Arratisja e 33 malësorëve, që tronditi diktaturën në gusht të vitit 1948. Dëshmia rrënqethëse e Bub Matoshit për masakrat e komunistëve në Nikaj Mërtur dhe hakmarrja mbi familjet e të arratisurve që mbetën në Shqipëri.

Prej vitit 1945, kur në veri kishin depërtuar brigadat partizane, për çarmatosjen e popullsisë dhe për të vendosur atje regjimin komunist, kishte nisur të shkruhej një histori e përgjakshme vëllavrasjeje, që nuk ishte parë deri më atëherë në ato zona, por që klerikët dhe njerëzit e shkolluar në perëndim e kishin parashikur prej kohësh. Ata kishin thënë se nuk do të ishte e largët dita kur furia e kuqe do të depërtonte deri në skajin më të largët e më të thellë.

Bolshevizmi kishte mbërritur edhe në malësi dhe nga 1945 e deri më 1991, atje nuk do të reshtnin ngjarjet tragjike, pasi shumë familje malësorësh nuk e pranonin komunizmin. Në Nikaj Mërtur kishin rezistuar deri në vitin 1946, atëherë kur do të shënoheshin edhe një varg vrasjesh makabre që do ta ndryshonin rrënjësisht jetën e atyre kullave, që i kishin bërë ballë deri më atëherë çdo të lige që ju avitej.

Në valën e ngjarjeve të përgjakshme në Nikaj Mërtur do të përfshiheshin pothuaj gjithë familjet e asaj zone dhe tek gjithëseicili ato lanë gjurmë të thella. Pëllumb Dedndreaj, është një prej fëmijëve të Nikaj Mërturit, që u rrit me rrëfimet e dhimbshme të atyre kohëve. Ai do të lindte dhe do të rritej me rrëfimet e gjyshes së tij Bute, dhe prej së largu do të njihte gjyshin e tij Bub Matoshin, që ishte arratiur në vitin 1948 pas një rezistence disa vjeçare kundër komunizmit. Ai dhe shumë burra të Nikaj Mërturit e të zonave përreth, i kishin pritur me pushkë komunistët dhe rezistuan kundër regjimit derisa  shpresat u shuan dhe u detyruan të arratiseshin e të lënë pas familjet e tyre, në një kalvar të gjatë e të vështirë hakmarrjeje dhe vuajtjesh.

“Unë vij nga krahina e Nikaj-Mërturit, një krahinë që ndodhet në veri të Shqipërisë,  e cila ka ekzistuar në shekuj me mundime, me sakrifica të panumërta, gjithmonë në luftë me turq e me serbo-malazezë. Ndaj gjithmonë kanë qenë të vëmendshëm ndaj ngjarjeve historike, ndaj fateve të vendit dhe për këtë arsye ata e kanë ditur shumë më përpara për ardhjen e komunizmit. Ata e dinin për bolshevizëm dhe që të vijë nga Rusia në bashkëpunim me sllavët në Ballkan”, totë Pëllumb Dedndreaj, një prej pasardhësve në familje te të arratisurve prej regjimit në Nikaj Mërtur. .

Sicc thotë ai, në të gjithë veriun, kleri katolik prej kohësh kishte futur në predikimet  fetare edhe një varg këshillash për popullatën mbi bolshevizmin dhe dëmet që mund të sillte kjo ideologji në ato zona ku prona dhe liria ishin të shenjta prej shekujsh  e pikërisht ato të dyja do të asgjesoheshin nëse kjo ideologji ngulej thellë në jetën  dhe mentalitetin e njerëzve  që jetonin  aty. Porosive të njerëzve të fesë, u ishin bashkuar  edhe intelektualët e atyre viseve, të shkolluar në perëndim.

“Është gati-gati profetike mënyra se si ata e kanë përcaktuar ardhjen e bolshevizmit, me fakte konkrete. Ata thoshin që do të vijë një sistem që s’ka për të njohur as baba as nënë, s’ka për të pasur pronë private, kanë për t’u mbyllur kishat e xhamitë, toka e bagëtia e gjithçka do të merret nga shteti, edhe buka për popullatën do të shpërndahet nga një dritare. D.m.th. të gjitha këto janë përpara ardhjes së komunizmit. Thoshin që familjet më të mira do të masakrohen, do të pushkatohen krerët e familjeve të tyre, si edhe do të vriten priftërinj e hoxhallarë, do të mbyllen kisha e xhamia. Nuk vonoi shumë dhe kjo ditë erdhi”, thotë për emisionin Dosj K, Pëllumb Dedndreaj.

