Gazeta greke “Documento” ka zbardhur detaje të reja nga dosja “Sky ECC” në Greqi, ku u zbuluan disa grupe kriminale me lidhje me njëra-tjetrën, të cilat trafikonin drogë nga Shqipëria e Spanja.
Një prej personazheve të implikuar në këtë dosje, është edhe 27-vjecari Aleksandër Sadikaj, i vrarë në Tiranë në vitin 2022.
Sipas dosjes hetimore, Aleksandër Sadikaj rezulton përdorues i “Encrochat” me kodin “loneeagle” dhe i “Sky ECC” me PIN “BSPN6M”.
Sadikaj, sipas dosjes, është person me precedent kriminal në Greqi, i skeduar edhe me mbiemrin Kalemi. Policia greke e ka hetuar atë në këtë dosje prej marsit 2020, ku rezulton drejtues i organizatës kriminale, me rol në trafikimin e marijuanës nga Spanja e Shqipëria për në Greqi.
Gazeta greke ka zbuluar edhe një episod trafiku droge, të shoqëruar me një transfertë 400 mijë euro, ku rezulton i përfshirë 36-vjeçari nga Korça, Denis Grabocka.
Më 5 maj 2020, në orën 20:30, në portin e Civitavecchias, një qytet pranë Romës, autoritetet italiane arrestuan U.P., shtetas grek. Ai ishte drejtuesi i një kamioni me targa bullgare në pronësi të kompanisë bullgare Zion Trans.
Brenda kamionit u gjetën 133 pako me 144 kilogramë marijuanë.. Ato ishin fshehur në “çanta”, të përziera me mallra nga gjashtë paleta detergjente dhe 15 paleta të tjera veshjesh.
Shoferi kishte qenë në kontakt me “milanmilan”, një llogari e paidentifikuar e aplikacionit “Encrochat” dhe, me sa duket, kishte marrë ngarkesën nga diku në Barcelonë të Spanjës, me urdhër të Denis Grabockes, kreut të grupit.
Përdoruesi “milanmilan”, sipas provave në dosje, ka pasur rolin e ndërlidhësit për llogari të grupit në Spanjë dhe gjente mallin që e sillte në Itali dhe Greqi. Për këtë sasi, lidhja e panjohur deri tani në Spanjë, ka marrë 400 mijë euro përmes sistemit “Hawala”, pas një urdhri të Denis Grabockes, kreut të organizatës së dyshuar kriminale, për një tjetër anëtar të paidentifikuar.
I njëjti person, “ultrarhino” siç është edhe pseudonimi i tij në aplikacionin “Encrochat”, duket se ka bërë vizita të përsëritura në një dyqan në Aharnon për llogari të organizatës, pasi një javë pas kapjes së ngarkesës në portin italian ka shkuar dhe ka dorëzuar 60 mijë euro të tjera, të cilat kanë mbërritur të nesërmen në Madrid, përmes sistemit “Hawala”.