DOSJA/ Përgjimi në Prokurori që kryqëzoi Rexhep Rrahjan

DOSJA/ Përgjimi në Prokurori që kryqëzoi Rexhep Rrahjan

Xhisiela Maloku

Zbardhet kronologjia e gjithë debatit mes Xhisiela Malokut dhe djalit të deputetit të PS Rahman Rrahja, Rexhep Rrahja, i cili dy ditë më parë u arrestua me urdhër të gjykatës së Krujës. Një përgjim i kryer në ambientet e Prokurorisë së Krujës kryqëzon Rexhep Rrahjan, që tashmë ndodhet i akuzuar për “përndjekje” të Xhisiela Malokut. Gjatë ballafaqimit në Prokurori midis Rexhep Rrahjas dhe Xhisiela Malokut, në datën 29 shtator 2018, pas urdhrit të Porkurores Mirela Kapo janë interceptuar bisedat e zhvilluara në ambientet e Prokurorisë Krujë ndërmjet te hetuarit Rexhep Rrahja dhe viktimës Xhisiela Malokut dhe sërish viktimës Xhisiela Maloku dhe shtetases Suada Zela.

Sipas Prokurorisë rezulton se “I hetuari Rrexhep Rraja, me të cilin ka pasur lidhje dashurore e dëmtuara Xhisiela Maloku, me qëllim krijimin e gjendjes së frikës dhe ankthit, duke e detyruar të dëmtuarën që të mos ti japi fund lidhjes së dashurisë që kanë patur më parë, në mënyrë të përsëritur dhe sistematike ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj shtetases Xhisiela Maloku, fakt i cili konfirmohet nga akti i ekspertimit mjeko-ligjor dhe këqyrja fizike e shtetases së dëmtuar”. Nga burime mësohet se gjatë qëndrimit në të njëjtin ambient Rexhep Rrahja i ka thënë vajzës “Se ti nuk do të shkosh kurrë me njeri tjetër”. Po kështu ai i ka thënë vajzës se babai i tij, pra deputeti Rrahman Rrahja, nuk do që ai të takohet më me Xhisielën. Gjithashtu djlai i ka kërkuar llogari vajzës se pse ajo ka gënjyer për armën, pasi ai nuk ka pasur armë gjatë debatit të tyre. Në këtë rast vajza pranon se ka gënjyer për armën. Pra nga biseda duket se djali ka quajtur gënjeshtër vetëm akuzën për goditje me armë, por indirect ka pranuar dhunën, pasi nuk e ka akuzuar Xhisielën se ka gënjyer për dhunën. Pas këtij përgjimi Prokuroria e ka akuzuar për “përndjekje” djalin e deputetit dhe e ka cilësuar të nevojshme që ndaj Rexhep Rraja të caktohet një masë sigurimi personal duke qenë se ekziston rreziku që të prishi provat dhe rreziku i ikjes.

Dëshmia në Prokurori

Maloku, ka shpjeguar në prokurori se është keqtrajtuar, por herë pas herë është përpjekur ta zgjidhi çështjen në mënyrë private. Sipas saj, Malokut nuk është e vërtetë që konflikti ka ardhur pas një parakalimi me makinë, siç pretendon ish-i dashuri i saj Rexhep Rraja. Ndërkohë vajza e dëmtuar ka pohuar se oficeri Gentian Çitozi, ka shtrembëruar thënien e saj të dhëna në polici me qëllim lehtësimin e pozitës juridike të Rexhep Rrajës. Ky i fundit prej disa vitesh ka qenë në një raport dashurie me viktimën Xhisiela Maloku. Palët janë njohur para shtatë vitesh në komunën Nikël të qytetit të Krujës dhe mes tyre ka pasur një raport intensive, lidhje dashurie. Më konkretisht Xhisiela Maloku me banim në komunën Nikël, fillimisht në datën 21.07.2018, pranë komisariatit numër tre të qytetit të Tiranës, ka kallëzuar faktin  se në mënyrë të përsëritur, në episode të përsëritura dhe prej një viti përndiqet  nga ana e shtetasit Rexhep Rraja. Në datën 21 korrik 2018 përpara oficerit në stacionin e Fushë–Krujës Xhisiela Maloku është shprehur se ka ardhur pranë këtyre ambienteve me qëllim që të tërheqë kallëzimin e bërë pranë komisariatit nr.3 Tiranë pasi gjithçka është bërë për motive xhelozie. Po në datën 21 korrik 2018 rezulton nga aktet e procedimit penal në ngarkim të oficerit të policisë gjyqësore Gentian Çitozi është rregjistruar procedimi penal për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” lidhur me veprimet e paligjshme dhe trajtimin prefrencial në ngarkim të të hetuarit Rexhep Rraja. Gjithashtu rezulton se faktet e referuara nga ana e oficerit të policisë gjyqësore janë referuar në mënyrë të cunguar me qëllim lehtësimin e pozitës proceduriale të shtetasit Rexhep Rraja.