Ndërsa përpiqeshin me gjithë brigadat e armatosura të depërtonin në veri e të çarmatosnin popullsinë, në raportet e dërguara Shtabit të Përgjithshëm, drejtuesit komunistë, shpesh flisnin për klerikët dhe intelektualët që iu flisnin popullit kundër ideologjisë komuniste.

Në nje raport, të datës 7 shkurt 1945, hartuar nga Mihal Prifti, komisari politik i Shtabit të Divizionit të II, që operonte në Dukagjin,  gjejmë këto rreshta ku me alarm njofton eprorët se popullit po i jepen direktiva të qarta kundër komunizmit:

“Në parullat që hudhen nga reaksioni kundra Pushtetit dhe Ushtris N.Ç. thuhet: Gjoni i Marka Gjonit dhe Nik Sokoli i Merturit kan shkue me Ingliz dhe kan marrë materjal ushtarak e vesh-mbathje me bollëk. Duem me luftue komunistat se këta janë të pa fè e duen me na prishë Fen e Krishtit. Këta luftojnë për Rusinë për me na e prue këtë këtu”.

Pëllumb Dedndreaj sjell rrëfimet e gjyshes së tij Bute, e cila ia tregonte me detaje depertimin e komunizmit në Nikaj Mërtur:  “e gjithë popullata e Nikaj-Mërturit ishin të betuar që do të luftonin dhe nuk do ta pranonin kurrë komunizmin, nuk do ta dorëzonin lirinë për asnjë lloj çmimi.  Por filloi rrethimi i Nikaj-Mërturit nga forcat e ndjekjes, nga brigadat sulmuese që quheshin asokohe, dhe të gjithë banorët e Nikaj-Mërturit dolën me pushkë, e pritën me pushkë në qafën e Kolshit, në kufirin ndarës të Nikaj-Mërturit me Malësinë e Gjakovës. Aty pati disa të vrarë nga pala e Nikaj-Mërturit, edhe nga Brigada VI Sulmuese edhe nga forcat e ndjekjes. Aty vritet edhe motra e Mehmet Shehut, Xhemile Shehu, që ishte komandante e Brigadës VI Sulmuese. Këtë disfatë partia nuk mund ta falte kurrë, ndaj iu vërsulën me të gjitha forcat e mjetet krahinës së Nikaj-Mërturit.

E rrethuan nga të gjitha anët, filluan masakrimin mbi popullatën. Vendosën një postkomandë në Nikaj-Mërtur. Ajo postkomandë survejonte çdo element që e shihte si kundërshtar, çdo familje patriotike të kësaj krahine.

Postkomanda thirri një mbledhje ku kërkonte të gjithë meshkujt nga 16 vjeç e lart që të ishin në këtë mbledhje dhe kërkonte dorëzimin e armëve. Të gjithë banorët iu përgjigjën paqësisht, por në krahinë kishte mbërritur xhelati më i madh që ka njohur ajo krahinë, Xhemal Selimi, i cili i pushkatonte njerëzit dhe me kondakun e automatikut thyente arra dhe hante kur gjaku vërshonte lumë.

 Natën e Shën Mhillit, kur Nikaj-Mërturi festonte festën, shenjtorin që mendohej që luftonte djallin dhe mbronte popullatën, aty pushkatohen dy ndër njerëzit më të mirë që kishte krahina e Nikaj-Mërturit, u pushkatua Fet Sadiku i Palshit dhe Uk Çuni”- tregon ai.

