Konstitucionalisti Çlirim Gjata i ftuar në studion e Report Tv për të komentuar zhvillimet e fundit nga gjyqësori në lidhje me Vettingun, por edhe atë që po ndodh në organin e akuzës deklaroi se procesi i kontrollit më parë duhet të fillonte nga politika. Sipas tij, këtë lloj drejtësie në gjithë këto vite e ka prodhuar politika. Duke u ndalur te çështja e Adriatik Llallës, që aktualisht ndodhet në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe të hënën do të vendoset nëse do të përballet me Vettingun, pasi hoqi dorë nga sistemi i drejtësisë, Çlirim Gjata tha se nëse nuk do të kishte përplasje me ambasadorin amerikan nuk do i kishte këto pasoja.
Vettingu të fillonte nga politika. Këtë lloj drejtësie e ka prodhuar politika për ta pasur. Merruni me pasuritë e politikanëve, çfarë kanë. Ndërkohë që pse nuk janë dërguar në ndjekje penale atë që janë shkarkuar nga puna? Adriatik Llalla? Po mos të kishte përplasjet me ambasadorin amerikan nuk do i kishte këto pasoja
Çlirim Gjata
Në vitin e fundit të mandatit të tij, Llalla pati konflikt të hapur me ambasadorin e SHBA në Tiranë Donald Lu, duke e akuzuar këtë të fundit si person që kishte ndikuar tek ai për arrestimin e Ilir Metës dhe për mbylljen e një procedimi penal në Fier për një kompani nafte. Nga ana tjetër Lu e ka quajtur Llallën si person të korruptuar dhe që ka dashur të pengojë reformën në drejtësi.
Pas largimit të Llallës nga posti i kryeprokurorit, Departamenti i Shtetit ndaloi publikisht hyrjen e Adriatik Llallës dhe familjes së tij në Shtetet e Bashkuara, me argumentin se “ka informacione për përfshirje të tij në raste domethënëse korrupsioni”. Ndërkohë që Llalla po hetohet nga Krimet e Rënda për disa vepra penale; “Refuzimit për deklarim, mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimi i rremë i pasurise, interesave private të zgjedhur dhe nënpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për për deklarim”, “Mosdeklarimit të shumave të të hollave ne kufi”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale“ dhe “Shpërdorimit të detyrës”. Ish-kryeprokurori Llalla prej disa muajsh jeton në Gjermani.