Vendosja e regjimit komunist, në Shqipërinë e pas Luftës së dytë Botërore, imponoi në popullsinë vendase një stil krejt të ri jete, i cili ishte kryekëput ndryshe nga jeta e mëparshme. Koncepte të reja e krejt të panjohura do tu ofroheshin shqiptarëve në fshatra e në qytete.
Pika nevralgjike ishte prona, e cila do t’i nënshtrohej një politike që do ta shndërronte atë krejtësisht edhe si koncept. Pak nga pak dhe me forma të ndryshme, prona do të kalonte nga duart e privatit në ato të shtetit.
Ndryshimet që erdhën prej kësaj politike do të ishin shpesh agresive dhe shumë të ndjeshme, sidomos në fshat, ku jetonte afro 80 përqind e popullsisë, dhe ku regjimi zbatoi kolektivizimin e Bujqësisë.
Kjo politikë, dhe ky cenim i pronës private nxiti një prej desidencave më domethënëse në Shqipërinë komuniste, disidencën e fshatarëve, të cilët e kundërshtuan fuqimisht kolektivizimin si dhe shumë praktika të tjera të regjimit që e çonin drejt skllavërisë jetën e banorëve në fshat gjatë diktaturës.
Ngritja e kooperativave bujqësore që regjimi komunist e propagandonte sikur bëheshin me kërkesën e fshatarësisë, në të vërtetë ishin me detyrim nga strukturat e pushtetit. Pothuajse në të gjitha fshatrat e vendit kishte rezistencë për të mos u futur në kooperativa duke i parë ato si fundin e iniciativës së lirë dhe burimin e varfërisë së thellë në fshat.
Por si lindën kooperativat e para, si funksionuan ata në periudhën e ndikimit Jugosllav deri në vitin 1948, dhe pas këtij viti nën ndikimin Stalinist? Pse e kundërshtonin kolektivizimin, fshatarët shqiptarë dhe me çprapaskena vepronte pushteti për ti skllavëruar ata?
Viti 1946 shënoi për fshatarësinë dy ngjarje të rëndësishme: mbarimin e Reformës Agrare dhe fillimin e kolektivizimit të bujqësisë. Këto dy ngjarje ndryshuan tërësisht rendin ekonomiko-shoqëror në fshatin shqiptar, ndërsa Partia Komuniste e Shqipërisë i konsideronte si fitoret më të mëdha të saj.
Studiuesi Xhafer Sadiku tregon se “në vitin 1944, në nëntor të vitit 1944 kur Partia Komuniste mori pushtetin, nuk kishte shumë anëtarë në radhët e saj. Kishte 2 800, afërsisht 3 000 anëtarë dhe me aq, me atë përbërje nuk mund ta shtrinte dot pushtetin dhe nuk mund ta ekzekutonte dot pushtetin, nuk mund të ngrinte dot strukturat shtetërore në tërë Shqipërinë. Për këtë arsye, përdori pushtetin ushtarak, divizionet, ato që quhen divizione të mbrojtjes së popullit dhe divizione të tjera, d.m.th. 6 divizione në tërë Shqipërinë, në qarqe të ndryshme të vendit, për të ushtruar presion dhe për të mbajtur nën kontroll popullsinë.”
“Ishin jugosllavët që ndërtuan strukturat shtetërore të Shqipërisë, që ndërtuan, sepse s’kishin, siç thamë, nuk kishin kapacitet. Edhe në fushën e bujqësisë, politika jugosllave. Në fushën e bujqësisë ishte.... Kolektivizimi vullnetar dhe pa u detyruar fshatarësia të futej në kooperativë. Kush të donte hynte dhe kush nuk donte nuk hynte në kooperativë. Mënyra tjetër, ishte mënyra e shpërblimit që hynin në kooperativë. Do të kishte, shpërblimi ishte 40% në bazë të pronës që fuste fshatari në kooperativë dhe 60% në bazë të punës që kryente. Ishte pak a shumë si gjysmë kapitaliste po themi, kooperativat e asaj periudhe.
Megjithatë shqiptarët e kundërshtuan kolektivizimin sepse udhëheqja komuniste në atë periudhë u dërgoi komiteteve ekzekutive të rretheve që ishin atëherë, të nënprefekturave të rretheve, që të shikonin mundësinë, të bënin një studim, të shikonin ku të ndërtonin kooperativa, ku të ngrinin kooperativa. Nga raportet që ishin në atë periudhë, që i vinin Byrosë Politike, rezultonte se shumica absolute e fshatarësisë nuk pranonte ose komitetet e ndryshme të rretheve, që nga Tropoja e deri në Sarandë, nuk pranonin të ngrinin kooperativa”, shprehet studiuesi Sadiku.
