TIRANE - Takimi i ambasadorit amerikan Donald Lu dhe asaj të bashkimit Evropian Romana Vlahutin me ekspertët e PS dhe PD për draftin e reformës në drejtësi, ka shërbyer për të gjetur gjuhën e përbashkët mes mazhorancës dhe opozitës.

Në takimin e zhvilluar prej më shumë se dy orësh në ambjentet e Kryesisë së Kuvendit, në prezencë të deputetit Fatmir Xhafaj - kryetarit të komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi dhë nënkryetarit demokrat në këtë komision Oerd Bylykbashi, mazhoranca ka tërhequr draftin e saj, duke i hapur kështu rrugën tryezës së ekspertëve e cila ishte bojkotuar nga ana e Partisë Demokratike, që ishte kundër draftit paralel të mazhorancës.

Tashmë ekspertët e mazhorancës dhe opozitës, do të rifillojnë punën për draftimin e  reformës në drejtësi duke u bazuar vetëm mbi rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Pas mbledhjes, dy ambasadorët ndërmjetësues nuk dhanë asnjë prononcim për mediat ndërsa eksperti i PD-së Enkelejd Alibeaj u shpreh se u ra dakort që dokumenti i vetëm mbi të cilin do të punohet është opinioni i Komisionit të Venecias.

"Së pari, u vendos që të tërhiqej çdo lloj drafti që nuk është konsultuar më parë dhe që nuk vjen nga rekomandimet e Komisionit të Venecias. Së dyti, u ra dakord që dokumenti i vetëm mbi të cilin do të diskutohet për draftin e reformës në drejtësi do të jetë opinioni i Komisionit të Venecias. Ndërkohë, e treta, që në kushte barazie, ekspertët e të dyja palëve të vazhdojnë punën e tyre të përbashkët për të draftuar rekomandimet e komisionit, që mund të ofrojnë disa variante të përbashkëta mes nesh, variante këto që duhet të respektojnë 100% rekomandimet e Venecias”," u shpreh Alibeaj.

Tërheqja e maxhorancës  i hap kështu rrugë zbatimit të reformës në drejtësi, e cila mbetet edhe çështja më e nxehtë e debatit politik.