Ndërsa në Shqipëri ndodhin përditë lajme befasuese, për fat të mirë, së fundmi, edhe lajme optimiste si turizmi apo sporti, ndërsa jeta rrjedh drejt një normalizimi shpresëdhënës, diku, në institucione shtetërore, në kafene miqësore, në tavolina interesash, simpatish, miqësish, partish, klanesh, fisnore, biznesi, modifikohen dhe zbuten akte të rënda dhune që u panë nga të gjithë shqiptarët.

Bëhet fjalë për atë që pamë të gjithë: vërshimin e djalit të ish-deputetit socialist Rrahman Rraja, Rexhep Rraja, i cili me shokë e fis, iu sul dy vëllezërve Maja me pistoletë e shkopa bejsbolli sepse “po guxonin të protestonin për shpërthimet e guroreve të Rrajave”.

Ajo dhunë, e publikuar me mendjemadhësi dhe mendjelehtësi nga vetë Rrajat, pati disa pasoja politike të lehta me dorëheqjen e deputetit, por pasojat ligjore, ato që do të duhej të ishin të palëkundura në drejtësi sociale, po lëkunden.

Nëse të dhunuarit kërkojnë ndihmë, ulërasin dhimbje, poshtërimin e pësuar, atyre iu thuhet se: Çfarë keni? Doni dëmshpërblim? Mirë jeni! Mund t’ju kishin vrarë!

Në fakt, nëse vëllëzërit Maja do të ishin vrarë nga shkopat e kërcënimet e Rrajave, këta të fundit do të ishin duke gëzuar të mirat e grumbulluara. Problemi më i madh i Malajve, që u rrahën nga Rrajat, është se mbetën gjallë dhe se kanë gojë të flasin.

Problemi i dytë, por jo më i vogël, është se u rrahën nga shqiptarë. Sepse po të ishin rrahur nga grekë, malazezë apo serbë, do të merrnin solidaritetin e të gjithëve. Pra, e keqja mund të vijë nga të tutë dhe duhet të mbyllësh gojën.

Nëse një mjek deri tani ka lehtësuar dhunën fizike, një prokurori, ligji dhe shoqëria duhet të dijë të masë dhe dhunën psikologjike dhe sidomos peshën e rëndë të përçmimit që njerëz me pushtet apo pasuri, kudo ata qofshin dhe këdo që ata përfaqësojnë, bëjnë ndaj më të brishtëve.