 Siç vijon më tej Pëllumbi, “Grupi i rezistencës ishte i betuar që nuk do të dorëzohej kurrë. Ishin të betuar që do të vdisnin dhe nuk do ta dorëzonin lirinë që kishin ruajtur me aq mund e sakrifica ndër shekuj. Dy muaj më vonë, Grupi i Rezistencës i kryesuar nga Nik Sokoli e Pjetër Mehmeti ishin zhvendosur në një fshat, në veri të Nikaj-Mërturit, në Curraj të Epërm dhe ishin vendosur në një stan. Një njeri i pabesë, që kishte filluar të tradhtonte komunitetin dhe parimet e krahinës të cilat i kanë ruajtur në shekuj, kishte survejuar te postkomanda dhe filloi rrethimi i stanit natën, me ushtri, me polici, me forcat e ndjekjes e me gjithçka. Aty u zhvillua një betejë e jashtëzakonshme, gjithë natën breshëri dhe thirrje për dorëzim. I cilësonin si tradhtarë nacionalistë. Dhe nga mëngjesi, stani mori flakë nga plumbat dhe ata ose do të digjeshin brenda, ose do të sulmonin fort që të çanin rrethimin. Dhe ishte një burrë shumë trim, Mark Sadiku, që me mitralozin e tij çau rrethimin dhe dolën përjashta. I fundit që po dilte, Pjetër Mehmeti, ishte i biri i Mehmet Shpendit, i pari i djemve të Dukagjinit, që kishte prirë Dukagjinin ndër shekuj, ishte djali i vetëm i kësaj familjeje, plagoset dhe sipas besës së dhënë, që kishin dhënë malësorët, mos ta linin njëri-tjetrin në provat që të bënte diktatura, prova mbi ta, kthehet dhe i rri te koka. Mundohet t’i lidhë plagën dhe ai hap sytë aq sa mundet dhe flet ngadalë dhe i thotë: “Mark Sadik, ti kjofsh bekuar, mos e hup jetën për mue, me e mbajt besën mos u lodh, se ky plumb mu m’ka dal boll”. Dhe aty jep shpirt. Dhe Grupi i Rezistencës shpërndahet dhe shpëtojnë”.

Mbi masakrën që komunistët bënë në Nikaj Mërtur flet në detaje edhe ky dokument i vjeshtës së 1946, i firmosur nga Musa Daci, major i veprimit në Divizionin e Mbrojtjes së Popullit, gjatë aksioneve në veri të vendit, ku ai  dëshmon se si janë pushkatuar 13 burra në malësitë e Shoshit, Mërturit, Shllakut, e Dushmanit, vetëm pse kishin strehuar prijësit e tyre të arratisur apo pse u kishin dhënë ushqim atyre. 

Dokumenti, liston të pushkatuarit në datat 27, 29, 30 shtator dhe 1 e 2 tetor 1946. Pjesa më makabre e këtij raporti janë arsyet që renditen në krah të çdo emri, ku shpjegohet se në çrrethana dhe pse janë pushkatuar të 13 burrat e shënuar në dokument.

 Ndër të tjera për Ukë Çunin dhe Fet Sadikun shkruhet: “Ukë Çuni nga katundi Tetaj  Mërturit u pushkatua më datën 29/9/1946 pse ka strehuar kriminelat me muaj rjeshtë, ku janë shëruar edhe të plagosuri si illegal Zef Mark Tungji etj, që është plagosur në përpjekjen e datës 20/7/1946 në Mertur dhe pse nga data 8/9/1946 kishte ushqyer Nikën dhe të gjithë shokët e tij me bukë tue i mbajtë në shpi.

Sadiku Bajraktari u pushkatua me datën 29/9/1946 pse gjatë dimrit ka strehuar Nik Sokolin me gjithë çetën e tij dhe pse ka katër pushkë dhe nuk i dorëzoj asnjë, për më tepër kishte përgatitur popullin të mos tregonte asnjë pushkë. Për këtë ky caktoj të vëllanë, Adem Sadikun, që të fliste në emër të popullit të bajrakut të tij, i cili sa u demaskua vazhdoi të bënte pjesën e avukatit tue mbrojtë bashkatundarët e tij. Meqenëse ky ishte nder bajraktarët me influencë, i cili mundi me ba popullin e bajrakut të tij, që të mos tregonte asnjë armë dhe pse kishte katër armë e nuk tregoj asnjë, për këtë u pushkatua në datën e sipërme”.