“Nuk të vras dua të vuash”

E ripyetur lidhur faktin penal, në datën 23 korrik 2018 e dëmtuara Xhisiela Maloku shprehet se në vazhdimësi përndiqet nga ana e shtetasit nën hetim Rexhep Rraja dhe se në datën 19 korrik 2018 pasi është telefonuar nga ana e të hetuarit në mënyrë konsistente dhe janë takuar në vendin e quajtur “hotel Boci” me vendodhje në rrugën e Rinasit, hotel në të cilën i hetuari ka kërcënuar me armë, i ka thyer telefonin vajzës. “…sapo janë futur në dhomë përsoni i hetuar ka filluar të ushtroj dhunë duke e goditur me shkelma, i ka fikur cigaren në trup duke i thënë“-trego ku do shkosh se do të të vras..këtu”. Shkak për këtë është bërë një sms dërguar viktimës nga rrethi shoqëror i saj, konkretisht nga shtetasja Suela Zela, këto kërcënime i hetuari i ka vazhduar për 15 minuta duke i thënë viktimës “…nuk do të të vras, do të të plagos..dua të vuash e jo të vdesesh direkt..”. Në datën 20 korrik 2018 viktima është paraqitur pranë komisariatit nr.3 të qytetit të Tiranës me qëllim paraqitjen e ankimit…Po në datën 20.07.2018 viktima dhe i hetuari janë takuar me njëri-tjetrin dhe i hetuari i ka kërkuar të falur duke ju lutur. Viktima është shprehur në mënyrë eksplicite se: ”…Mu duk shumë i penduar dhe vendosa ti jap një mundësi tjetër…në një moment kur i thashë do shkoj në polici ai u friksua dhe më kërkoi të mos të bëja diçka të tillë…”.

“Rraja u orvat të më dhunonte”

Më pas viktima në datën 23 korrik 2018 është paraqitur në Stacionin e Policisë Fushë Krujë dhe brenda është hasur me të hetuarin Rraja. Madje dhe brenda komisariatit të policisë në stacionin e Fushë-Krujës, viktima parashtron faktin se “…Rexhep Rraja u orvat të më dhunonte…”. Sikundër shprehet viktima në vijim të deklarimeve të saj, Oficeri i policisë gjyqësore Gentjan Citozi ka shkruar gjëra të cilat viktimës i janë servirur të mirëqëna me qëllim lehtësimin e pozitës proceduriale të autorit të dyshuar. Dhe lidhur me këtë paligjshmëri ka shprehur pakënaqësitë e saj në rrugë ligjore pranë Sh.Ç.B.A Durrës. Me qëllim kryerjen e një hetimi të plotë, të paanshëm dhe objektiv janë marë të dhëna në dobi të hetimit nga viktima në datën 30 korrik 2018 ku ndër të tjerash kjo e fundit shprehet se “...në datën 19 korrik 2018 është ushtruar dhunë ndaj saj në vendin e quajtur hotel Boci.. pavarësisht se ka qëndruar në hotel nuk ka kryer marrëdheni seksuale me të hetuarin.. më pas dola unë e para dhe ai erdhi më pas duke më përqafuar dhe duke më bërë lajka…shqetësimet e mia ja kam shprehur edhe rrethit shoqëror…në fillim të vitit 2018 kemi bërë një deklaratë pranë inspektorit të zonës së Fushë-Krujës se jam sqaruar me shtetasin Rexhep Rraja, kjo gjë ka ardhur si pasojë e një kontradite që kemi pasur…”.

