Pezullimi nga detyra për zyrtarët, një çështje që vuri përballë me SPAK qeverinë në rastin e ish zëvendëskryeministres Belinda Balluku, merr një mbrojtje të veçantë në ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale, draft i cili u prezantua më 30 shtator.
Thelbi i ndryshimit në nenin 242 të ligjit aktual është sanksionimi se para marrjes së vendimit për pezullim, në rast se jemi në kohën e hetimeve paraprake, Gjykata e njofton paraprakisht personin në hetim për ta marrë në pyetje. Njoftimi bëhet 5 ditë para marrjes në pyetje e më pas gjykata vendos nëse kërkesa e prokurorisë për pezullim nga detyra pranohet apo jo. Pra një zyrtar, për të cilin prokuroria kërkon pezullimin nga detyra, e mëson masën ndaj tij të paktën 5 ditë më herët.
Mbrojtja e veçantë për pezullimin nga detyra forcohet edhe në ndryshimet që i janë bërë nenit 244 të Kodit të Procedurës Penale i cili përcakton mënyrën se si kërkohen të gjitha masat e sigurimit. Ndryshimi evidenton se përveç pezullimit nga detyra dhe pa e cenuar këtë, për të gjitha masat e tjera të sigurimit personal, shtrënguese apo ndaluese qofshin, njoftimi dhe marrja në pyetje paraprakisht nga gjykata ndodh kur arsyeja e kërkimit të masës nga prokuroria është vetëm ‘rreziku për të kryer të njëjtën vepër penale’. Pra, nëse prokuroria argumenton se ekziston rreziku për të prishur provat, për t’u arratisur apo rrezikshmëria e lartë shoqërore atëherë masa e sigurisë vendoset pa njoftim nga gjykata.
Pa njoftim 5 ditë para, në çdo rast për çdo masë tjetër sigurie, përveç asaj të pezullimit nga detyra, gjykata vendos edhe për krime të rënda dhe ato nën kompetencë të SPAK. E veçanta që duhet theksuar kur bëhet fjalë për pezullimin nga detyra, edhe një herë, është fakti që bëhet fjalë vetëm në fazën e hetimeve paraprake. Në çdo fazë të mëtejshme detyrimi për njoftim dhe marrje në pyetje nuk qëndron.
Një çështje tjetër që më herët ka krijuar debat, por që drafti i Kodit të Procedurës Penale duket se i jep zgjidhje është heqja e një kompetence të SPAK dhe GJKKO. Prokurorët e SPAK nuk do të mund të hetojnë më kolegët e tyre apo gjyqtarët e GJKKO për çdo vepër penale, nëse drafti do të miratohet.
Në fund të nenit 75/a të Kodit aktual që përcakton të gjitha kompetencat e GJKKO, rrjedhimisht edhe të SPAK, shtohet një paragraf i ri që sanksionon se në Gjykatën e Posaçme mund të gjykohen prokurorët e SPAK dhe gjyqtarët e GJKKO vetëm për veprat penale që kanë të bëjnë me terrorizmin apo bandat e armatosura, korrupsionin në çdo fushë, përfitimin e paligjshëm apo mosdeklarimin e pasurisë, si dhe çdo vepër që lidhet me krimin e organizuar.
Në të gjitha rastet e tjera gjyqtarët e GJKKO dhe prokurorët e SPAK do të hetohen nga prokuroritë e zakonshme dhe do të gjykohen në gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm.
Pjesë tashmë e debatit dhe kundërshtimeve, sidomos nga shoqatat e mediave, janë edhe nenet që lidhen me ndalimin e publikimit të pjesëve nga hetimi. Një zgjerim i neneve 103 dhe 104 të Kodit të Procedurës Penale ndalon shpërndarjen apo publikimin, qoftë edhe të pjesshëm, të akteve të procedimit penal që janë të mbrojtura nga sekreti hetimor. Drafti parashikon ndalim edhe i akteve hetimore paraprake që nuk janë të mbrojtura nga sekreti hetimor, ndërkohë që parashikohen mekanizma ankues për viktimën dhe penalizues për shkelësit.
Për mediat thuhet tekstualisht në pikën 14 të neni 103 se kur një gazetar bie në zotërim të këtyre dokumente ato duhet t’i drejtohen gjykatës për të marrë leje për publikim. Gjykata mund të refuzojë dhe gazetari nuk mund të ankohet te Komisioneri për të drejtën e informimit. Për këtë nen, përveç gazetarëve edhe prokurorët u ankuan pasi sipas tyre ul besimin e qytetarëve te drejtësia.
Projektligji që ndryshon në 105 nene të tij Kodin e Procedurës Penale, me ndryshime thelbësore që lidhen me paraburgimet dhe të drejtat e të hetuarit përballë gabimit apo abuzimit të shtetit është prezantuar këtë të mërkurë. Ndryshimet përcaktojnë rregulla të forta të masës “arrest me burg”. Ndryshimet detyrojnë prokurorin të gjejë prova edhe pro të dyshuarit, ndërsa do të hetojë edhe avokati,

Kliko ketu per te lexuar projektligji i plotë, ndryshimet në procedurën e kodit penal








Komente
Komento