Të gjithë ndryshimet që po ju imponoheshin fshatarëve, diktonin një rend të ri, i cili nuk pranohej prej tyre.
“U dukej diçka e çuditshme, si ka mundësi shqiptarët që ishin rritur me tokën, me pronën e tyre, në malet e tyre, në fshatrat e tyre, që kanë lidhje sepse fshatrat shqiptare sidomos fshatrat e vegjël dhe relativisht mesatarë, kanë lidhje fisnore, popullsia e atyre fshatrave. Madje shumica e tyre s’bënin as krushqi brenda tyre për shkak të lidhjeve që janë. Atëherë, si ka mundësi që të dorëzonte pronën, aq më tepër pastaj edhe kur të vinte dhe nga Jugosllavia, që kishin njëfarë ndjesie, kishin një vetëdije tjetër shqiptarët sepse ruheshin, sepse çdo gjë që vjen andej, thoshin, nuk është shumë pozitive, për të mos thënë që është diçka jo e mirë për ne, për Shqipërinë”, rrëfen Xhafer Sadiku.
Refuzimi kundër kolektivizimit ishte masiv, ndaj regjimi vendosi të ngrinte kooperativat e para , në fshatrat ku toka u ishte dhënë fshatarëve nga reforma agrare dhe ku e kishin më të lehtë për ti detyruar të pranonin kolektivizimin.
Me 24 tetor, 1946 u ngrit kooperativa e parë bujqësore në Krutje të Lushnjes, e krijuar nga 26 familje të cilat u organizuan në 3 brigada, njëra prej të cilave me gra dhe brigadiere po grua.
Gjatë muajve tetor- nëntor 1946 u ngritën edhe kooperativa, në Savër Lushnje, Dobraç në Shkodër, në Kamicë të Koplikut, në Tale e grykëlumë të Bregut të Mates, në Novoselë të Vlorës apo në Çiflig të Sarandës.
Deri në vitin 1948, procesi i kolektivizimit të bujqësisë do të ecte me hapa të ngadalte dhe do të hapeshin gjithsej 52 kooperativa.
Por gjendja do të ndryshonte në nëntor të vitit 1948, kur partia komuniste mbajti kongresin e saj të parë, dhe pas prishjes së marrdhënieve me Jugosllavinë, Enver Hoxha e shpalli të gabuar edhe politikën që ishte ndjekur deri më atëherë në bujqësi.
Në atë kongres u aprovua politika e re, staliniste për kolektivizimin e bujqësisë dhe zbatimi i direktivave të Stalinit dhe përvojës sovjetike në fshatin shqiptar.
Luftë kundër kulakut!
“Pastaj ndryshoi politika bujqësore, në vitin 1948, politika e Shqipërisë në përgjithësi sepse u lidhën, e braktisën titizmin dhe u lidhën me Bashkimin Sovjetik, d.m.th. zbatuan politikën staliniste në bujqësi. Por në qoftë se politika titiste në bujqësi ishte kolektivizimi vullnetar dhe shpërblimi ashtu siç e thamë, në bazë të pronës që kishe futur, sasisë së pronës dhe në bazë të punës që bëje në kooperativë, ndryshe ndodhte me politikën staliniste. Politika staliniste ishte zbatuar në Bashkimin Sovjetik në vitet 30, kolektivizimi i bujqësisë, ishte zbatuar në vitet 30 dhe ishte kolektivizim i dhunshëm. Kolektivizim i dhunshëm dhe ky kolektivizim në Bashkimin Sovjetik ishte bërë në bazë të parimit leninist, të tezës së Leninit, që do të thoshte: të ngremë kooperativat bujqësore duke u mbështetur te fshatari i varfër, në aleancë me fshatarin e mesëm, në luftë kundër kulakut.