Deklarata e pajtimit “Sherri për parakalim”

Nga një hetim i thelluar, rezulton se në fashikullin hetimor në datën 28 shtator 2018 është administruar një deklaratë pajtimi mes shtetaseve Anida Maloku, motra e të dëmtuarës, Xhisiela Maloku dhe Rexhep Rraja. Në deklarim shprehet se palët kanë parakaluar me mjetet e tyre dhe gjatë një manovre të gabuar të mjetit janë konfliktuar por më pas çdo gjë është s’qaruar. Kjo deklaratë rezulton të jëtë e fillim vitit 2017. Gjithashtu e dëmtuara shprehet se lidhur me dhunën e ushtruar nga ana e të hetuarit përpara muajit korrik të vitit 2018 nuk disponon foto apo nuk ka marë ndihmë të kualifikuar ligjore.Gjithashtu viktima është kanosur edhe nëpërmjet rrjetit social “Instagram” nga ana e të hetuarit me një adresë profili false në datën 22 korrik 2018. Komunikimet telefonik me të hetuarin i ka mbajtur nga numri i saj i telefonit por i hetuari e ka telefonuar përherë me numra telefonik anonim. Gjatë këqyrjes së këtij rrjeti social nuk është evidentuar një fakt i tillë dhe lidhur me sa më sipër viktima shprehet se duke qenë se profili ishte anonim çdo gjë shuhet automatikisht.

Pamjet filmike

Me qëllim verifikimin e pretendimeve të kallëzueses lidhur më dhunën e ushtruar përkundrejt personit të saj pranë ambienteve të hotel “Boçit”, në datën 26 korrik 2018 janë marë të dhëna në dobi të hetimit nga ana e punonjësit të recepsionit të këtij hoteli i cili shprehet se nuk ka dijeni pasi s’ka qenë në hotel deklaruesi.Referuar procesverbalit të këqrjeve të pamjeve filmike të mara nga oficeri Emiljano Nuhu, saktësohet se orari i pamjeve filmike përkon me orarin real. Nga këto pamje filmike shfaqet vetëm dalja nga ambientet e hotelit të viktimës dhe autorit të dyshuar ku mbështet deklarimet e viktimës sipas së cilës në fillim del viktima dhe më pas autori i dyshuar dhe shfaqet gjithashtu fakti se palët përqafohen me njeri-tjetrin, çka përligj dhe mbështet deklarimet e viktimës se ajo është mikluar nga ana e të dyshuarit me qëllim që të mos shkoj në organet ligjzbatuese. Konkretisht në kamera personat me interés për hetimin shfaqen gjatë orës 18.00 dëri në datën 18.29.33 të datës 19 korrik 2018.

Me qëllim përcaktimin e dëmtimeve në trupin e viktimës, në datën 27 shtator 2018 është administruar akti mjeko-ligjor sipas së cilit:

1. Në trupin e shtetases Xhisiela Maloku u konstatuar një dërmishtje në shpatullën e djathtë, dy dërmishje në pjesën anësore të kofshës së djathtë, ekimoza në pulpën dhe kërcirin e këmbës së majtë me lokalizim dhe karaktersistikat e përshkruar në akt.

2. Dërmishtja në shpatullën e djathtë dhe ekimozat e vërejtura në pulpën dhe kërcirin e majtë, janë shkaktuar nga mjeti mbretës. Dy dërmishtjet e vërejtura në kofshën e djathtë janë shkaktuar nga veprimi i faktorëve termik sic mund të jetë edhe cigarja.

3. Dëmtimet e mësipërme hyjnë në kategorinë e dëmtimeve të cilat sjellin për pasojë humbjen e aftësisë së përkohshme në punë në masën dëri në nëntë ditë.

