Një nënë me foshnjen e saj 7 muajshe, ishte arratisur një natë të errët nga kampi i internimit në Berat, dhe pasi kishte kaluar rrethimin me tela me gjemba kishte nisur një kalvar të gjatë për t'u kthyer në malësi në Nikaj Mërtuar. Teksa shihte foshnjat që vdisnin çdo ditë në internim të sëmurë e të kequshqyer, dhe të varrosur buzë lumit Osum, i cili ua merrte eshtrat sa herë fryhej prej stuhive, ajo ishte betuar se do ta çonte gjallë a vdekur foshnjen e saj 7 muajshe në vendlindje.

Të paktën të kishte një varr ku ta qante. Por si do ta bënte e vetme gjithë atë rrugë në këmbë nga Berati në Nikaj, si do tu shpëtonte kontrolleve ajo e arratisur nga kampi i internimit, si do të ushqeheshin për 18 ditë me rradhë në atë shtegtim të paimagjinueshëm?

Gjithçka kishte nisur pas arratisjes së të shoqit me mbi 30 burra të tjerë të rezistencës për të mos rënë në duart e komunistëve. Butja si dhe shumë gra të familjeve antikomuniste të arratisura po përjetonte hakmarrjen e regjimit.

Mes atyre që duhej të paguanin çmimin më të lartë ishte edhe gruaja e Bub Matoshit, Bute  Brahim Dedndreaj, bije e Ndrevatajve nga Curraj Eper, një nënë që mbeti me tre fëmijë të vegjël, me i vogli shtatë muajsh dhe më i madhi gjashtë vjeç.

Ajo kishte ushqyer dhe përkujdesur për nëntë muaj burrat antikomunistë të rezistencës. Për këtë “krim” u arrestua nga Sigurimi së bashku me djalin e saj shtatë muajsh, Pjetër Dedndreaj.

Pëllumb Dedndreaj: Menjëherë, lajmi i arratisjes u përhap dhe Sigurimi nuk mund t’ia falte. Nuk mund t’ia falte arratisjen. Dhe kur fisi po festonte, ishte shtator dhe fisi po festonte Zojën e Mërturit, festën e shenjtores pajtimtare të fisit, Sigurimi mbërriti në fshat, filloi terrorin në të gjitha familjet e të arratisurve, filloi arrestimet. Aty u arrestua gjyshja ime Bute Dedndreaj së bashku me djalin 7 muajsh, ajo që kishte ushqyer dhe mbajtur grupin e rezistencës për 9 muaj.

Siç rrëfen Pëllumbi, bashkë megjyshen e tij, Buten, kishin arrestuar edhe Prendë Mark Dedndreajn me dy vajzat e mitura, Zojën dhe Lezen, si dhe Lulë Mirash Lekndreaj me vajzën trevjeçare, Zojën. Lula ishte shtatzënë dhe do të lindte vajzën e dytë, Pashkën, në kampin e internimit në Berat, e cila humbi jetën në muajin e shtatë të jetës pas transferimit në kampin e Tepelenës, ajo edhe sot rezulton pa varr.  Po ashtu edhe bashkëshortja e të arratisurit tjetër Gjon Bala, u arrestua bashkë me djalin e vetëm, Nduen, i cili vdiq gjithashtu në kampin e internimit, edhe ai pa varr. 

Kalvari i internimit do të ishte i rëndë, dhe aty, nis të shfaqet edhe forca mbinjërëzore e këtyre grave malësore.

Pëllumb Dedndreaj: U arrestuan dhe u çuan në Tropojën e vjetër. Në Tropojën e vjetër ishte qendra, ishte si qendër e rrethit asokohe. Aty u grupuan të gjitha familjet e të arratisurve dhe i shpërndanë në kampet e internimit. U nisën drejt Beratit me kamionë. Në kalanë e Beratit u vendosën nën tela me gjemba, me roje, me punë të detyrueshme, terrori, dhuna e gjithanshme ishte prezente, kequshqyerja, sëmundjet.  Aty filluan, nga sëmundjet dhe kequshqyerja, që të vdesin fëmijët e të arratisurve dhe Sigurimi, për të fshehur gjurmët e krimit, i varroste në rërën e Osumit, në zhavorrin e Osumit, që menjëherë sa të rritet lumi Osum nga shirat, të zhdukeshin dhe të shkonin në det.

