Sistemi i drejtësisë në Shqipëri ka hyrë në një spirale të rrezikshme, ku në fakt çdo ditë e më tepër po ha vetveten se sa po bën atë që duhet të bënte dhe që ka për detyrë ligjore ta bëjë, të dënojë kriminele, trafikantë dhe njerëz të grupeve kriminale në Shqipëri.
Me gjithë dëshirën e madhe publike të Policisë së Shtetit dhe Ambasadës Amerikane në Shqipëri, për shpartallimin e grupeve kriminale në vend, prokuroria dhe gjykata nuk kanë shpejtësinë e duhur për të dhënë vendime ndaj njerëzve që konsiderohen si kontigjentë kriminalë. Në shumë raste gjykatat përdorin standardin e dyfishtë ku për të pandehurit që konsiderohen “cironka” proceset gjyqësore përfundojnë sa hap e mbyll sytë. Ndërsa për sa i përket të pandehurve që janë pjesë e grupeve kriminale, si Shullazi dhe Dritan Dajti, por edhe persona të tjerë, gjykatat shqiptare ende nuk janë në gjëndje të dalin me vendimi, duke shtyrë në mënyrë të vazhdueshme seancat gjyqësore.
Vetëm procesi gjyqësor kundër Dajtit zgjati 10 vjet. Ndërkohë në të njëjtën rrugë duket se po hyn dhe procesi gjyqësor kundër Emiljano Shullazit, Gilmando Dani, Blerim Shullazi, Endri Qyqa dhe Endri Zela. Prej 9 seanca me radhë gjyqi kundër këtyre të pandehurve është shtyrë duke bërë që gjykata ta ketë të pamundur për të vendosur. Ndërkohë që herë janë bërë shkak avokatët dhe herë vetë gjyqtarët, kjo pasi nuk është formuar trupa gjyqësore. Tashmë, ky problem është zgjidhur pasi kryetarja e trupës gjyqësore Saida Dollani dhe anëtarja Albana Boksi, do të kenë një kolege të re, si pjesë e trupës gjyqësore e cila është Valdete Hoxha. Procesi ishte zvarritur për disa seanca se nuk plotësohej trupa, pasi Nure Dreni, u dorëhoq për shkak se kishte shqyrtuar një çështje tjetër në lidhje me Shullazin, ndërkohë më herët është dorëhequr edhe Sokol Binaj. Në nëntor të vitit të kaluar grupi i Emiliano Shullazi, Gilmando Dani, Blerim Shullazi, Endri Qyqa dhe Endri Zela, u dënua në total nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda me 55 vite burg. Shullazi, bashkë me anëtarët e tjerë të grupit e apeluan vendimin, ndërsa procesi ka ngecur prej janarit të këtij viti, pasi janë shtyrë nëntë seanca,ku e fundit ka qenë në datë 2 maj 2019.
Ndërkohë tre seanca më parë mbrojtja e Blerim Shullazit kërkoi përjashtimin e gjyqtares Dollani, e cila nuk u pranua. Por ndërsa trupa pritet të plotësohet me anëtarin e tretë, avokatët e të pandehurve kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares Albana Boksi nga çështja. Pritet që seanca e radhës të zhvillohet në datën 23 maj 2019 në ora 13:00.