Siç rrëfen Pëllumb Dedndreaj, komunistët, kërkonin kokën e bajraktarit të Mërturit, kokën e Mark Tunxhit dhe atë e kishin diktuar në një shtëpi. Dhe ata shkojnë ta arrestojnë, por shqiptari s’e ka zakon ta dorëzojë mikun, aq më tepër vëllanë e vet, në shtëpinë e vet dhe aty zhvillohet një betejë ku forcat e ndjekjes dhe të Sigurimit dolën shumë të humbur. Dhe bajraktari shpëtoi”, thotë ai duke vijuar më tej rrëfimin, ndërsa thekson se pqër 9 muaj rreth 9 prej burrave të rezistencës do të strehohehsin në shtëpinë e gjyshit të tij. .

 “Vendosën të strehohen në kullën e Bub Matoshit, gjyshit tim, në Salc. Ishte një kullë e fortifikuar që gjithmonë ka qenë vatër e luftës, për shkak se meshkujt e asaj shtëpie kurr në kanë humbur betejën në asnjë rast, me asnjë pushtues, me asnjë njeri nuk kanë humbur asnjë betejë. Aty qëndruan 9 burra plot 9 muaj. Aty u trajtuan me ushqim, me mbrojtje, pra kulla e Bub Matoshit u bë edhe bark edhe shpinë, u siguroi edhe mbrojtje edhe ushqim për të mbijetuar....

Pas 9 muajsh Sigurimi i zbulon dhe nuk kishte asnjë rrugë tjetër, ose do të vriteshin gisht për gisht me forcat e ndjekjes e të Sigurimit të Shtetit, ose do arratiseshin. Dhe ata zgjodhën të arratisen.

U arratisën nëpër male. Pika më e afërt ishte Thethi, që do arratiseshin”, thotë ai duke përfunduar rrëfimin e tij mbi rezistencën antikomuniste të të pareve të tij. 

“Ky ishte fundi i rezistencës në njëfarë mënyre, se edhe misioni anglez që përpiqej t’i ndihmonte, hidhte mbi Salcë, mbi livadhet e Salcës me parashutë ndonjë armatim, ndonjë informacion, edhe ai e ndali furnizimin dhe këta, në bashkëpunim me krerët e Dukagjinit, të fiseve të tjera, vendosën që të arratiseshin.

Në Theth qëndruan për plot 2 javë dhe ishte bujaria e Ndrec Ufës së Thethit që i mbante me bukë dhe me ushqime, në datën 25 gusht 1948, Ndrec Ufa ngjitet në mal për t’u sjellë ushqim, por kësaj radhe edhe një lajm të keq. U thotë që forcat e Sigurimit ju kanë zbuluar dhe ka filluar rrethimi i Thethit. Atë natë, ata kaluan kufirin. Ishin plot 33 burra e gra që kaluan kufirin”, përfundon Pëllumb Dedndreaj.  

Sagën e kësaj arratisje e ka treguar edhe vetë gjyshi i Pëllumbi, Bub Matoshi, në një intervistë dhënë pak muaj para se të ndërronte jetë në vitin 1990 në Paris. Ai e tregon kështu këtë arratisje të madhe që shkaktoi tërmet për regjimin komunist: “Kur i kam parë njerëzit me sytë e mi, që po i pushkatonin, para meje, pa kurrfarë faji, i kam parë njerëzit duke jua çarë mishin me thikë e duke ju vendos kripë në mish, duke i vendos vezë të ziera  e të mnxehta nën sqetulla, tue ju vendos fisheke ndër gishta e duke i lidh për gazep..., kjo pune më ka detyruar që të dal.  Se po ta dija se në ate minutë që do të më kapnin do të më pushkatonin kurre nuk kisha dalë prej vendit tim, për me u nda me njerezit e mi”, dëshmon Bub Matoshi, duke vijuar më tej se “prej Shqiperie kemi dalë 33 vetë menjiherë. me Nik Sokolin, Shpend Sadikun, Zef Delinë, Pal Bajraktarin me gjithe grua, Lekë Martini, Kol Lekë Shyti, Martin Camaj, etj,  dhe kemi dale në Guci...”.

Pëllumb Dedndreaj, tregon se porsa dolën në Jugosllavi, disa u arrestuan. “U arrestua Nik Sokoli që ishte kryetari i grupit antikomunist, edhe kapiten Gjon Destanishta që kishte shërbyer në ushtrinë e Zogut dhe ishte ndër ushtarakët më të mirë që kishte Shqipëria.  Gjatë kësaj kohe që qëndruan në Jugosllai, kishte dy tentativa për t’u kthyer për të marrë familjen”, thotë ai, ndrsa tregon dy përpjekjet e gjyshit të tij për të marrë familjen.