Byroja Politike e Komitetit Qendror dhe Enver Hoxha, kryesisht Enver Hoxha, nxorën një shkresë, një dokument që titullohej: Karakteristikat e fshatarëve që do cilësoheshin kulakë. Ato ishin 17 karakteristika që, në qoftë se do të plotësoje 2-3, cilido fshatar mund të cilësohej kulak. Kulak nuk e dinin fare se çfarë ishte, në fakt shqiptarët s’e dinin sepse edhe si fjalë, çfarë do të thoshte, nuk e kishin idenë se çfarë do të thoshte kulak, sepse në qoftë se në Bashkimin Sovjetik, në atë kohën që u bënë kooperativat, ishte fshatarësia e pasur, ekzistonte fizikisht, ekzistonte dhe ishte pronare e tokave, në Shqipërinë e vitit 49 nuk ishte. Nuk kishte fshatarë të pasur që ta cilësoje kulak. Atëherë çfarë? Kryesisht u shpallën kulakë njerëz që kishin influencë, d.m.th. njerëz që u vinte influenca nga historia, nga e kaluara historike e fshatarësisë shqiptare, e cila kishte qenë p.sh., nëpër luftëra. Kush i kishte rezistuar pushtimit të huaj? Sigurisht, paria lokale. Në qoftë se elita politike ishte frymëzuese politikisht e rezistencës së shqiptarëve kundër pushtimit të huaj, ajo që e udhëhiqte lëvizjen shqiptare për të mbrojtur Shqipërinë, ishte paria lokale. Paria lokale që do të thotë: familje tradicionale që kishin shumë anëtarë, disa kurora, që kishin një organizim pune të mirë, se duke qenë edhe shumë anëtarë kishin edhe prodhime më të mbara dhe kishin edhe traditat shqiptare, mikpritja etj., etj. Këto ishin në krye të lëvizjeve për mbrojtjen e Shqipërisë kur ndodhte pushtime të huaja, kur kishte lëvizje kundër taksave të rënda e të tjera. Pra, atëherë këta duheshin bërë kulakë”, tregon Sadiku.
Regjimi i trembej pikërisht pushtetit ekonomik dhe influencës që kishte paria e fshatrave, dhe e përqendroi goditjen pikërisht tek kjo shtresë e fshatarësisë, sipas direktivave të Stalinit.
Në kongresin e parë të kooperativave Enver Hoxha tha ndër të tjera: “Reforma Agrare, nuk i la kulakut përveç një pjesë të tokës që më të shumtat e herës është barazi me atë të fshatarit të mesëm. Por, nuk mund kurrësesi ta dallojmë kulakun vetëm nga toka që posedon; atë sot duhet ta shohim edhe nga ana e mjeteve të prodhimit, si kafshët e punës, veglat, shtëpia ku banon, stallat, plevicat etj.
E kaluara rëndon mbi kulakun, kjo të mos neglizhohet në identifikimin e tij. Gjithashtu të mos harrohet influenca që ka patur ai në fshat e që e ka ushtruar atë shekuj me radhë duke pasur në duart e tij edhe pushtetin politik dhe atë ekonomik…”
“Nxorën pastaj kush ishte fshatari i mesëm dhe kush ishte fshatari i varfër. Fshatari i varfër, zakonisht familje të vogla që kishin pak anëtarë, që nuk punonin dot tokën sepse nuk mund të punosh dot tokën, disa aktivitete që ka familja fshatare nuk i mbulon dot me 2-3 që mund të jenë krahë pune në fshat. Atëherë rrjedhimisht ishin më të varfëra se të tjerat. Atëherë ndoqi këtë politikë. Këta që u cilësuan kulakë ai i shpalli armik, armik klase dhe dhunoi, ushtroi terrorin mbi ta me qëllim për të trembur të tjerët, për të trembur ata që u thoshin fshatarësi e mesme, por edhe fshatarët e varfër….”, kujton Xhafer Sadiku.
Rezistencë kundër kolektivizimit…
Në librin e historianit Xhefer Sadiku “Kooperatit bujqësore dhe disidenca e fshatarëve 1946-1991, jepen qindra raste, të dokumentuara, madje, në disa burime, të një dissidence të pastër ndaj regjimit nga mijëra familje fshatare në të gjithë Shqipërinë.
“Është një histori e tërë. Një disidencë jo vetëm si individë, por një disidencë masive. Kudo në Shqipëri, në Shkodër, në Sarandë, në Vlorë, në Korçë, kudo ka ndodhur i njëjti fenomen. Kishte raste pastaj si në një fshat të Dibrës… Të gjithë fshatarët shkuan në qytet, zbritën në Peshkopi, në komitetin e partisë së rrethit dhe kundërshtuan ngritjen e kooperativës së tyre. Në Berat, në fshatin, aty nga zona e Lapardhasë së Beratit, vajtën instruktorët e partisë, të deleguarit e partisë për të ngritur kooperativën. Nuk donin fshatarët. U ngritën të gjithë, nuk donin, mirëpo u ushtrua pastaj presion. Njërit i thanë që ty të mbërthejmë me shpatulla për muri, të bëjmë kulak. Tjetrit i thanë: ne të njohim ty, ti me Ballin ke qenë, ti ballist ke qenë. Ose në Korçë pastaj këta shpallën në një listë 500 veta, 500 familje i bënë kulakë. U morën nga 2 herë tatimet, për të njëjtën sasi prodhimi u morën nga 2 herë tatime”, rrëfen studiuesi.