Është e vërtetë fakti se gjatë deklarimit të datës 23.07.2018, viktima referon faktin se cigarja në trupin e saj është shuar nga i hetuari në kofshën e djathtë cka gjen unison edhe në aktin e ekspertimit mjeko-ligjor si më sipër.

Pyetja e rrethit familjar të vajzës

Më qëllim vjeljen e të dhënave me interes për hetimin është pyetur rrethi familjar dhe shoqëror i viktimës ku shtetasja Anida Maloku, motra e viktimës shpreht ndër të tjerash se “...motra e saj me Rrajën, janë lidhur qysh prej shtatë vitesh por prej një viti çifti zihet dhe ripajtohet pas debateve të shumta mes tyre, por ndarja përfundimtare e tyre ka qenë në muajin korrik të vitit 2018.Në po këtë muaj motra e viktimës ka konstatuar shenjë dhunë të lehta në trupin e Xhisielës. Konkretisht në mënyrë eksplicite deklaruesja shprehet se “them…shenja të lehta pasi as nëna e saj nuk i ka kuptuar këto shenja..”. Motra i është shprehur se ishte konfliktuar me të dyshuarin por fakti i që ky i fundit ka ushtruar dhunë ndaj viktimës motra e saj e ka marë vesh vetëm në fund të muajit korrik teksa ka shoqëruar motrën e saj për në komisariatin e Krujës. Gjithashtu vetë motra i është shprehur se nuk është përdhunuar nga ana e të hetuarit por më tepër nuk i konfirmonte motrës së saj Anidës.

Dëshmia e nënës

Me anë të procesverbalit të datës 28 shtator 2018 Valbona Maloku e ëma e të dëmtuarës, parashtron se “…unë me vajzën nuk komunikojmë me njëra-tjetrën, nga mediat mora vesh se ka një djalë…nuk kam konstatuar asnjë shenjë dhune…vajza nuk më ka shprehur asnjë shqetësimin…”. Kontakti shoqëror i viktimës shtetasja Eriselda Seferi në datën 28 shtator 2018 shprehet se Xhisiela i ishte shprehur se është konfliktuar më Rexhepin me të cilin prej kohësh kanë lidhje intime por viktima nuk i është shprehur lidhur me dhunë të ushtruar. Shtetasja Suada Zela, për të cilën viktima pretendon se qysh në krye të herës ka dijeni dhe e ka shoqëruar në ambientet e hotel “Boci”, shprehet se Xhisielën e ka shoqëruar për në komisariatin e Fushë-Krujës dhe ajo i ka treguar lidhur me mosmarrëveshjet që ka pasur me të dashurin e saj, të dyshuarin Rexhep Rraja por nuk i është shprehur për asnjë episod dhune. Ndodhur në kushtet kur mes thënieve të viktimës dhe deklarueses Suada Zela ka mospërputhje lidhur me dijeninë e episodit të dhunës ushtruar pranë ambienteve të hotel “Boci” në datën 29 shtator 2018 janë ballafaquar thëniet mes shtetaseve Suada Zela dhe Xhisiela Maloku. Referuar procesverbalit përkatës rezulton se e dëmtuara shprehet se:”Suada nuk ka dijeni për dhunën e ushtruar nga Rexhepi përkundrejt meje”.

“Kërkesë për ndarje ma kërkoi Rexhepi”

Ndërkohë në datën 29 shtator 2018 është ripyetur viktima e cila shprehet se“…Unë jam njohur me shtetasin Rexhep Rraja ne vitin 2012 dhe i kam prishur mardhënjet me të në vitin 2017. Kjo prishje e lidhjes tona ka qënë kërkesë e Rexhepit fillimisht në muajin Maj 2017. Prishja përfundimtare mes nesh ka qënë në muajin Korrik 2018, kohë kur unë kam bërë kallëzim në polici ndaj Rexhepit...”. Përndjekja nga ana e shtetasit Rexhep Rraja përkundrejt meje ka filluar në muajin Korrik 2017 duke më ndaluar në rrugë, duke më dalë përpara rruge dhe duke më telefonuar herë pas here me numër të fshehur, duke më detyruar që unë të qëndroja me të dhe me asnjë tjetër. Pavarësisht se unë i kam thënë që nuk doja të vazhdoja lidhjen me të, por unë jam kthyer përsëri tek ai dhe për shkak të frikës dhe për shkak të dëshirës time. Sikundër e theksova më sipër ndarja ime përfundimtare me të ka qënë në muajin Korrik 2018. Pas ndarjes përfundimtare në muajin Korrik 2018, nga ana e Rexhep Rraja nuk kam pasur asnjë shqetësim, ndërsa sikur e theksova më sipër, pas ndarjeve kalimtare ai gjithmonë më dilte në rrugë dhe më detyronte të kthehesha me të.

