Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar  ka shtyrë këtë të hënë seancën ndaj Fatime Kryemadhit, Pirro Xhixhos, dhe Ema Çokut, pasi dy avokatët e kësaj të fundit nuk u paraqitën në sallë. Burime të Report TV mësojnë se avokatët kishin kërkuar shtyrje pasi ishin të angazhuar në procese të tjera.

Duke qenë se Çoku mbeti pa përfaqësim ligjor, seanca ku priteshin të paraqiteshin konkluzionet përfundimtare nuk mundi të vijonte. Në sallë ishte e pranishme vetëm Ema Çoku, ndërsa Fatime Kryemadhi dhe Pirro Xhixho u përfaqësuan nga avokatët e tyre. Seanca e radhës u caktua më 8 qershor, në orën 12:00.

Nëna e Monika Kryemadhit dhe mikesha e saj Ema Çoku akuzohen për pastrim parash ndërsa ish kreu i AKEP Pirro Xhixho është i pandehur për korrupsion. Çështja ndaj tyre, pjesë e dosjes META, u nda veçmas me 11 maj kur gjykata vendosi të aplikonte gjykimin e shkurtuar që nënkupton se çështja shqyrtohet mbi aktet e administruara nga prokuroria, pa një proces të plotë hetimor në sallë. Në rast se të pandehurit shpallen fajtorë, ata përfitojnë ulje të dënimit me një të tretën.

Ndërkohë, sipas të njëjtit vendim,  ish bashkëshortët Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi të pandehur për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie do të gjykohen në një proces të zakonshëm.  Ilir Meta mbahet në burg që prej 21 tetorit të vitit 2024.

Dosja kundër tij përfshin tre hetime në një, aferën CEZ-DIA, skandalin e lobimit të LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.  Kryemadhi-Meta, tashmë ligjërisht të divorcuar, akuzohen se ndër vite kanë ushtruar pushtetin e tyre për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme dhe kanë fshehur burimin e tyre duke përdorur edhe familjarët.