Në Korçë këtë fenomen na e zbulon edhe një raport i kreut të Partisë në këtë rreth, i cili shkruan për 500 familjet korçare, të shpallura kulake: “Atyre u premë fletë detyrimet e dyta në një masë prej 60 deri në 100 për qind mbi detyrimin e parë. Në këtë mënyrë, një pjesë e tyre që kanë pasur tokat e dobëta dhe ekonominë e dobët, për t'i kufizuar nga ana ekonomike ne nuk i patëm parasysh këta faktorë, kështu që atyre u morëm edhe bukën e gojës, i vumë përpara pozitave të largimit nga fshati ose të arratiseshin…”
“Ka statistika pastaj se sa në një fshat me 100 familje, se sa kanë pranuar të hyjnë në kooperativë. Kanë pranuar 20, por jo 80 të tjerët”, thekson Sadiku.
Kjo statistikë, tregon disa fshatra ku ishin pyetur familjet nëse do të bashkoheshin në kooperativa dhe vihet re se shumica dërrmuese e familjeve nuk pranonin të futeshin në kooperativa. P.sh në fshatin Zvezdë në Korçë nga 227 familje, vetëm 31 kishin pranuar të futeshin në kooperativë, ose në jorgucat të Gjirokastrës ku nga 165 familje vetmë 27 kishin pranuar.
Kjo rezistencë madje u shoqëruar edhe me regres në disa prej kooperativat e ngritura tashmë, ku shumë anëtarë po kërkonin të dilnin nga kooperativat ku kishin hyrë. Ky fenomen u kthye në një shqetësim të madh për regjimin në vitin 1954 dhe po analizohej se ku ishin bërë gabimet në raport me fshatarësinë. .
“Në atë kohë ka qenë ministër i Bujqësisë Maqo Çomo, në atë kohë dhe e ngriti si problem në Byronë Politike ai, që nuk shkon, nuk shkon kjo mënyrë, - tha. D.m.th. ishte i vetmi që ngriti zërin, e quajti diçka shumë të rëndë që të kërcënoheshin fshatarët në atë formë”, shprehet studiuesi Sadiku.
Në një mbledhje të shkurtit 1954 ministri i Bujqësisë Maqo Çomo duke folur për kooperativat bujqësore të Beratit tha se “ jo vetëm janë shpejtuar për ti ngritur këto kooperativa por janë bërë edhe presione për ti future direkt, pa bërë një punë përgatitore me fshatarët. Në mbledhjen e asamblesë dilnin fshatarët të revoltuar dhe thoshin se ishin futur me zor”.
Më tej Çomo shton se: “…Qëndrimi i komunistëve kundrejt fshatarëve është shumë arbitrar, fshatarët detyrohen të mos flasin për ato që shohin e të mos kritikojnë në mes të fshatit gabimet e anëtarëve të Partisë”.
Politikat tatimore që e rrënuan fshatin socialist
Regjimi komunist ndërmori një varg masash për ti detyruar fshatarët të futeshin në kooperativa. Politika tatimore ishte mjaft e ashpër dhe ngjalli revolt e pakënaqësi në gjithë fshtarat e vendit. Tatimet mbi tokën, grumbullimi i detyruar i prodhimeve, marrja e tepricave, marrja e tokave pjellore dhe kompensimi me toka të dobëta larg shtëpive, etj, ishin një varg masash e ndërmerreshin për ta detyruar fshatarësinë të dorëzonte çdo pronë të saj dhe ti bashkohej kooperativës.
Politika tatimore zbatohej nëpërmjet ligjit të tatimit mbi ekonomitë bujqësore individuale fshatare dhe të cilësuarve kulakë.