Gjyshes sime i sëmuret djali Pjetri, dhe ai ishte pa shpresë, as nuk ushqehej, edhe gjiri kishte filluar t’i mbaronte se nuk kishte ushqim, nuk e mbante dot shpirtin e vet me aq ushqim sa kishte, edhe kjo u gjend në një vështirësi të jashtëzakonshme. Duke pasur parasysh se humbja e eshtrave është tragjike për një shqiptar, sidomos për malësorin, ajo iu betua vetes se, unë ose gjallë ose të vdekur, djalin do ta çoj në shtëpi, o të gjallë në shtëpi, o të vdekur në varrezat e veta, të të parëve të vet. Dhe ashtu bëri.

Thuri planin me mendjen e vet dhe një natë, pas mesnate, doli nga telat me gjemba dhe u gjend në rrugë. Nuk dinte as rrugë, as vend, as orientim, por busulla e një nëne, instinktet e një nëne janë shumë të forta kur i preket krijesa e vet. Vazhdoi rrugën. Në mëngjes orientohej nga dielli dhe kuptoi se në ç’drejtim duhej të ecte. Nuk kishte asnjë lloj informacioni. Ushqehej me ato pak fruta pylli që gjente, me misra nëpër ara se ishte koha e misrave, ishin të njomë e të pabërë akoma, flinte poshtë urave, flinte nëpër varreza gjatë ditës dhe vazhdonte rrugën kështu në drejtim të Nikaj-Mërturit, me djalin në shpinë.

Në një kohë po qëndronte në një palë varreza të Lushnjës. Ajo, kur varrezat vizitoheshin nga dikush tjetër, nga ndonjë i afërm që kishte të vdekur aty, ajo ulte kokën dhe qante pranë një varri që ishte si pa shenjë, që të mos diktohej se kush është. Në një rast, një grua shkon e ngushëllon dhe kjo vazhdon e qan dhe nuk flet sepse kishte frikë që do e njohë nga dialekti dhe do ta dorëzonte. Dhe gruaja largohet duke thënë: “E gjora grua, e paska lënë burri si mos më keq, me fëmijë të vogël”.

Duhej të kujdesej gjithmonë në kalimin e urave se ato kontrolloheshin. Pas gati 2 javësh arrin në Shkodër. Shkodra si gjithmonë rrinte e rrethuar dhe duhej të kujdesej për kalimin e urave të lumenjve në Shkodër. Me mundim të madh, duke survejuar shumë kohë, i kaloi urat dhe filloi të ngjitej drejt Dukagjinit.

Aty frutat ishin më të pakta, lodhja, stresi, mundimi, frika, ishin bërë aleatë të regjimit dhe kërkonin ta mposhtnin. Por ajo, sa hapa që hidhte më përpara aq forcë merrte. Arriti në malësinë e Dukagjinit dhe aty e dinte që nëpër përrenj ka mullinj, ndonëse ishin vitet e zisë së bukës. Ajo priste diku larg mullinjve sa ai që kishte shkuar për të bluar mbaronte dhe merrte atë miell e ikte për në shtëpi, kjo shkonte e fshinte, e merrte atë miell që gjente, e bënte në shuplakën e dorës dhe ia jepte djalit për t’i mbajtur shpirtin gjallë.

Ditë pas dite, arrin pas 18 ditësh, arrin në fshat, aty ndalon, falënderon Zotin që më në fund arriti dhe aty nuk duroi dhe i shpëtuan lotët. E dinte që edhe fshati është tokë e minuar, se nuk do zgjasë shumë pa ardhur Sigurimi në derë, por e dinte që djalin e çoi në shtëpi.

Menjëherë sa shkoi në shtëpi, u informua Sigurimi. Erdhën të gjithë, e kërkonin kush e ka ushqyer me bukë, kush e ka ndihmuar. Nuk besonin që një nënë mund të ishte kaq e fortë. Nuk besonin kurrë që një nënë mund të vinte nga Berati në këmbë në Nikaj-Mërtur. Edhe aty e arrestuan bashkë me djalin sërish, nën dhunë, nën terror. E çuan sërish në Tropojën e vjetër.

Siç rrëfen Pellumbi, në këtë moment kritik për familjen e tij, shfaqet mësuesi Ndue Gjelosh Progni, biri i një dere fisnike nga Nikaj-Mërturi, dhe me shumë inlfuencë në atë zonë, më vonë edhe ai i dënuar me burgim të gjatë nga komunistët.