Vajza: Konflikti jo për makinat

Lidhur me deklaratën e lëshuar nga shtetasi Rexhep Rraja unë po njihem vetëm në këto momente, nuk është e vërtetë që jemi ngatërruar për punë makinash, por e vërteta qëndron ndryshe. Mua më ka marrë në telefon Rexhepi dhe më ka pyetur se ku je, dhe unë i jam përgjigjur se jam në Qafshtamë me motrën. Nga telefonata që kisha me Rexhepin, ai filloi të më bërtiste në telefon dhe ai ka ardhur me makinën e tij tip “Audi A6” me targa “AA666PG”, i cili na ka ndalur në rrugë dhe u konfliktuam me fjalë. Motra ime u frikësua dhe ka thirrur policinë në telefon duke qënë se Rexhepi komunikonte me tone të larta dhe jemi shtyrë me njëri-tjetrin. Policia erdhi dhe këtë deklaratë unë e kam nënshkruar me vullnetin tim të lire, por nuk jam në dijeni të deklaratës së lëshuar nga Rexhep Rraja me të cilën u njoha sot”.

Rraja: Tërhiq kallëzimin

Më datën 20 korrik 2018 Rexhep Rraja më ka telefonuar nga numri i shtetasit Ramazan Rraja dhe më ka thënë që të tërheq denoncimin. Dua të them që në këtë ditë ai më është lutur nga telefoni që unë të tërhiqja denoncimin.

“Rraja më ka telefonuar me numër të fshehur.Kur unë kam bërë kallëzimin në Tiranë, jam telefonuar nga shtetasi Ramazan Rraja për ta takuar, por gjithashtu nga ky numër telefoni më ka telefonuar disa herë edhe Xheni. Dua të sqaroj se rrjeti social “Istagram” egziston si opsion që personi që të shkruan,në rast se të bën “Bllok”, biseda fshihet automatikisht. Gjithashtu dua të shtoj se nuk kam patur shqetësime në profilin tim facebook, apo mesazhe të karakterit kërcënues...pavarësisht mbrojtjes që më ka ofruar prokurorja e çeshtjes, nuk kam pranuar dhe nuk pranoj pasi nuk ndihem e kërcënënuar dhe nuk kam nevojë për mbrojtje.

Dëshmia e Rexhep Rrajës

I pyetur lidhur me faktin penal i hetuari është shprehur se gjithçka është produkt i një sajese të ish të dashurës së tij, shtetases Xhisiela Maloku me qëllim që të hakmerret për lidhjen e saj të dashurisë. i ripyetur më datë 29 shtator 2018 i hetuari parashtron në mënyrë të qartë se “Deklaroj se nuk kam ushtruar aspak dhunë ndaj saj. Përsa i përket ditës që pretendon se unë e kam takuar, jemi takuar miqësisht dhe nuk kam pas asnjë lloj mardhënje me të. Gjithashtu deklaroj se unë nuk mbaj armë zjarri dhe s’kam...Me shtetesen Xhisiela Maloku jam njohur para disa vitesh, nuk e mbaj mënd saktësisht dhe para një viti e gjysëm i kam shkëputur marëdhënjet me të. Lidhur me deklaratën e pajtimit të vitit 2017... Po është e vërtetë, pasi ishte një automjet që unë nuk e njihja në rrugën e Qafshtamës, bënte manovrime në rrugë duke më rrezikuar mua jetën. Ngaqë nuk njoha automjetin, debatova nga automjeti në automjet dhe pashë që në timon ishte Anida Maloku bashkë me të motrën Xhisiela Malokun. Pasi vajzat kishin njoftuar policinë lidhur me debatin për rrugën, aty erdhi policia dhe pasi na shoqëroi në polici, kemi nënshkruar këtë deklaratë....nuk është e vërtetë që unë ta kem telefonuar me numra të tjerë telefoni, por kam biseduar me Xhisielen dhe me numra të tjerë të afërmve të mijë, pasi ajo merrte vetë dhe kërkonte që të dilja unë në telefon. Ndërsa më datë 21 korrik 2018 unë nuk e kam telefonuar shtetasen Xhisiela. Pasi u njoha me aktin e ekspertimit mjeko-ligjor dua të them se unë nuk kam lidhje fare me këto dëmtime dhe nuk di se ku mund ti ketë marrë ato”-ka pohuar Rraja në prokurori.