Deri në fillim të vitit 1949 u zbatua sistemi i grumbullimit të detyrueshëm i të gjitha tepricave të drithërave. Çdo vit, në kohën e shirjeve, nëpunësi i grumbullimit shkonte në fshat tek fshatari dhe bënte llogarinë mbi prodhimin. Fshatarit i lihej buka për të gjithë pjesëtarët e familjes, në bazë të një norme të caktuar nga shteti dhe fara për mbjelljen e ardhshme. Pjesa tjetër konsiderohej tepëricë dhe merrej e gjitha nga shteti, duke ia blerë me çmim të ulët.
Por fshatarët nuk iu bindën kësaj politike. Shpesh e fshihnin bereqetin, ndërsa shteti merrte masa të rrepta, bënte kontrolle nëpër shtëpi, konfiskime dhe arrestime masive.
Strukturat e Partisë në rrethe raportonin se kishin lindur shumë pakënaqësira tek fshatarët e varfër, pasi tatimet ishin caktuar pa kriter të drejtë nga nëpunësit e tatimeve.
“U tatua toka, fshatari do të paguante sipas sasisë së tokës, ç’rëndësi ka se prodhonte apo nuk prodhonte. Edhe kjo i detyroi pastaj që të futeshin në kooperativa”, tregon Sadiku.
Dokumentet e shumta tregojnë pakënaqësi në qindra fshatra në të gjithë Shqipërinë. Në Lushnje fshatarët ankoheshin se "qeveria me këto taksa që na ka hedhur do të na rrjepë, do të na lejë të varfër etj.,", “kurrë ndonjëherë nuk kanë patur pemët taksë, një dru fiku do të paguhet 300 lekë takes….
Në Korçë thonin se "tatimi është i madh, gjatë luftës na thanë se nuk do të ketë taksa dhe tash po na i vënë prapë, do ti vënë çdo gjëje taksë".
Tatimet e rënda kishin bërë që fshatarësia të mos kishte interes të shtonte prodhimin, sepse, në fund të fundit tepricat do t'ia merrte shteti, me çmim të ulët.
Por, në fillim të vitit 1949 regjimi kaloi nga sistemi i grumbullimit të detyrueshëm të teprcave të drithit në sistemin e tatimit në natyrë të prodhimeve bujqësore. Sipas propagandës së regjimit, përmes kësaj politike të re tatimore nuk i merreshgin fshatarit të gjithë tepricat dhe ai mund ti shiste ato në tregun e lirë, gjë që sipas tyre nxiste fshatarin të punonte e të prodhonte më shumë.
Por kjo ishte thjeshtë dhe vetëm propagandë. Të vërtetën e zbulojmë në një raport të Mehmet Shehut, i cili e vë theksin tek shfrytëzimi i egër i fshatarësisë, pas vendosjes së regjimit të ri tatimor.
Në raport thuhet se fshatarët prodhonin me kosto të lartë, por regjimi ua blinte prodhimet nën kosto, në një kohë që produktet industriale fshatarëve ju shiteshin me çmime shumë më të larta.
Në një mbledhje të Byrosë Politike në shkurt 1951, Mehmet shehu u shpreh: “Me sistemin e ri, nuk i kemi lënë teprica fshatarësisë, ose i kemi lënë shumë pak. Në vitin 1948 ne i kemi hequr fshatarësisë të gjithë tepricat, ndërsa tani i kemi marrë edhe farën e madje edhe bukën në disa raste ja kemi prekur….”
Për të vjelë tatimet bujqësore nga fshatarët që bënin rezistencë regjimi përdori masa policore.
Të plotfuqishmit e grumbullimit ushtronin presion mbi fshatarët dhe shpesh i shoqëronin me policë për të firmosur fletë detyrimet dhe në fund kur nuk i shlyenin i burgosnin. Sipas dokumenteve vetëm në vitin 1950, u dënuan 1381 të akuzuar për mosshlyerje detyrimi.
“Megjithatë pati një disidencë të fuqishme jo vetëm në malësi, por edhe në kodra, zonat kodrinore, madje edhe në fusha, jo vetëm nga fshatarët që e kishin tokën e tyre se shqiptarët e kanë pasur 83-84% e shumë më shumë, e kanë pasur pronën e tyre, pavarësisht nga sasia e nga madhësia e tokës, por e kanë pasur pronën e tyre, jo vetëm nga këta, por edhe nga ata që kishin marrë tokë nga Reforma Agrare, në disa zona që ishin fermat bujqësore private por edhe shtetërore, që ishin prona të shtetit. Edhe këta rezistonin dhe nuk pranonin të hynin në kooperativë, sepse humbisnin lirinë, jo vetëm pronën por humbisnin lirinë. Dhe ata e dinin shumë mirë këtë.
