Ndalimi i publikimit të pjesëve nga hetimi, që dëmtojnë personat nën hetim apo të pandehur dhe kategori të tjera në draftin e ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale parashikohet me një zgjerim të plotë të neneve 103 dhe 104 të ligjit aktual.
Ndalohet shpërndarja, apo publikimi, qoftë edhe i pjesshëm, i akteve të procedimit penal që janë të mbrojtura nga sekreti hetimor, si dhe i përmbajtjes së tyre, nga organet proceduese, i pandehuri dhe mbrojtësi, viktima ose trashëgimtarët e tij, si dhe nga ekspertët ose persona të tjerë që kanë marrë dijeni mbi aktet për shkak të cilësive të tyre zyrtare.
Drafti parashikon ndalim edhe i akteve hetimore paraprake që nuk janë të mbrojtura nga sekreti hetimor, ndërkohë që parashikohen mekanizma ankues për viktimën dhe penalizues për shkelësit.
Por në fund të nenit të gjatë 103, është futur pika 14, e cila flet për rolin e medias dhe gazetarëve në të gjithë këtë histori.
Sipas ligjit të propozuar kur një gazetar bie në zotërim të këtyre dokumente ato duhet t’i drejtohen gjykatës për të marrë leje për publikim.
“Regjimi i parashikuar nga ky nen për palët e treta zbatohet edhe për dokumentet që tashmë kanë në zotërim. Në rastin e të tretëve dhe veçanërisht gazetarëve, mediave, që zotërojnë tashmë të dhëna që bien në regjimin e këtij neni, ata mund t’i kërkojnë gjykatës kompetente të shkallës së parë autorizimin për publikimin e të dhënave. Gjykata kompetente shqyrton kërkesën duke u mbështetur në rrethanat konkrete të rastit, në parimin e proporcionalitetit, si dhe duke vlerësuar barazpeshën ndërmjet ruajtjes së integritet të procedimit penal, të drejtave të palëve në proces, si dhe të drejtës për informim të publikut. Ndaj vendimit të gjykatës mund të ushtrohet ankim sipas rregullave të këtij kodi. Në çdo rast, publikimi nuk mund të kryhet pa autorizimin gjyqësor”, citohet në pikën 14 të nenit.
Por çfarë do të ndodhte nëse gazetari e publikon një informacion për interes të madh publik, edhe nëse gjykata nuk e lejon? Neni pasardhës parashikon sanksione. Në nenin 104 thuhet se çdo person që, si pasojë e shkeljes së mësipërme, i shkakton dëm një personi tjetër, mban përgjegjësi civile për shpërblimin e dëmit të shkaktuar, ndërkohë që mund të ndiqet edhe penalisht. Neni nuk e përjashton gazetarin nga ky parashikim.
Me qëllim prezumimin e pafajsisë, qeveria propozon që drafti të parashikojë kufizime të forta për nxjerrjen e informacione nga organet e përfshira në proces, si prokurori, avokatët dhe kallëzuesit. Ndryshimet në nenin 103 ndalojnë publikimin e vendimeve për masat e sigurimit, të përgjimeve të pacituara në vendim, të pamjeve të personave në pranga dhe të akteve hetimore deri në fillimin e gjykimit të themelit.
Në pikën 2 të nenit 103 thuhet se në rast se i kërkohet informacion, prokuroia vlerëson interesin e kërkuesit për informim në raport me nevojat e fshehtësisë së hetimeve, duke u mbështetur në parimin e proporcionalitetit. Ajo mund ta refuzojë kërkesën dhe gazetari në këtë rast ka të drejtën e ankimit brenda 10 ditëve në gjykatë e cila më pas merr vendim. Në këtë raste drafti e përjashton ankimin te Komisioneri për Informimin për këto akte.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka shprehur shqetësim për disa nga ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale, që sipas tyre prekin drejtpërdrejt lirinë e medias dhe të drejtën e publikut për informim.
Në një qëndrim paraprak, AGSH kundërshton veçanërisht pjesën që gazetarët dhe mediat të marrin autorizim gjyqësor për publikimin e dokumenteve të procedimeve penale që kanë në zotërim.
Shoqata argumenton se një mekanizëm i tillë mund të përbëjë kontroll paraprak mbi publikimin dhe të ngrejë pikëpyetje për përputhshmërinë me nenin 22 të Kushtetutës.