Ai ndërhyri dhe u bë garant për jetën e Pjetrit e falë tij, djali shpëtoi pa u ndeshur edhe një herë me rrugën e mundimeve nëpër kampe të tjera internimi.

Në Tropojen e Vjetër ku ishte qendra e dorzimit të taksave dhe detyrimeve të çdo familje ishte ndodhur atë ditë edhe Linë Dedja, nëna e Prelë dhe Gjergj Sadrisë, e cila kishte shkuar për të dorezuar detyrimet e familjes së saj ndaj shtetit. E prekur nga vuajtjet e familjes Dedndreaj, mori Pjetrin në shpinë dhe e çoi në shtëpi, duke sfiduar rrugën e gjatë, lodhjen, rraskapitjen, urinë dhe frikën nga persekutimi, pasi po ndihmonte një foshnjë të shpallur armik.

Pëllumb Dedndreaj: Kurse gjyshja ime Bute u dërgua në kampin e Tepelenës kësaj radhe, ku ishin armiqtë më të mëdhenj të regjimit. Shkoi në kampin e Tepelenës. Aty gjeti të gjitha koleget e veta, gratë e të arratisurve me burrin e saj. Disave u kishin vdekur fëmijët, ishin pa varr, janë edhe sot pa varr dhe qëndroi aty deri në mbylljen e kampit.

 Vite më vonë nënë Butja I kishte rrëfyer nipit të saj vuajtjet e tmerrshme që kishin hequr në Tepelenë.  Në kampin e Turanit  ajo  kishte gjetur nënën fatkeqe të Gjelosh dhe Ndue Prognit, Sofinë, së bashku me dy rejat e saj, Zojën dhe Pulën, të cilat po vuanin pasojat e qëndresës së burrave të kësaj familjeje fisnike.  Njërin nga djemtë e saj, Nduen, e kishin vrarë, dhe ende sot nuk e ka nje varr, ndërsa Gjeloshin e kishin burgosur. Po në kampin e Tepelenës ajo kishte takuar edhe Drande Jaken, që ishte dërguar më parë së bashku me fëmijët e saj në atë kamp. Asaj do ti vdiste djali i mitur  ën kampin e Turanit, e për të mos lejuar që ti humbnin eshtrat e kishte zhvarrosur natën dhe për ditë me rrahë i mbante eshtrat e tij nën jastëk derisa doli nga internimi dhe varrosi pranë të parëve në fshatin e lindjes.  Ndryshe prej bahskëvuajtseve të saj, në atë vend ferr, nënë Butja të paktën ishte e qetë se fëmijët i kishte lënë  në fshat nëpër të afërm, me shpresë se do ti gjente gjallë kur të kthehej. 

Më pas e sollën në Lushnjë, në kampet e Lushnjës dhe më pas për 9 muaj me punë në Tiranë, ku po ndërtoheshin pallatet. Ajo thoshte Tirana e Re, por Tirana e Re quhej kudo se po ndërtohej dhe punoi 9 muaj në ndërtim pa asnjë gjë dhe në fund u kthye në fshat te familja e vet. Falë sakrificës dhe mundit të saj, djalin e shpëtoi dhe djali vazhdoi jetën.

Ndërkohë që familja kalonte këtë kalvar vuajtjesh ën Shqipëri,  përtej kufirit bashkëshorti i saj i arratisur jetonte me  ankthin e përditshëm dhe merakun për familjen e lënë pas. Siç dëshmon edhe vetë Bub Matoshi në intervistën e tij dhënë në fund të jetës në vitin 1990, kalvari i tyre nëpër kampe në ish Jugosllavi do të zgjaste për 5 vite, dhe vetëm në vitin1956 do ti nisnin për në Belgjikë si emigrantë politik. 

Gjatë gjithë kësaj kohe do të vuanin të dyja palët, të arratisurit në kampet jugosllave dhe familjet te tyre në kampet komuniste.

Historia e pabesueshme e Bute Dedndreajt që ishte arratisur nga kampi me gjithë foshnjen, kishte marrë dhenë edhe jashtë vendit. Ajo histori epike madje kishte mbërritur edhe në veshin e bashkëshortit të saj Bub Matoshit.

