Drini Sallaku, 17-vjeçari që të
impresionon si Chagall e Van Ghogh

Drini Sallaku, 17-vjeçari që të<br />impresionon si Chagall e Van Ghogh
Drini Sallaku, një 17-vjeçar me aftësi të veçanta po bëhet tashmë një piktor i mirë. Ekspozita e tij e dytë e sapoçelur në qendrën TEN pranë kinemasë “Dajti” prezanton arritjet në formëzimin e stilit dhe të veprave. Eskpozita do të qëndrojë e hapur për publikun një javë rresht. Pikturat janë të ngrohta si sytë e tij të qeshur e të bukur, ku duket sikur dalin në pah të gjitha fjalët që nuk i thotë dot. Ai përpiqet të flasë me ne përmes ngjyrave. Bën përpjekje i vetmuar, sepse në Shqipëri ende nuk është ngritur një sistem arsimor për trajnimin e barrierave të çregullimeve të spektrit neurobiologjik të fëmijëve e adoleshentëve.

drini sallaku

Pengesa për të folur te Drini Sallaku ka nisur që në moshën 2-vjecare, thotë nëna e tij, e cila me një ndihmë ekonomike prej 9 mijë lekësh në muaj, nuk mund të kompensohet për ndonjë arsim të veçantë për djalin e saj, i cili detyrohet të shkollohet me 13-vjeçarët në klasën e 9-të të shkollës “Mihal Grameno”. As braktisjen e profesionit të ekonomistes së nënës së tij nuk mund ta kompensojë kjo lloj asistence. Nëna s’mund të marr dot një rrogë për nevojat e familjes, edhe pse ka një profesion të mirë. Duhet të rrijë me të birin, duhet ta ndihmojë me sa mundet të aftësohet për jetën. Por para katër vjetësh ku u shfaq tek Drini dhuntia e pikturës, ajo e ndjen se duke mos qenë artiste dhe as kritike arti, në vend që ta ndihmojë e pengon.

drini sallaku

E këshillon shpesh për ngjyrat dhe ai nuk ia dëgjon më fjalën. Vijon me të vetën. Nëna Edlira, trembet kur të tjerët i thonë se i biri “nuk duhet të pikturojë me shumë ngjyrë të zezë apo “shumë ngjyrë të kuqe”. Ah, nëna..., sikur ta dintë se djali i saj është më i mençur se ata që bëjnë vlerësime të tilla. Nëna e Drinit e ndjen nevojën e ndihmës sociale dhe shtetërore, duke shpresuar se duhet të gjejë një profesor për pikturat e të birit. Merakun më të madh e ka tek mungesa e arsimit të veçantë për natyrën e djalit të saj. “Autizmin” e fëmijës së saj, siç “e komenton” diagnozën përpiqet t’ia kurojë nëpërmjet pikturës. Dhe vërtetë pikturat e Drini Sallakut janë sa mijëra fjalë e biseda të pastra, të bukura dhe me shije meditimesh poetike. Pa asnjë mësues të veçantë, përveç nënës, dhe pa shkollë të posaçme për të, Drini Sallaku ka arritur të zbulojë veten. Piktori po vjen, le ta mbështesim.

drini sallaku

Le të kthehemi pra tek pikturat e Drinit. Ato janë shumë të vyera si vepra, dhe kur i sheh ato askush nuk ka ndërmend të gjykojë fatin e autorit të veprës. Pasqyrimet e peisazheve në ujë janë më të shpeshtat, si një kërkim i shpirtit të tij për t’u pasyruar diku. E shohim të pasqyruar tashmë në telajo, sepse të gjithë ne njerëzit pasqyrohemi kush e kush sa më bukur përmes fjalës e gjestit, e Drini meqë s’ka fjalë, ka fantazi e dhunti.

drini sallaku
 Foto të tjera..

Pikturat e grupit të pasqyrimeve, ku vijat e zeza ndajnë shpesh dy mjedise të ndriçuara tokë-ujë, qiell-tokë, apo univers-planet, vijnë falë lëvizjeve të sofistikuara të penelit. Kur sheh lulëkuqet apo peizazhet e pasura të Drinit, “një Van Ghogh shqiptar” është përshtypja e parë. Ndërsa Drini Sallaku s’të pyet fare se çfarë mendon ti. Ai merret me veprën e vet. E së fundi, pa i njohur ende ata piktorët e mëdhenj, veprat e tij të shfaqen po aq të bukura sa të Van Ghoghut, Kandisky-t, Chagall-it, Munch-it, e të dhjetëra piktorëve të famshëm impresonistë të shekullit të kaluar. Drini Sallaku të impresionon me pikturat e tij, të gëzon.

Redaksia Online
Gre.M/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

U vra nga bashkëshorti në Athinë, Enkelejda Danajt varroset në Vlorë! Familjarët kërkojnë drejtësi

U vra nga bashkëshorti në Athinë, Enkelejda Danajt varroset në Vlorë! Familjarët kërkojnë drejtësi