Kanë qenë oficerët e kësaj prokurorie që janë paraqitur në ambientet e burgut ku qëndrojnë të izoluar të arrestuarit për dosjen e kokainës së Xibrakës, që u kanë komunikuar akuzat.
Pritet që shumë shpejt dosja ti referohet Gjykatës së Krimeve të Rënda, për shqyrtim gjyqësor. Ndërkohë mësohet se për këtë çështje kanë shfaqur interes dhe prokurorët kolumbianë,vendi i origjinës nga transportohej lënda narkotike Kokainë.
Prokuroria e Kolumbisë kërkon të dhëna nga homologët e tyre shqiptarë mbi rolin dhe aktivitetin e dy shtetasve kolumbianë, të cilët u arrestuan bashkë me disa shtetas shqiptarë në operacionin “Xibraka”.
Një prokurore speciale kolumbiane, Y. Martinez, zhvilloi të mërkurën një takim me drejtues dhe prokurorë të çështjes tek Krimet e Rënda, ku u njoh me provat e autoriteteve shqiptare në ngarkim të Cesar Avila dhe Valther Moreno.
Dy shtetasit kolumbianë u arrestuan në 14 janar 2015, në brendësi të një ish-magazine, të shndërruar në laborator përpunimi të lëndës narkotike kokainë, në Xibrakë, pranë Elbasanit.
Së bashku me dy shtetasit kolumbianë, u arrestuan edhe disa qytetarë shqiptarë, pjesë e një grupi të organizuar që dyshohej se sillnin në Shqipëri kokainë të papërpunuar dhe pasi e pastronin, e dërgoni në tregun ilegal gjerman.
Tashmë që Prokuroria për Krime të Rënda deklaron se është në fazën e mbylljes së hetimeve, roli i dy kolumbianëve në këtë grup kriminal ka qenë si laburantë (përzierës), mirëpo veprimtaria e tyre ka ngjallur interes edhe për autoritetet hetimore të vendit të tyre.
Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)