Drejtori i Spitalit Psikiatrik "Sadik Dinçi" të Elbasanit, Arben Ruçi ka sqaruar për Report Tv situatën e koronavirusit në këtë spital.
Sipas informacioneve zyrtare, në këtë spital janë konfirmuar pozitiv me COVID, 14 pacientë të shtruar si dhe 6 mjekë.
Dy prej pacientëve aktualisht janë shëruar. Ata shfaqën simptoma më të rënda se pacientët e tjerë ndaj u dërguan në spitalin "Shefqet Ndroqi" në Tiranë ku pasi morën trajtimin mjekësor u kthyen sërish në spitalin psikiatrik.
Ndërkohë edhe një prej mësueseve është shëruar pasi u trajtua sërish në spitalin COVID 2 në Tiranë. 5 mjekët e tjerë janë karantinuar në banesat e tyre dhe po marrin trajtim ambulator.
Drejtori i spitalit psikiatrik shprehet se pas hetimit epidemiologjik është identifikuar pacienti zero dhe është trajtuar me terapinë e rekomanduar nga mjekët. Pas 14 ditësh në terapi intensive ai u ritestua dhe më pas rezultoi negativ ndërkohë që parametrat fizikë dhe psikik u vlerësuan në normë.
Personat që kanë rezultuar pozitivë me COVID por që kanë simptoma të lehta aktualisht po trajtohen në ambientet e spitalit psikiatrik.
Ruçi njofton se është njoftuar Sektori i Epidemiologjisë pranë Njësisë Vendore Kujdesit Shëndetësor Elbasan dhe pritet nga IShP një inspektim për hetim epidemiologjik të rasteve të shfaqura në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit.
Ai thotë se janë marrë të gjitha masat për sigurimin e medikamenteve të nevojshme sipas protokollit ndërsa për rastet e rënda do të bëhet në mënyrë të menjëherëshme transportimi në spitalet e specializura.