Telefonata anonime

Nga këqyrja e tabulateve telefonike, rezulton se në datën 19 korrik 2018 ditën e ngjarjes, e dëmtuara mësazhon kontakti shoqëror i saj Suada Zela në orën 05:54 dhe qelizat e Malokut shënojnë zonën që mbulon Rinasin. Kjo konfirmon pretendimet e viktimës që ka qenë në zonën e Rinasit dhe që shkak i dhunës së ushtruar nga ana e të hetuarit ka qenë sms i ardhur nga shoqja e saj Suada. Por viktima nuk ka kontakte telefonike me numrat e telefonit të të hetuarit. E pyetur lidhur me këtë fakt ajo shprehet se i hetuari e ka marë disa herë në telefon,krahas mënyrës anonime, dhe nëpërmjet numrit të telefonit në përdorim të shtetasit Ramazan Rraja,c’ka konfirmohet nga këqyrja e tabulateve telefonike.

Dënimi i mundshëm/ Akuza për “përndjekje” më e rëndë se ajo për dhunë

Rexhep Rrahja u arrestua nga prokuroria e Krujës me akuzën për “përndjekje”. Nga dëshmia që Xhisiela Maloku ka dhënë në polici e prokurori ajo e akuzonte edhe për dhunë djalin e deputetit të PS-së, por prokuroria ka vendosur që të mos ta ndjekë penalisht për dhunë. Në fakt prokuroria jo vetëm që nuk i ka bërë favor djalit të deputetit, përkundrazi. Akuza për përndjekje nëse vërtetohet dënohet më rëndë se dhuna. Për prndjkejke dënimi shkon nga 6 muaj në 4 vite, ndërsa për atë shkallë dhune që akuzohet Rrahja nga gjobitje deri në 6 muaj burg.

Neni 90

Dëmtime të tjera me dashje

Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune, përbën kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar paaftësi të përkohshme në punë deri në 9 ditë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj.

Neni 121/a

Përndjekja

Kërcënimi ose ngacmimi i personit me anën e veprimeve të përsëritura, me qëllimin për t’i shkaktuar një gjendje të vazhdueshme dhe të rëndë ankthi apo frike për sigurinë vetjake, të një të afërmi ose të një personi, me të cilin ka lidhje shpirtërore, apo për ta detyruar të ndryshojë mënyrën e tij të jetesës, dënohet me burgim nga gjashtë muaj gjer në katër vjet.

Kur kjo vepër kryhet nga ish-bashkëshorti, ish-bashkëjetuesi apo personi që ka pasur lidhje shpirtërore me të dëmtuarin, dënimi rritet me një të tretat e dënimit të dhënë.

Kur kjo vepër kryhet ndaj të miturit, gruas shtatzënë ose një personi të pazotë për t’u mbrojtur, si dhe kur kryhet nga një person i maskuar ose shoqërohet me mbajtjen ose me përdorimin e armëve, dënimi rritet deri në një të dytën e dënimit të dhënë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Parrucjani: 02/10/2018 10:59

    Rexhepo. Paske ken toç komplet. Me ba burg per kyt bundrren?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)