AGSH shpreh gjithashtu shqetësim për zgjatjen e ndalimit të publikimit të dokumentave, edhe pas rënies së sekretit hetimor, si dhe për kufizimet ndaj raportimit mbi personat që janë nën hetim ose janë thirrur në prokurori apo BKH.
Sipas AGSH, zgjerimi i përgjegjësive civile, penale dhe disiplinore për gazetarët mund të krijojë efekt frenues mbi gazetarinë investigative, ndërsa komunikimi i informacionit nga prokuroria mund të krijojë pabarazi në aksesin dhe kontrollin mbi informacionin.
AGSH vlerëson se mbrojtja e sekretit hetimor dhe liria e medias mund të bashkëjetojnë përmes kufizimeve të nevojshme dhe proporcionale, të lidhura me rreziqe konkrete për hetimin apo të drejtat e personave.
Njoftimi i Plotë i AGSH:
Qëndrim paraprak i AGSH-së mbi ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale
Asociacioni i gazetarëve të Shqipërisë i ka bërë një vlerësim paraprak propozimeve për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale dhe shpreh shqetësimin e saj për disa prej ndryshimeve të propozuara në Kodin e Procedurës Penale, veçanërisht për ato që prekin drejtpërdrejt lirinë e medias dhe të drejtën e publikut për informim.
AGSH mbështet mbrojtjen e sekretit hetimor, prezumimit të pafajësisë dhe të drejtave të personave nën hetim. Megjithatë, këto qëllime nuk duhet të realizohen përmes kufizimeve disproporcionale ndaj medias.
Së pari, shqetësimin më të madh e përbën parashikimi që gazetarët dhe mediat që kanë në zotërim dokumente të procedimit penal duhet të marrin më parë autorizim nga gjykata për t’i publikuar. Ky mekanizëm krijon një formë kontrolli paraprak mbi publikimin dhe ngre një problem serioz për pajtueshmërinë me nenin 22, pika 3, të Kushtetutës, që ndalon shprehimisht censurën paraprake të mjeteve të komunikimit.
Së dyti, drafti e zgjat ndalimin e publikimit edhe pasi ka rënë sekreti hetimor, deri në fillimin e gjykimit ose deri në një vit pas pushimit të çështjes. Kjo mund të kufizojë raportimin mbi çështje korrupsioni dhe veçanërisht kontrollin publik mbi hetimet që mbyllen pa u dërguar në gjykatë.
Së treti, ndalimi për të bërë publik edhe vetë faktin se një person është nën hetim ose është thirrur në prokurori apo BKH krijon një kufizim shumë të gjerë të raportimit. Mbrojtja e prezumimit të pafajësisë është e domosdoshme, por ajo nuk duhet të shndërrohet në ndalim absolut të informimit të publikut, veçanërisht kur bëhet fjalë për persona që ushtrojnë funksione publike dhe çështje me interes të lartë publik.
Së katërti, duke i dhënë prokurorisë mundësinë të komunikojë informacion me publikun, ndërsa medias i kërkohet autorizim gjyqësor për publikimin e dokumenteve që disponon, drafti rrezikon të krijojë një pabarazi të papërshtatshme në aksesin dhe kontrollin mbi informacionin. Media nuk mund të reduktohet në përcjellëse të komunikimeve zyrtare të institucioneve të drejtësisë.
Së pesti, zgjerimi i përgjegjësive civile, penale dhe disiplinore për publikimet e gazetarëve krijon rrezik për një efekt frenues mbi gazetarinë investigative dhe mund të përdoret nga persona me pushtet politik ose ekonomik përmes padive dhe kallëzimeve që synojnë të pengojnë raportimin me interes publik.
Vetë Shoqata e Prokurorëve, në qëndrimin e saj mbi projektndryshimet, evidenton se një pjesë e dispozitave të reja rrezikojnë të kufizojnë ndjeshëm informimin publik dhe të cenojnë interesin publik. Ky vlerësim është veçanërisht i rëndësishëm në një reformë që synon të rregullojë procedurën penale dhe jo të krijojë një regjim të ri kontrolli mbi përmbajtjen e raportimit mediatik.
AGSH vlerëson se mbrojtja e sekretit hetimor dhe mbrojtja e lirisë së medias nuk janë objektiva të papajtueshme. Kufizimet ndaj medias duhet të jenë të nevojshme, proporcionale dhe të lidhura me një rrezik konkret për hetimin apo të drejtat e personave, duke ruajtur në çdo rast të drejtën e publikut për t’u informuar mbi çështjet me interes publik.








Komente
Komento