Anëtarë të Partisë Demokratike po përballen gjithnjë e më shumë me një fenomen aspak normal, të heqjes së emrit nga listat e anëtarësisë. Një denoncim publik është bërë nga Doris Madhi, aktualisht drejtuese e grupit të këshilltarëve të opozitës në Këshillin Bashkiak të Elbasanit, e cila ka thënë se është hequr pa asnjë njoftim nga lista e anëtarësisë.
“Vendimet merren në mënyrë arbitrare dhe jashtë çdo rregulli. Ky proces nuk është më demokratik,” u shpreh Madhi, duke shtuar se janë përjashtuar edhe figura të tjera nga strukturat e partisë.
Ajo e konfirmoi lajmin edhe për Report Tv, duke thënë se është hequr me propozim të degës atje, pasi ‘zërat si i saji rrezikon t’i prishë pazaret’.
Gjithashtu sipas burimeve nga lista është hequr edhe emri i Rudina Allës, kryetare e forumit demokrat të Gruas; Zheni Gjergjit, pasi ajo u emërua drejtoreshë në Spitalin e Elbasanit, apo Alesia Balliut. Kjo e fundit ka shpallur publikisht ambicien për t'u regjistruar dhe për të kandiduar në garën për kreun e Partisë Demokratike, përballë Sali Berishës.
Kjo valë përjashtimesh vjen vetëm disa ditë pasi PD, përjashtoi si këshilltarë të saj në Këshillin Bashkiak të Durrësit Dritan Burgijën dhe Arlind Boshkun, pasi këto të fundit mbështetën lëvizjen e Ervin Salianjit.
Dega e Partisë Demokratike në Elbasan zhvilloi këtë të dielë zgjedhjet për drejtuesit të ri të degës. Në garë janë 5 kandidatë, Lumturi Hasa, Durim Cekrezi, Elior Vila, Sokol Shkëlzeni si dhe Alis Narazani.
Por teksa kyproces shihet si vendimtar për të ardhmen e degës së Partisë Demokratike në Elbasan, në një moment kur forcat politike po përgatiten për sfidat e ardhshme elektorale, anëtarët po përballen me situata aspak të zakonta.
Dega e Partisë Demokratike të Elbasanit ka reaguar pasi Doris Madhi, aktualisht drejtuese e grupit të këshilltarëve të opozitës në Këshillin Bashkiak të Elbasanit, ka deklaruar se është hequr pa asnjë njoftim nga lista e anëtarësisë së PD.
Përmes një postimi në faqen zyrtare në rrjetet sociale, Dega e PD Elbasan shkruan se vendimi erdhi pasi Doris Madhi nuk ka qenë e përfshirë në fushatën e zgjedhjeve të 11 majit 2025 në krah të Partisë Demokratike.
Po ashtu në njoftim shkruhet se në zgjedhje Doris Madhi ka qenë e angazhuar maksimalisht në krah të Partisë Socialdemokrate të drejtuar nga Tom Doshi.
Deklaratë e Degës së Partisë Demokratike Elbasan:
Në lidhje me reagimin e znj. Doris Madhi, sqarojmë opinionin publik se:
• Znj. Doris Madhi nuk ka qenë e përfshirë në fushatën e zgjedhjeve të 11 Maj në krah të Partisë Demokratike.
• Ajo është angazhuar maksimalisht në krah të subjektit politik Partia Socialdemokrate (PSD), duke bërë thirrje publike në rrjetet sociale që demokratët të votonin kandidatin e PSD për qarkun e Elbasanit.
• Gjatë procesit të numërimit të votave në Prrenjas, znj. Madhi ka qenë e angazhuar si vëzhguese e PSD.
Në zbatim të Udhëzimit nr. 01, datë 20.01.2026 dhe në përputhje me Statutin e Partisë Demokratike, kryesia e degës së PD Elbasan ka marrë vendim unanim për largimin e saj nga listat e anëtarësisë, për shkak të shkeljeve të rënda në veprimtarinë e saj si anëtare e PD-së.
Ky vendim është i bazuar në parimet e transparencës dhe respektimit të rregullave statutore, dhe bëhet publik për të sqaruar qytetarët e Elbasanit dhe të gjithë demokratët.

Pas përjashtimit të dy këshilltarëve bashkiakë në Durrës, Dritan Burgija dhe Arlind Boshku, Partia Demokratike përjashtoi sot edhe katër anëtare të tjera: Alesia Balliun, Doris Madhin, Zheni Gjergjin dhe Rudina Allën.
U raportua se vendimi u mor gjatë një mbledhjeje të Kryesisë së Partisë Demokratike në Elbasan, e cila u zhvillua me një pjesëmarrje të kufizuar. Ky fakt është konfirmuar për median edhe nga vetë juristja Alesia Balliu, e cila shprehet se në mbledhjen e djeshme kanë qenë rreth 15 anëtarë, të cilët sipas saj as nuk kanë votuar, duke pretenduar se nuk është respektuar kuorumi i nevojshëm.
Ajo e ka cilësuar këtë vendim të pavlefshëm dhe të motivuar politikisht. Sipas saj, përjashtimi nuk është miratuar nga strukturat përkatëse të degës, as nga kryesia, por është një vendim i marrë në mënyrë të njëanshme.
“Vendimi është nul, nuk jemi përjashtuar, pasi as kryetari i degës, as Kryesia nuk e kanë votuar. Ka qenë vendim personal i Sali Berishës, Flamur Nokës dhe Blendi Himçit, që e ka propozuar. E gjitha është bërë vetëm që unë të mos garoj për kryetare të Partisë Demokratike. I ka kapur frika nga gara. Në mbledhjen e djeshme kanë qenë 15 veta, dhe ata nuk kanë votuar”, tha Balliu, teksa ka njoftuar se do të ankimojë vendimin, duke kërkuar rishqyrtimin e tij në instancat përkatëse./ TemA
Komente












