Drejtësia kalon në Konferencën e
Kryetarëve, Xhafaj: Miratim në seancë

Drejtësia kalon në Konferencën e<br />Kryetarëve, Xhafaj: Miratim në seancë
Këshilli i Rregullores dhe Mandateve në Kuvend ka vendosur në mbledhjen e sotme që Drafti për Reformën në drejtësi të kalojë në Konferencën e Kryetarëve për të vendosur futjen në kalendarin e punimeve të Kuvendit. Në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Rregullores, kryetari i komisionit për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj deklaroi se drafti për reformën do të kalojë për miratim në seancë. Xhafaj theksoi se pritshmëria e qytetarëve për këtë reformë është shumë e lartë, ndaj kjo gjë e kalon interesin e çdo individi apo force politike.
 
Ajo çfarë ka shkruar Gramoz Ruçi është çfarë kanë kërkuar Paloka dhe Bylykbashi për dekriminalizimin, që produkti i komisionit parlamentar të kalonte në seancë dhe kjo po ndodh”, tha Xhafaj.
 
Ai ka theksuar se në rastin e dekriminalizimit, drafti kaloi në seancë me vetëm me 2 firma deputetësh, të Bylykbashit dhe Ballës, si kryetar dhe nënkryetar të komisionit të posaçëm parlamentar. “Precedenti është njësoj sikur është një grup, ashtu edhe kur janë disa grupe. Nuk mund të thuash që kur jemi disa grupe ta bëjmë kështu, kur jemi një ta bëjmë ashtu. Rregullorja është një e vetme”, ka insistuar Xhafaj.
 
Ai ka sqaruar se, “drafti do të hyjë në procedurë, më pas konferenca e kryetarëve do të vendosë që të hyjë në kalendar e pastaj do ta shqyrtojnë ligjvënësit”, në vartësi të disa aspekteve. Deputeti socialist ka shtuar më tej se, është momenti që për ndryshimet kushtetuese të shprehen grupet parlamentare.
 
“Komisioni ka përmbushur detyrën e tij. Dhe është në procesin kushtetues për t’ia kaluar Kuvendit. Komisionet e posaçme parlamentare janë komisione kushtetuese”, tha Xhafaj.
 
Ristani: Reforma në Kuvend, pa konsensus
Pas mbledhjes deputeti demokrat Arben Ristani tha se deputetë të mazhorancës u përpoqën që të anashkalojnë nenin 77 të rregullores për kalimin e draftit të reformës në drejtësi. “Ishte një kërkesë jashtë ligjit, jashtë normales me sa duket menduan ta shtrojnë në komisionin e Rregullores për t’ju përgjigjur pyetjes nëse duhet të zbatohet neni 77. Neve nuk na bind logjika e të majtëve por rregullorja e kuvendit. Edhe ne duhet ta fusim shpejt, por rregullores nuk kemi çfarë të bëjmë. Do kalojë nga konferenca e kryetarëve e cila do vendosë sigurisht në bazë të rregullores.
 
Kemi të bëjmë me një reformë të rëndësishme që me sa duket do shkojë pa konsensus sepse ata nuk duan të ecin me shpejtësinë veneciane. Është një ecje arrogante, shumë vite prapa për Shqipërinë. Edhe për dekriminalizimin është ndjekur e njëjta procedurë sipas nenit 77.  Kur kalohet në seancë kalohet mbi bazën e nenit 77 të rregullores. Kjo është e shkruar dhe nuk di tjetër. Duhet të ecim në bazë të rregullave të shkruara. Praktika e kësaj mazhorance që ecën sipas kohës së Enverit: “Pse ligjet tona do na pengojnë ne
”, deklaroi Ristani.

Meta çon në Këshillin e Rregullores propozimet e Ruçit për "drejtësinë" 
Një ditë pas letrës së kryetarit të grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi për të kaluar në Konferencën e Kryetarëve draftin e reformës në drejtësi, kreu i Kuvendit Ilir Meta i është drejtuar me një letër Këshillit të Mandateve dhe Rregullores. Kryeparlamentari kërkon interpretimin e rregullores së Kuvendit për kalimin e propozimeve ligjore të reformës në drejtësi në procedura parlamentare.     

Në ushtrim të detyrës time si Kryetar i Kuvendit, vlerësoj se respektimi i procedurave dhe zbatimi i Rregullores së Kuvendit, përbën qëllimin parësor të veprimtarisë legjislative të Kuvendit. Nisur nga sa më lart, duke vlerësuar se kjo kërkesë ngre diskutime lidhur me mënyrën e aplikimit të procedurave për shqyrtimin e projektit kushtetues dhe të 7 projektligjeve prioritare të reformës në drejtësi, përsa i përket organeve që duhet të shqyrtojnë dhe përgatisin raportin, si dhe përsa i përket mënyrës së planifikimit në program dhe kalendar, bazuar në nenin 116 të Rregullores së Kuvendit, pikat 3 dhe 4 të tij, kërkoj sa me poshtë: Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin të shprehet për interpretimin dhe zbatimin e neneve 77/a dhe 77/b të Rregullores në raport me nenin 24 te saj, kur nisma për rishikimin e Kushtetutës është përgatitur nga një komision i posaçëm.

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin të shprehet për interpretimin dhe zbatimin e neneve 26,27, 44/3, 68 dhe 69/3 të Rregullores në raport me nenin 24 të saj, në lidhje me formalizimin zyrtar të një nisme ligjvënëse, njoftimin e saj si dhe përfshirjen në program dhe kalendar sipas afateve të Rregullores, kur nisma ligjvënëse është përgatitur nga një komision i posaçëm
”- thuhet më tej në letrën e kryetarit të Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit, kërkon në fund të letrës së tij që, raporti i Këshillit për Rregulloren dhe Imunitetin t'i dërgohet seancës plenare për votim.

Redaksia Online
(M.Ç/shhqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Një letër për studentin e gazetarisë në kohën e marrëzisë

Një letër për studentin e gazetarisë në kohën e marrëzisë