Prokuroria e Posaçme ka dhënë konkluzionet përfundimtare për një nga fraksionet e dosjes “Revanshi”, duke kërkuar mbi 127 vite burg në total për 12 të pandehur. Hetimet e bazuara në komunikimet e aplikacionit SKY ECC zbuluan një rrjet të gjerë kriminal të përfshirë në atentate, trafik dhe përplasje të dhunshme mes grupeve.

***

“Sigurim kushtesh për kryerjen e vrasjeve” dhe “grup të strukturuar kriminal”, janë akuzat që rëndojnë për 12 të pandehurit e parë të dosjes “Revanshi”, për të cilët sot prokuroria kërkoi dënime të ashpra, në total, 127 vite e 6 muaj burgim.

Dënimet më të rënda, me nga 15 vite burg, janë kërkuar për Astrit Avdylin dhe Emiliano Shullazin. Ndërsa për 10 të pandehurit e tjerë, dënimet variojnë nga 9 deri në 10 vite burg. Në rast se shpallen fajtorë, ata përfitojnë uljen e një të tretës së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Në kuadër të operacionit, në maj të vitit 2024, u arrestuan 20 persona, 14 prej tyre në Shqipëri dhe 6 jashtë vendit, përkatësisht në Itali, Gjermani, Spanjë dhe Belgjikë. Në total, për këtë dosje u kërkua arrestimi i 51 personave, ndërsa hetimet zbuluan bashkëpunimin e 7 grupeve kriminale në Tiranë, Durrës, Lezhë, Fushë-Krujë, Kurbin, Shijak dhe Rrëshen.

Një nga episodet e hetuara lidhet me planin për eliminimin e Durim Bamit, ku dyshohet për përfshirjen e disa personave, mes tyre anëtarë të familjes Avdylaj dhe persona të tjerë të njohur për drejtësinë. Nga zbardhja e komunikimeve në aplikacionin SKY ECC, Avdyli bashkëpunonte dhe thurte plane me grupin e ish-deputetit socialist Arben Noka dhe grupin e Ervis Martinaj për të ekzekutuar Bamin.

Ndoka ishte i interesuar pasi dyshonte se Durim Bami kishte marrë pjesë në vrasjen e vëllait të tij, Aleksandrin, ndërsa Martinaj dyshonte se ai bashkëpunonte me kundërshtarët e tij, Indrit Dokle e Leonard Duka. Për kokën e Bamit u ofrua të ndihmonte dhe Emiljano Shullazi  e Astrit Avdyli të cilët ndodheshin atë kohë në qeli. Sipas dosjes Emiljano Shullazi kontaktoi një nga të besuarit e tij, për ta angazhuar në vrasjen e Bamit si dhe siguronte informacione për lëvizjet e tij, të cilat ia dërgonte Arben Ndokës.

Atentatet ndaj Durim Bamit dështuan, dhe ky i fundit bëri aleancë me grupet e kundërshtarëve të Martinajt duke tentuar pa sukses vrasjen e tij, derisa mbreti i bixhozit u zhduk pa gjurmë.

Pretenca e SPAK për të pandehurit:
Astrit Avdyli – 15 vite burg
Emiliano Shullazi – 15 vite burg
Naim Stafuka – 9 vite burg
Blerim Abazi – 10 vite burg
Besian Xhixha – 10 vite burg
Enver Diva – 10 vite burg
Robert Laçi – 10 vite burg
Gjergj Cukali – 10.6 vite burg
Viktor Imeraj – 10 vite burg
Satilno Basho – 10 vite burg
Miri Bruli – 9 vite burg
Xhelal Rraja – 9 vite burg

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.