Pëllumb Dedndreaj: Është e çuditshme se edhe në atë kohë, në atë kohë kur vendi ishte i izoluar dhe kishte mungesë informacioni, edhe në emigracion ishte përhapur lajmi për ikjen e saj nga kampi i internimit. Edhe në atë kohë njihej për heroizmin e saj, për ikjen nga kampi i internimit. Atë nuk mund ta bënte kushdo. Kjo sikur i kishte dhënë krahë edhe gjyshit,

Ma kanë thënë shqiptarët në Paris më 1993 kur kam shkuar. Ata e kishin marrë vesh gojarisht atë, ose nga njerëz që janë arratisur nga Shqipëria, të mëvonshëm, ose ka shkruar dikush ndonjë letër që i ka shpëtuar Sigurimit.

Në Shqipëri, siç rrëfen Pëllumbi, hakmarrja do të vijonte gjatë, dekade pas dekade deri në ditët e fundit të regjimit..

Pëllumb Dedndreaj: Ishte një katastrofë e vërtetë. Vërtet unë kam përjetuar tmerr sepse ne, zona jonë është shumë e thyer, njëkohësisht edhe fshati është terren malor. Edhe kushtet e jetesës normalisht që do ishin të vështira, sidoqë të ishte, por kur kishe edhe sistemin që s’të linte të ecje asnjë hap përpara, kjo e bënte shumë të vështirë jetesën. Gjithmonë na ka ndenjur shtëpia e rrethuar, ndonëse midis malit. Gjithmonë na vinin policë, qëndronin rreth shtëpisë. Na vinin në festat fetare, a mos kemi ndezur qirinj, a mos kemi therur ndonjë pulë, d.m.th. kemi lënë shenjë diku. Gjithmonë. Unë jam rritur duke më thënë armik i betuar i popullit e i partisë, që kur isha fëmijë. Kjo e bënte të tmerrshme. Por im atë më thoshte: “Ti veç mëso, mo ki gajle, ti veç mëso se një ditë regjimi do të marrë fund, një ditë kjo e keqe do të ikë nga shqiptarët se nuk ka mundësi të zgjasë përjetësisht”.

Ishte e vështirë se gjithmonë armik, armik, që fëmijë armik, shkolla. Unë kam shkuar në gjimnaz ndonëse gjimnazin e kisha 3 orë rrugë për të shkuar, kam shkuar 2 muaj e gjysmë me vonesë se nuk më linin dhe aty. Imagjino që nuk kishte konvikt, nuk kishte asnjë gjë. Duhet të shkoja 3 orë rrugë për të shkuar, 3 orë për të ardhur. 6 orë rrugë në ditë, 4 vite i kam bërë. Dhe mandej nuk bëhej fjalë për shkollë të lartë derisa sistemi u rrëzua. Vëllai im dhe motrat e mia nuk patën asnjë lloj shansi për të vazhduar shkollën, nuk bëhej fjalë. Vetëm sa mbaronin 8-vjeçaren, i caktonin planin e punës, duhej të shkoje në kooperativë. Ishte e vështirë, ishte tejet e vështirë. Vështiresite me te medha ishin per Buten e cila do ti bënte ballë jetës e vetme me tre fëmijë të vegjël për të rritur,  dhe me hakmarrjen e komunistëve që I qëndronte mbi kokë si shpatë damokleu. Sofia, fëmija I parë ishte vetëm 6 vjeçë, Nikolla( babai i pëllumbit) ishte  vetëm 3 vjeç dhe Pjetri foshnjë 7 muajshe.

Të ndahesh nga i zoti i shtëpisë, të përballosh gjithë ato fatkeqësi radhazi, të përballosh dhunën, terrorin sistematik, ishte shumë e vështirë. Ishte shumë e vështirë të mbijetoje. Por një gjë kurrë nuk e kemi menduar, të lëmë vendin. Unë kam pasur mundësi, që pas, në demokraci, kam udhëtuar disa herë jashtë, kam pasur mundësi që të jetoj jashtë, por kurrë nuk e kam menduar të ndërtoj jetën diku jashtë sepse për këtë vend kemi mijëra vite që sakrifikojmë. Kemi jetuar në ato male me shumë mund e sakrifica, duke ruajtur gjithçka shqiptare. Nuk ka mundur askush të na ndërrojë asnjë gjë, nuk ka mundur kush të na ndërrojë kulturën, zakonet, doket, besimin, që kemi pasur fatkeqësi të jashtëzakonshme dhe i kemi përballuar, por pa u lëkundur.

