Dosjet e vjetra,40 kompetencat
e Byrosë, pse trembet Berisha

Dosjet e vjetra,40 kompetencat<br />e Byrosë, pse trembet Berisha
Katër janë arsyet se pse Sali Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij gjatë pushtetit të parë dhe të dytë, i tremben ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorisë së Posaçme. Së pari, ka rënë kufizimi kohor sa i takon çështjeve dhe dosjeve që mund të hapë Byroja Hetimit, për llogari të Prokurorisë së Posaçme.

Sali Berisha tentoi të përjashtonte veten dhe ish-ministrat nga objektit i SPAK, duke kufizuar në kohë hetimet vetëm pas rotacionit politik në 2013, po pas reagimeve të forta hetimet e SPAK u zgjeruan, duke u shtrirë në të gjithë periudhën e pluralizmit në Shqipëri.

Së dyti, objekt i Byrosë së Hetimit do të jenë kryengritjet dhe grushtet e shtetit, vepra të cilat janë konsumuar në 14 Shtator të ’98, por që orkestruesit nuk dolën asnjëherë para togave të zeza. Referuar kompetencave të parashikuara në ligjin e SPAK, Byroja mund të hapë dosjen e gushtit të shtetit në 14 Shtator të ’98, por edhe vrasjen e Azem Hajdarit, Gërdecin, 21 Janarin, skandalin me Rrugën Durrës-Kukës etj.

Së treti, Prokuroria e Posaçme mund të ngrejë akuzë ndaj një dyshuari për një krim ekonomik apo njerëzor vetëm me një dëshmitar. Në legjislacioni e ndryshuar, mjafton që një dëshmitar të rrëfejë detaje dhe rrethana të besueshme rreth çështjes, që dosja të referohet në Gjykatën Speciale.

Së katërti, Byroja e Hetimit, për hetimin e çështjeve të nxehta dhe sensitive, do të asistohet nga ekspertë të FBI. Pjesëmarrja e FBI në hetimin e çështje të caktuara është parashikuar në draftin për SPAK, i cili pritet të finalizohet me votë në Parlament. Nga ana tjetër, përfshirja e FBI i zhvesh palët e prekura nga alibia se, hetimet ndaj tyre kanë prapavijë politike.

40 kompetencat Byrosë
Zbardhet fusha e veprimtarisë së plotë së Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila në bashkëpunim me FBI do të hetojë krimin dhe korrupsionin elitar në Shqipëri, për llogari të Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatave Speciale. Shqiptarja.com detajon të gjitha veprat penale, të cilat do të jenë objekt dhe juridiksion i Byrosë së Hetimit dhe Prokurorisë së Posaçme, të quajtura ndryshe SPAK.

Struktura e re hetimore do të ketë në kompetencë 40 vepra penale, duke nisur që nga korrupsioni i funksionarëve të lartë dhe deri tek komploti, atentatet, kryengritja, krimet e luftës, rrëmbimi i avionëve etj. Prioritet i Byrosë së Hetimit janë veprat dhe akuzat penale kundër kryeministrit dhe ish-kryeministrave, presidentit dhe ish-presidentëve, ministrave dhe ish-ministrave, deputetëve dhe ish-deputetëve, gjyqtarëve, ish-gjyqtarëve etj., të parashikuar në Kushtetutën e re si dhe më gjerësisht në ligjin për SPAK.

Përpos krimeve tejet të rënda si genocidi, komplotet dhe terrorizimi, Byroja e Hetimit do të jetojë korrupsionin pasiv të funksionarëve dhe ish-funksionarëve të lartë shtetërorë, parashikuar në nenin 260 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet nga katër deri në dymbëdhjetë vjet burg.

Po ashtu, objekt i Byrosë do të jetë edhe korrupsioni aktiv i nëpunësve të huaj publikë, parashikuar në nenin 244/a të Kodit Penal. Kompetencë e SPAK do të jetë gjithashtu korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë, parashikuar në nenin 319 të Kodit Penal, i cili parashikon një dënim nga një vit deri në katër vjet.

Në fokus të strukturës së re do të jetë edhe korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë, vepër penale e cila dënohet deri në 10 vjet burg.

Roli i FBI
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me anë të ekspertëve të FBI dhe të drejtësisë penale, do të mundësojnë mbikëqyrjen dhe kontrollin e veprimtarisë së Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke marrë pjesë edhe në hetime të caktuara. Në ligjin për SPAK, janë parashikuar edhe ekipe të përbashkëta hetimore mes Shqipërisë-SHBA-BE, për të gjitha veprat penale në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës Speciale. Ekipet e përbashkëta hetimore do të bazohen në konventat ndërkombëtare, konkretisht, në nenin 13 të Konventës së Bashkimit Evropian për Ndihmën e Ndërsjelltë Ligjore.

Angazhimi i amerikanëve
Amerikanët kanë këmbëngulur për rolin e FBI, çka reflektohet edhe në një deklaratë të fortë të John Smibert, përfaqësues i misionit të OPDAT-it në Shqipëri, gjatë një mbledhjeje të komisionit për Reformën në Drejtësi. “Kjo është që ju të keni një EULEX të ri këtu, por nënkuptohet që të jenë ata ofrues të ndihmës, që ekzistojnë tashmë, dhe të caktojnë personat, të cilët do të jenë pjesë e këtij komisioni. Ju, nëse doni një marrëveshje ndërkombëtare vetëm nga kjo e kaluar, e miratuar nga senati në SHBA, kjo gjë nuk ndodh. Nëse ju i doni paratë nga FBI-ja, që të jenë këtu të pranishme, dhe FBI-ja të ofrojë ndihmën e saj, atëherë hapja e këtij procesi është e nevojshme dhe pjesë e këtyre marrëveshjeve dypalëshe, janë të nënshkruara mes Departamentit të Shtetit dhe Shqipërisë”, ka deklaruar Smibert.
 
