të Bashkuara. Dhe Shqipëria kishte marrë flamurin e zëdhënëses së Kinës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Nuk ishin të pakta rastet që anijet kineze, duke qenë se Kina nuk ishte një shtet i njohur ndërkombëtarisht, lundronin me flamurin shqiptar nëpër detet e botës, për tregti. Dhe ky rast u shfrytëzua jashtëzakonisht shumë nga udhëheqësit shqiptarë, në një kohë kur kjo kredi gjigante, e akorduar në vitin 1968, mund të shërbente fare mirë për të ngritur akoma më shumë nivelin ekonomik, i cili në ato vite linte shumë për të dëshiruar. Më shumë se gjysma e kësaj kredie u përdor pikërisht për këto lloje armësh që përmenda më lar”, thotë ai. Është e vështirë të shpjegohet kjo mani, për  këtë mobilizim të jashtëzakonshëm, në kushtet e një realiteti të tillë, ku edhe burimet diplomatike të kohës nuk vërtetonin  as një rrezik real sulmi, në kohën kur diktatori ngulte këmbë të forcohej kaq shumë ushtarakisht.

”Unë mendoj që ishte thjesht mania e tij e pasigurisë, sepse duhet të përpiqemi që të hyjmë edhe në psikikën e një diktatori. Nuk ka rëndësi fare se në çfarë shteti je. Aq më tepër imagjinoni ku ishte Shqipëria, në një pozitë të jashtëzakonshme gjeostrategjike, në kërthizë të Evropës dhe jashtë dy blloqeve, edhe NATO-s edhe Traktatit të Varshavës. Pra ishte një vend prej 2 milionë e 100 mijë banorësh, nëse ishin aq atëherë në vitin 1968, e vetizoluar, e shkëputur totalisht nga pjesa tjetër e botës, dhe e vetmja marrëdhënie që kishte, ishte me Kinën disa mijëra kilometra larg. Ka edhe një veçori gjatë bisedimeve të Çu En Lait me Beqir Ballukun, që unë kam hulumtuar, ku i thotë se “dakord, mund t’ju sulmojë NATO etj., etj., por si mund të bëjmë ne rakordimin e dy ushtrive tona kur Kina dhe Shqipëria janë me zemër bashkë me njëra-tjetrën, por janë mijëra kilometra larg. Si mund të rakordohet ushtria kineze me ushtrinë shqiptare për t’i bërë ballë agresionit të NATO-s apo të Traktatit të Varshavës?”. Dhe aq e madhe ishte kjo frikë e Enver Hoxhës, saqë në gusht të vitit 1968, kemi një letër, që vetë Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor Haxhi Lleshi, sigurisht me urdhër të Enver Hoxhës, i dërgon Gamal Abdel Naserit të Egjiptit, sepse kishin dyshime sikur bazat e Egjiptit do të shërbenin si pikënisje e një sulmi sovjetik kundër Shqipërisë. Sigurisht që përgjigjja nga Egjipti erdhi e prerë, që absolutisht nuk kishte asnjë rrezik të tillë. Ishte diçka që nuk ekzistonte. Por kjo letër ekziston”, thotë historiani Boriçi.

