Pak orë përpara finales së Kupës së Botës 2026 mes Argjentinës dhe Spanjës, vëmendjen e tifozëve e ka tërhequr edhe një bast i bujshëm i reperit kanadez, Drake.

Sipas platformës së basteve Stake.com, artisti ka vendosur 1.5 milionë dollarë për fitoren e Argjentinës brenda 90 minutave. Nëse kampionët në fuqi arrijnë të triumfojnë në kohën e rregullt, Drake do të arkëtojë plot 5.1 milionë dollarë.

Megjithatë, ky bast ka ringjallur edhe njëherë diskutimet për të ashtuquajturin “Mallkimi i Drake”, një fenomen që tifozët e sportit e lidhin me humbjet e skuadrave ose sportistëve që mbështeten publikisht nga reperi.

Historia nuk ka qenë gjithmonë në favor të tij. Në gjysmëfinalen e Copa América 2024 mes Kanadasë dhe Argjentinës, Drake vendosi 300 mijë dollarë për fitoren e Kanadasë, por Argjentina triumfoi me rezultatin 2-0.

Edhe në finalen e Kupës së Botës 2022 ai vendosi basti 1 milion dollarë për Argjentinën ndaj Francës në kohën e rregullt. Edhe pse skuadra e Lionel Messit fitoi trofeun pas penalltive, basti rezultoi humbës, pasi ndeshja u mbyll 3-3 pas 120 minutave dhe jo me fitore në 90 minutat e rregullta.

Një tjetër zhgënjim për reperin erdhi edhe në UFC, kur vendosi 1 milion dollarë për Conor McGregor. Luftëtari irlandez u dëmtua në gju vetëm 69 sekonda pas nisjes së duelit, duke humbur sfidën.

Sipas statistikave të publikuara nga TheDrakeCurse.com, Drake ka bërë deri më tani 87 baste publike sportive, duke fituar vetëm 32 prej tyre dhe humbur 55, ose një përqindje suksesi prej 37.2%.

Ndërkohë, kompanitë e basteve nuk e shohin Argjentinën si favorite. Shumica e platformave ndërkombëtare vlerësojnë Spanjën me më shumë shanse për të fituar finalen, falë paraqitjeve mbresëlënëse gjatë turneut. Iberikët kanë pësuar vetëm një gol në shtatë ndeshje dhe nuk kanë qenë asnjëherë në disavantazh në këtë Botëror.


Lajmi kryesor:

Botërori 2026/ Sonte shkruhet historia, do të luhet finalja Spanjë - Argjentinë! Messi letër popullit argjentinas: Ndjehuni krenarë