Po të shikoni në Fontin e Partisë së Punës së Shqipërisë, sidomos sektorin e letrave, janë me mijëra letra të fshatarëve nga të gjitha zonat, që të vjen keq, ndonjëherë dhe, se si ka mundësi d.m.th., se problemi nuk qëndron se nuk njihej gjendja. Është tjetër gjë, kur nuk njihet gjendja, nuk e njoh gjendjen. Por të njohësh gjendjen reale të shtetasve të tu dhe t’i shfrytëzosh në atë mënyrë, është vërtet një, nuk merrnin masa. Janë letra pa fund. P.sh., në fshatrat e malësisë së Shkodrës, në fushën e Myzeqesë në Fier, në zona të tjera, në zonën e Përmetit, në zonën e Gramshit, në zonën e, në të gjitha zonat e Shqipërisë, nga të gjitha kooperativat”, rrëfen studiuesi.
Në letrën dërguar qeverisë disa fshatarë nga rrethi i Durrësit ankoheshin “…në katundin tonë kanë ardhur shokët...na kanë ardhur nëpër shtëpitë tona dhe na kanë propozuar që të hynim në kooperativë bujqësore...Pas refuzimit tonë në forma detyrimi na u imponua që neve të hynim në kooperativë se përndryshe nuk kishim më vend në katund, do të na merrnin tokat gjer në pikat e shtëpisë, do të konsideroheshim si armiq të popullit, do të tatoheshim me dyfishin e tatimit”
Kishte letra për padrejtësi se padrejtësi e madhe midis burokracisë së fshatit dhe fshatarëve që punonin, sepse ishte mënyra e ndërtimit, e krijimit të kooperativës, e organizimit të punës në kooperativë. Ose tjetra ishte ndarja e punës. Ndarja e punës bëhej sipas biografive. Fshati punonte i gjithi në tokë bujqësore p.sh., ose në blegtori, por ndarja e punës ishte në bazë të biografisë. Dhe jo biografisë që ti kishe vërtet, biografisë që të kishte bërë partia se biografinë shqiptarëve ua shkroi partia komuniste, fill sa mori pushtetin.
“Ankesat ishin për pamundësi, d.m.th. për varfërinë, d.m.th. nuk, merrnin pak, nuk u dilnin. Njëri nga Lekbibaj p.sh., i dërgonte letër e i thoshte. Ramiz Alisë ia dërgonte letrën, në 1989-n. Merrte vetëm, kooperativa e tyre, 5 lekë për ditë pune d.m.th. 50 lekë, pak më shumë se gjysmë kilogram sheqer ose gjysmë kilogram oriz. A mundet të punosh tërë ditën në bujqësi dhe të marrësh vetëm gjysmë kilogram oriz?”, kujton ai.
Nga ngritja e kooperativës së parë deri në përfundimin e kolektivizimit të plotë të bujqësisë, regjimit ju deshën plot 21 vite përpjekje dhe presione. Dhe është pikërisht kjo kohë e gjatë rezistence, që flet qartë për disidencën e fshatarëve ndaj regjimit komunist për dekada me radhë…
Komente













E para nuk është e vërtet që bashkimi nuk bënë fuqi.Pyetie ati 'dhkencëtar, kur është krijuar mkoperativae parë,ku,dhe përse?Kur ka përfunduar kolektivizimi?Çfarë ishin kooperativat dhe ndikimi i shtetit?Kur ka filluar përmirësmi i tokave bujqësor dhe A ishte e mundëshme zhvillimi intesiv i bujqësis me konceptin e ngastrave që dhe sot nuk është zhdukur?A mudej të ndërtoheshin mijra km kanale vaditës dhe rezervuar e ujëmbledhës.A mund të bëshë o shkencëtarkrahasimet në kohë në rendimente të Shqipëris në socializëm,në kapitalizëm si në bujqësie në blegtori që nga viti 1930 deri në1990 dhesot,si dhe në raport me fqinjët?Ka dhe më por je imcak jo nga trupi por nga mëndia.Të lutem lexo rilindasit dh në veçanti veprën:-Shqipëria çka qënë,çështë e çdo të bëhet,por JO NGA GËNJESHTARË E NIHILISTË.MJAFTË MË ME GOMARLLËQE SE ÇKOMTARIZUAT KOMBIN E RUDHËT MENDIMIN E MIRË TE TË RINJTË.
Përgjigju