Serie A e futbollit në Itali mbylli të hënë raundin e 20-të. Në "Brianteo" vendasit e Monzës fituan 2-1 kundër Fiorentinës. Ndeshja nisi e ekuilibruar, ndërsa Monza kaloi në epërsi në minutën e 44 me Ciurria duke e mbyllur pjesën e parë në avantazh.
Fraksioni i dytë nisi me raste dhe duhej minuta e 63 që Daniele Maldini të gjente golin e dytë për Monzën duke vendosur "tri pikët në sirtar". Miqtë nga Firenze shkurtuan shifrat me penalltinë e kthyer në gol nga Beltran, por goli shërbeu sa për statistika.
Ky sukses është i dyti për Monzën këtë sezon dhe me 13 pikë gjenden sërish në vendin e fundit të Serie A. Duket se Fiore po kalon një moment "jo" pasi në pesë ndeshjet e fundit nuk ka asnjë fitore dhe për më tepër shënjon katër humbje. Me 32 pikë "Violat" mbeten në vendin e gjashtë dhe kanë një ndeshje më shumë se Milani që gjendet në vendin e tetë me 28 pikë.