Byroja
Struktura e re hetimore do të ketë në kompetencë 40 vepra penale, duke nisur që nga korrupsioni i funksionarëve të lartë dhe deri tek komploti, atentatet, kryengritja, krimet e luftës, rrëmbimi i avionëve etj.
 
Berisha
Tre janë arsye se pse Sali Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij, gjatë pushtetit të parë dhe të dytë, mund t’i tremben ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatave Speciale.
 
Funksionarët në shënjestër të SPAK
Presidenti i Republikës, ish-presidentët
Kryetari i Kuvendi, ish-kryetarët e Kuvendit
Kryeministri, ish-kryeministrat
Ministrat, ish-ministrat
Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, ish-gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese
Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, ish-gjyqtarët e Gjykatës së Lartë
Prokurori i Përgjithshëm, ish-kryeprokurorët
Inspektorit të Lartë të Drejtësisë
Kryetarit të Bashkisë, ish-kryebashkiakët
Deputetët, ish-deputetët
Zëvendësministrat, ish-zëvendësministrat
Anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor
Anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë,
Drejtuesit e institucioneve qendrore, ish-drejtuesit e institucioneve qendrore
Drejtuesit e institucioneve të pavarura, ish-drejtuesit e institucioneve të pavarura 
 
Neni 46 i SPAK
Komisioni i Pavarur i Rishikimit

 
1. Komisioni i Pavarur i Rishikimit i Byrosë Kombëtare të Hetimit përbëhet nga ekspertë të drejtësisë penale, të caktuar nga misionet e Bashkimit Evropian dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Çdo mision cakton përfaqësuesit, të cilët japin udhëzime dhe këshilla ekspertësh për një funksionim më të mirë dhe për zhvillimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
 
2. Komisioni i Pavarur i Rishikimit vëzhgon në mënyrë aktive procesin e rekrutimit dhe trajnimit të punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, vendimet për të shkarkuar punonjës të Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe sigurinë respektimin e ligjeve në fuqi.
 
 


Veprat penale në kompetencë të Byrosë dhe Prokurorisë së Posaçme
Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë, dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet.
Korrupsioni aktiv i nëpunësve të huaj publikë, dënohen me burgim, nga gjashtë muaj gjer në tre vjet.
Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë, dënohen me burgim nga një vit deri në katër vjet.
Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë, dënohen me burgim nga tre deri në dhjetë vjet.
Çelja e depozitave ose e llogarive bankare, anonime ose me emra fiktivë, dënohet me burgim deri në tre vjet.
Genocidi, dënohet jo më pak se dhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
Krime kundër njerëzimit, vrasjet, zhdukja me forcë, shfarosjet etj., dënohen jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
Krimet e luftës, si vrasja, keqtrajtimi ose dëbimi, dënohet jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
Vrasja për gjakmarrje, dënohet jo më pak se tridhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
Vrasjet në rrethana të tjera cilësuese, dënohet jo më pak se njëzet vjet ose me burgim të përjetshëm.
Vrasja e funksionarëve publikë, dënohet me burgim jo më pak se tridhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit.
Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare.
Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit, burgim jo më pak se njëzet vjet dhe, kur është shkaktuar vdekja, me burgim të përjetshëm.
Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, dënohet deri në pesëmbëdhjetë vjet, kur vepra ka sjellë si pasojë vdekjen, dënohet me burgim të përjetshëm.
Trafikimi i personave të rritur, dënohet nga dhjetë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
Rrëmbimi i avionëve, anijeve dhe mjeteve të tjera, dënohet nga dhjetë gjer në njëzet vjet.
Trafikimi i të miturve, dënohen nga dhjetë deri në njëzet vjet.
Atentati, dënohet jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
Komploti, dënohet nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
Kryengritja, nga pesëmbëdhjetë gjer në njëzet e pesë vjet, udhëheqësit me burgim të përjetshëm.
Vepra me qëllime terroriste, jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
Financimi i terrorizmit, jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
Fshehja e fondeve dhe e pasurive të tjera, që financojnë terrorizmin, jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet.
Rekrutimi i personave për kryerjen e veprave terroriste, jo më pak se dhjetë vjet.
Stërvitja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste, jo më pak se shtatë vjet.
Thirrja publike për kryerjen e veprave me qëllime terroriste, nga katër deri në dhjetë vjet.
Prodhimi i armëve luftarake, nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
Organizata terroriste, dënohet nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
Banda e armatosur, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.
Nxitja e urrejtjes ose grindjeve, dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet.
Pjesëmarrja në veprime luftarake në një shtet të huaj, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.
Organizimi për pjesëmarrje në veprime luftarake në një shtet të huaj, dënohet nga tetë deri në pesëmbëdhjetë vjet.
Thirrja për pjesëmarrje në veprime luftarake të dhunshme në një shtet të huaj, dënohet me deri në tre vjet.
Trafikimi i armëve dhe i municionit, dënohet nga dhjetë gjer në njëzet vjet.
Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive, dënohet nga dhjetë gjer në njëzet vjet.
Trafikimi i narkotikëve, dënohen me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet.
Organizimi dhe drejtimi i organizatave kriminale, dënohet nga 10 deri në 20 vjet.
Organizata kriminale, dënohet me burgim nga katër deri në tetë vjet.
Grupi i strukturuar kriminal, dënohen me burgim nga tre deri në tetë vjet. 


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Begaj: Shqipëria, një portë e mirë hyrëse e biznesit italian në Ballkanin Perëndimor

Presidenti Begaj: Shqipëria, një portë e mirë hyrëse e biznesit italian në Ballkanin Perëndimor