1972, Beqir balluku sërish në Kinë  për armatime
“Beqir Balluku ishte një nga njerëzit më të besuar të Enver Hoxhës, të cilin e kishte dërguar disa herë në Kinë për të kërkuar armatime etj., dhe përsëri, duke mos u mjaftuar me gjithë këtë ndikim të madh që pati armatimi kinez në Shqipëri në vitin 1968, në nëntor të vitit 1972, Beqir Balluku përsëri me urdhër të Enver Hoxhës dhe i shoqëruar nga Kiço Ngjela, ministër i Tregtisë i asaj kohe, shkuan përsëri në Kinë për të kërkuar përsëri armatime”, thotë historiani Boriçi duke jun referuar dokumenteve zyrtare.
Ai shton më tej se në këtë takim, “ Beqir Balluku e paraqit ushtrinë shqiptare në gjendjen më mjerane të mundshme. Kërkonte me domosdo që Kina të vazhdonte të furnizonte me armë Shqipërinë sepse një nga pikat më të dobëta që kishte Shqipëria, ishte bregdeti 410 kilometra totalisht i desantueshëm, dhe mbrojtja ajrore pothuajse inekzistente. Por kësaj radhe kinezët nuk ia plotësuan dëshirën Enver Hoxhës nëpërmjet Beqir Ballukut. I thanë që Shqipëria kishte lidhur marrëdhënie diplomatike me Greqinë. Kjo është e vërtetë sepse në vitin 1971 u rivendosën marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Greqisë. I thanë që me Jugosllavinë i kishin ulur tonet dhe Italia nuk përbën më kërcënim, kështu që nuk u duhej një armatim i tillë. Ishin pak a shumë, por me një stil më të prerë kësaj radhe, të njëjtat fjalë që Çu En Lai përpiqej që t’ia shpjegonte Beqir Ballukut që po “t’ju sjellim ne të gjithë këtë lloj armatimi që ju kërkoni”, siç edhe ndodhi, “juve do të keni një front lufte prej 1 mijë kilometrash, kur vetëm bregdeti shqiptar është 410 km dhe nga Saranda deri në Tropojë janë afërsisht 300 km. Për një armatim të tillë duhen 1.000 km front lufte aktiv”.

Bunkerizimi - Frika e Enver Hoxhës
Paralelisht me aksionin për të rritur depozitat me armatime të shumëllojta,  Enver Hoxha kishte nisur edhe projektin e fortifikimit, siç quhet sot bunkerizimi i vendit, i cili kulmoi në pjesën e dytë të viteve ’70-të. “Procesin e bunkerizimit unë e quaj edhe një mani apo frikë të Enver Hoxhës”, thotë Gjon Boriçi, duke argumentuar më tej, rreth arsyeve qe çuan ne bunkerizimin e Shqipërisë.

“Në vitin 1971, nëpërmjet rezolutës shqiptare, (edhe pse nuk është se e vendosi rezoluta shqiptare pranimin e Kinës me të drejta të plota në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe përjashtimin e Tajvanit prej andej), Enver Hoxha e ndjeu se do të mbetej vetëm fare sepse nuk kishte më nëpër botë marksistë-leninistë fanatikë, që t’i shërbenin si çadër ku ai të fuste kokën pasi të prishej me Kinën. Dhe ky ishte ai momenti që ai nuk e denoncoi menjëherë Kinën, siç kishte bërë në vitin 1948 me Jugosllavinë, siç bëri në vitin 1960 me Bashkimin Sovjetik, sepse nuk kishte më se kush ta ruante pushtetin e tij, nuk kishte më ku të lidhej. Ishte në Ballkan, 75 km larg Italisë, në kufi me Greqinë, në kufi me Jugosllavinë, i rrethuar totalisht nga shtete që nuk është se donin të sulmonin Shqipërinë, por që sigurisht nuk ishin miqësore ndaj pushtetit dhe regjimit të tij diktatorial. Kështu ai ndjeu këtë rrezik dhe filloi procesin e bunkerizimit masiv të vendit, me anën e një kredie tjetër shumë të lartë, e cila erdhi nga Kina, që ia bëri, si të thuash, si dhuratë Enver Hoxhës për datëlindje. Kjo kredi është firmosur më 16 tetor të vitit 1970 dhe arrinte afërsisht në 2 miliardë jen. Shumica e kësaj kredie u përdor pikërisht për bunkerë, për tunele nëntokësore, për shpime malesh. Shumë pak i kaloi ekonomisë. Shumica e kësaj kredie shkoi pikërisht për të bunkerizuar vendin”.

Fillimi i viteve ’70-të shënon në historinë e periudhës komuniste një varg ngjarjesh politike që u zhvilluan si shkak i paranojës së diktatorit për kontroll absolut. Goditjet e  kryesore politike të kësaj kohe ndodhën në  Kulturë, Ekonomi e Ushtri.  Në këtë  valë goditëse  kulmi u arrit në  Ushtri, në vitin 1974, me arrestimin dhe pastaj një vit më vonë me ekzekutimin e fshehtë të Beqir Ballukut dhe dy bashkëpunëtorëve të tij. Eshtrat e tyre janë gjetur në vitin 2000, në Vlorë, në një varr sekret. Por edhe pas eleminimit të këtij grupi armiqësor,  diktatori Hoxha  sërish ndihej i pasigurtë.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja