Diskutimi i parë teknik i  ekspertëve të nivelit të lartë  për reformën në drejtësi ka dhënë rezultatet e para konkrete  për formulën e  emërimit të anëtarëve  dhe kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.
 
Konstitucionalistja Aurela Anasatasi , tha pas  4 orësh diskutimesh  se palët  parashikojnë të propozojnë që anëtarët e Kushtetueses  të propozohen sipas formulës tre plus tre plus tre, mes insitucionit të Presidentit, Kuvendit dhe Pushtetit Gjyqësor dhe do të kenë mandat 9 vjeçar. Po ashtu parashikohet që kryetari i Gjykatës Kushtetuese do të propozohet nga vetë trupa e anëtarëve të këtij insititucioni.

“Si formulë deri tani, formula mbizotëruese është ajo që parashikon kompetenca të ndara të organeve kushtetuese për emërimin e një të tretës së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ajo ka mbizotëruar dhe mbetet tani, 3+3+3 të zgjedhur nga Presidenti, Kuvendi dhe pushteti gjyqësor”, tha Anastasi.
 
Gjithë diskutimi i referohet rekomandimeve të Komisionit të Venecias , ndërsa parashikohet që palët të dalin me një draft të përbashkët deri në fund të muajit janar.

“Edhe atje ku ka diskutime politike, ne do dalim me variantet tona. Ne duam ta përfundojmë atë sa më shpejt për të qenë korrekt sipas kërkesës së Komisionit të Venecias," u shpreh ajo.

Por Anastasi thekson rolin që kanë ekspertët në këtë proces, kur tha se edhe kur të ketë diskutime politike, ekspertët duhet ta thonë variantin e tyre.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)