 Në dosjet e Sigurimit….

Edhe  pse të ndarë, me peshën e mallit dhe merakun që i gërryente pa pushim, Bub Matoshi në emigrim dhe bashkëshorten Bute me fëmijët në Shqipërinë komuniste, familja siç dëshmon edhe Pëllumbi, do të përjetonin edhe presionin dhe survejimin e pandërprerë të Sigurimit të Shtetit. Në emigrim Bub Matoshi do të mbahej nën survejim të pandërprerë, e po ashtu edhe familja në Shqipëri. Kjo dëshmohet qartësisht në dosjen e tij të Sigurimit. 

Pëllumb Dedndreaj: Me hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, dosja e gjyshit tim dhe e familjes sime ishte një dosje traumatike. Aty kishte dokumente që gjërat mund të kishin shkuar edhe më keq. Unë kam gjetur dokumente që organet e Sigurimit kishin kërkuar skuadër pushkatimi për Nikaj-Mërturin që të qërojë çdo element që nuk i bindet pushtetit.

Aty kam gjetur dokumente që gjyshi im ishte përndjekur dita-ditës në Belgjikë dhe në Paris deri ditën e vdekjes që është mbyllur dosja. Kam gjetur të gjitha bisedat që janë bërë në festa familjare me shokët e vet që ishin të arratisur, që ishin vendosur në Paris. Por një gjë, unë s’e përdor shpesh krenarinë se për mua është diçka shumë e madhe, sinqerisht kur kam lexuar dosjen jam ndier edhe krenar sepse familja ime dhe njerëzit e mi e kanë përballuar diktaturën me shumë sukses. I kanë qëndruar përballë, kurrë nuk janë lëkundur, kurrë nuk kanë bashkëpunuar me të. Të gjitha tratativat për të bashkëpunuar me Sigurimin kanë dështuar. Familja ime ka qëndruar kristal dhe për këtë ndihem mirë dhe jam ballëlart çfarëdo që të bëjnë sepse jo të gjithë e kanë përballuar sistemin me dinjitet.

Nga gjithë ajo dosje voluminoze, Pëllumbi ndan një detaj domethënës që kishte shkaktuar ankth tek ata sidomos tek gjyshi në emigrim. Janë gjetur në dosjen e sigurimit, dhjetra letra që gjyshi jua shkruante apo ata ja conin atij të cilat nuk mbërrinin kurrë në destinacion, pasi Sigurimi i shtetit i mbante dhe i arkivonte.

Pëllumb Dedndreaj: Në dosjen e Sigurimit janë gjetur shumë letra që kurrë nuk kanë mbërritur në destinacion, që kanë mbërritur pas 70 vitesh në shtëpi, në familje, nga koha kur janë postuar. Gjyshi ka nisur letra nga Belgjika që s’kanë ardhur kurrë. Kanë ardhur vetëm kur mora dosjen. Ka nisur nga Parisi gjithë ato dhe irritohej se s’i kthejnë përgjigje. Dhe në njërën prej tyre thoshte: Pse, nuk është koha për të mhajtur hidhërimin me mua që kam ikur e ju kam lënë, pse s’më ktheni përgjigje? Unë ju shkruaj e ju s’më shkruani”. Në fakt, letrat nuk vinin sepse janë gjetur në dosjen e Sigurimit të gjitha, me shënimet përkatëse që të mbahen, mos t’i dorëzohen familjes.

Në këtë letër dërguar bashkëshortes Bub matoshi zbulon se prej 5 muajsh nuk merrte letra prej familjes pavaresisht se ai ju shkruante vazhdimisht.

Bute kaluen 5 muej qe nuk kam pmarrë letër prej jush, si asht puna, si nuk po shkrueni, e une po ju shkruej vazhdimisht, e përgjigje nuk po marr. Bute me datën 5.9 1958 ju kam nise  me anën e ministrisë të belgjikës, 11089 franga belge shuma 220 dollarë. Ju lutem  ma lajmroni marrjen e tyne sa ma parë….