“Gjyshi organizoi me grupin e vet tentativën e parë. Hynë nga Gjakova, futen në territorin e Tropojës dhe në Markaj të Tropojës, natën, duke kaluar një urë, ata ishin zbuluar nga Sigurimi i Shtetit dhe ata po i ndiqnin këmba-këmbës. Aty vritet daja i gjyshit, Shpend Sadik Bushati. Pjesa tjetër e grupit shpërndahet dhe arrin të kalojë në territorin e Jugosllavisë. Shpend Sadikun e mbajtën të vrarë plot 7 ditë mbi urën e Markajve dhe partia organizoi gjithë popullsinë e malësisë së Gjakovës për të shkuar e për të parë kufomën e tij që dergjej mbi urë, se si partia i ndëshkon armiqtë e vet. e mbajtën plot 7 ditë aty. Pas 7 ditësh, kur ai kishte filluar të dekompozohej, e zhdukën kufomën e tij ku edhe sot e kësaj dite nuk gjendet varri i tij dhe ajo derë u mbyll përgjithmonë. 

Pas 1 viti, kishte një tentativë tjetër për t’u kthyer për të marrë familjen. Kësaj radhe hynë thellë në territorin e Tropojës dhe erdhën në Nikaj-Mërtur. Erdhën në Palç afër fshatit Salc, qëndruan te një njeri besnik gjatë natës dhe nga mëngjesi dolën në pyllin sipër fshatit Salc, në pritje për të zbritur nata dhe për të marrë familjet. Aty, një bari që po kulloste dhitë, i kishte parë këta dhe ai nuk bëri zë. Këta menduan që ai ishte njeri besnik sepse malet kishin një besë. Ne kishim ndarë të mirën e të keqen me të. Ai informoi organet e Sigurimit dhe gjithë kodrat përreth fshatit filluan që të mbushen me njerëz të armatosur, gjithë komunistët e fshatrave përreth, ata që kishin armë, dhe qëllonin drejt tyre. aty kishte betejë, d.m.th. plumbat flakëronin nga të gjitha anët. Dikush qëllonte në shenjë, pjesa më e madhe qëllonte veç në ajër sa për të justifikuar, sepse e dinin që po të vrisnin do të binin në gjak. Dikush e kishte edhe nga fisnikëria. Aty, në ikje e sipër, grupi shpërndahet. Në ikje e sipër vritet Ndrec Ufa, rrëzohet dhe bie mbi granatën që kishte me vete dhe aty vdes. Si gjithmonë, vendi i takimit ishte kulla e Bub Matoshit, ku si shenjë e bashkimit të grupit do të ishte një jorgan që do vendosej me të kuqe në gardhin e oborrit. Dhe ashtu u veprua, dhe grupi u bashkua dhe aty afër shtëpisë ka një kanion të madh, terren shumë i vështirë, por që këta e njihnin mirë dhe arritën që të largoheshin”, thotë Pëllumb Dedndreaj.

Në ish Jugosllavi, grupi i të arratisurve qëndroi rreth 5 vjet nëpër kampe. Eksperiencën e asaj periudhe të veshtirë e tregon vetë Bub Matoshi në intervistën e tij.

“Kemi ndenjur 3 ditë në Guci e mandej na kanë çuar në Androvicë.  Me 3 shtator ka ardhur Ministri i Punës së Cetinjes dhe na tha: duhet te futeni në punë patjetër se s’ka bukë, pa punuar. Kush nuk punon do ta kthejmë në kufi. Jam detyru me hy në punë. Kemi punua deri më 29 shtator te vitit 1948 dhe me 29, në mëngjes, na kane pru kamionat dhe na kane grumbullu nëpër kamionë. Kemi shku në Titograd. Ne të gjithë frikesohehsim se mos po na kthejne në Shqiperi. Dhe u bëmë gati për me vdek e mos me pranu me u kthy në Shqipëri”, tregon Bub Matoshi, duke vijuar më tej se ky kalvar do të vijponte edhe ca kohë derisa ti merrnin si emigrantë politik në Belgjikë.