Policia e Elbasanit ka gjobitur me 40 mijë lekë një shofer i cili është filmuar teksa bënte drift me automjetin e tij, si dhe ka gjobitur me 57 mijë lekë drejtuesin e një motori që qarkullonte me motor pa skafandën e vendosur dhe kryente manovra të rrezikshme në rrugë.
Gjithashtu, 2 shoferë të tjerë janë gjobitur me nga 10 mijë lekë për parakalim të gabuar, njëri në aksin “Prrenjas–Librazhd”, ndërsa tjetri në aksin “Librazhd–Qafë Thanë”.
Njoftimi i plotë i Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan:
Bazuar në 4 video të publikuara në rrjete sociale, në të cilat shfaqen 3 automjete dhe 1 motomjet që kryejnë manovra të rrezikshme për veten e tyre dhe përdoruesit e tjerë të rrugës, bëjmë me dije se:
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore kryen verifikimet dhe ndëshkuan administrativisht drejtuesit si më poshtë:
Është ndëshkuar me masë administrative 40 000 lekë, sipas pikave 3 dhe 5 të nenit 139 të Kodit Rrugor, drejtuesi i automjetit që bëri drift me automjet dhe nuk rregulloi shpejtësinë në zonë të banuar e të frekuentuar nga njerëzit;
Është ndëshkuar me masë administrative 57 000 lekë, sipas pikës 11 të nenit 99, pikës 8 të nenit 139, pikës 5 të nenit 153, pikës 2 të nenit 169, pikës 3 të nenit 139 dhe pikës 2 të nenit 99 të Kodit Rrugor, drejtuesi i motomjetit që qarkulloi me mjet pa vendosur kaskën mbrojtëse, si dhe kreu manorva të rrezikshme me mjet, duke rrezikuar veten dhe përdoruesit e tjerë të rrugës;
Është ndëshkuar me masë administrative 10 000 lekë, sipas pikave 10 dhe 16 të nenit 146 të Kodit Rrugor, drejtuesi i automjetit që ka kryer parakalim të gabuar në aksin “Prrenjas–Librazhd”;
Është ndëshkuar me masë administrative 10 000 lekë, sipas pikave 10 dhe 16 të nenit 146 të Kodit Rrugor, drejtuesi i automjetit (të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit) që ka kryer parakalim të gabuar në aksin “Librazhd–Qafë Thanë”.
Komente