Por as ai në Belgjikë dhe as bashkëshortja në Shqipëri nuk e dinin se pengesë për marrjen e letrave dhe parave ishte vetë Sigurimi i Shteitt. Për dekada me rradhe këto letra me shqetësimin e tyre brenda flinin në dosjet e Sigurimtit të shtetit.

Pëllumbi thotë se në atë dosje ka hasur edhe nëj fakt tronditës që dëshiron ta ndajë me publikun. Është një fakt i zbuluar në një dokument zyrtar që daton në kohën e arratisjes së bujshme të burrave të Nikaj Mërturit….

Pëllumb Dedndreaj: Është dokumenti i lëshuar nga organet e Sigurimit të Tropojës, ku i kërkonte Tiranës zyrtare, Ministrisë së Brendshme, skuadër pushkatimi pas arratisjes së gjyshit së bashku me 6 veta nga fshati, ku dosja skedohet për gjithsecilin. Në dosjen e gjyshit tim është gjetur ky dokument që kërkohej skuadër pushkatimi për Nikaj-Mërturin, se “ndryshe ata nuk marrin vesh, punët e partisë nuk ecin në këtë vend”.

Pëllumb Dedndreaj thotë se ishin të pafat deri në fund të regjimit. Kjo pasi nuk mundën ta shohin të gjallë Bub matoshin. Pak kohë para se të binte regjimi komunist ai do të mbyllte sytë në Paris pa mundur ta shihte sërish bashkëshorten e tij, fëmijët dhe sidomos pasardhësit që kishin lindur e rritur ne mungesë të tij.

Pëllumb Dedndreaj: Regjimi u soll në mënyrë të pashpirt me familjen tonë. Ne kishim ushqyer e mbajtur Rezistencën prandaj edhe pësuam gjithë atë disfatë gjatë regjimit. Më në fund po vinte demokracia, por edhe kësaj radhe fati nuk ishte në anën tonë e sidomos të gjyshes sime Bute Ded Ndreaj.

Në datën 7 maj 1990, Tirana vizitohet nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Havier Perez de Kuelar dhe nga qeveria e Tiranës merret premtimi për hapjen e Shqipërisë. Por nuk ishte e thënë që të takohej me burrin e vet, me njeriun që e kishte pritur aq shumë, me njeriun që kishte aq shumë mall për të sepse më 12 maj 1990, ai ndërron jetë në Paris dhe varroset në datën 16 maj 1990 në Paris, pa asnjë familjar, pa i hedhur kush ndonjë dorë dhé, dhe me një mall shumë të madh pasi kurrë nuk ishin parë, fëmijët e vet i kishte lënë shumë të vegjël edhe gruan e vet me gjithë ato mundime, edhe ditën e fundit nuk u gjend pranë.

Pëllumb Dedndreaj: Më 1997, unë shkova në Paris dhe ktheva eshtrat e gjyshit dhe i varrosa pranë të parëve të vet në Salc, Nikaj-Mërtur, duke mbyllur në njëfarë mënyre ciklin e vuajtjeve të pamerituara të kësaj familjeje.

Gjyshi i qëndroi besnik familjes gjatë gjithë kohës. Ai kurrë s’u martua. Gjithmonë u kujdes për familjen, gjithmonë u mundua të ndihmonte familjen, ndonëse Sigurimi e këto i kishin marrë gjithmonë, edhe letrat nuk i linin që të vinin në shtëpi, janë gjetur në dosjen e Sigurimit, dhe paratë që ka çuar shteti për shkollimin e fëmijëve, shteti belg dhe francez. Asnjë nuk janë marrë nga familja.

Me kthimin e eshtrave gjyshja u gëzua shumë, në fakt. Ç’është e vërteta, më thoshte: “sikur ma ke prurë gjallë, kam pasur mall tërë jetën, kam vuajtur për të, gjithçka ia kam falur, sot për mua është një gëzim sepse e kam në varrezat e mia dhe kurdo që të vdes kam për t’u varrosur krah tij, si ditën që jemi ndarë”. Më falënderonte duke më shikuar e duke iu dridhur buzët. “I kam rritur fëmijët, - thoshte, - si zogjtë e malit, përballova regjimin, përballova gjithçka e vetme por me shumë dinjitet, kurrë nuk u përkula, e sot jam e gëzuar që liria po vjen, komunizmi po merr fund, kjo e keqe për shqiptarët dhe unë jam e lumtur që të la ty prapa në liri”.