LEZHE - Sot në Gjykatën e Lezhës është vendosur masa e sigurisë për gjysmën e dytë të 22 punonjësve të magazinës së hashashit që u zbulua në Rrëshen. Media nuk është lejuar për të qenë e pranishme në seancë, ndërsa burime konfidenciale kanë bërë me dije se 3 nga 11 të ndaluarit që janë paraqitur sot ne gjykatë janë lënë në burg, ndërsa të tjerët në arrest shtëpie dhe detyrim paraqitje.

Edhe pse të gjithë kanë deklaruar se janë thjesht punëtorë të fabrikës dhe se janë punësuar për të marre çdo ditë shumën prej 20 mijë lekësh të vjetra, gjykata ka vendosur të pranojë kërkesën e prokurorit të çështjes, për të lënë në arrest me burg 5 nga 22 të ndaluarit.

Nuk dihet se cila ka qenë lidhja që mes personave që u lanë në burg dhe pronarit të magazinës apo pronarit të lëndës narkotike, por vendimi lidhet me faktin se udhëtimi i tyre drejt Mirditës vlerësohet se nuk ka qenë i rastësishëm dhe se ata nuk po bashkëpunojnë për të zbardhur plotësisht aktivitetin kriminal.

Një ditë më parë në arrest me burg mbetën Erald Zaimi 24 vjeç nga Lushnja dhe Gjet Ndoj 23 vjec nga Fushe Mamurrasi i Kurbinit, ndërsa ende nuk janë bërë të ditur emrat e 3 personave të tjerë që do të mbeten me masë sigurie 'arrest me burg'.

Zbulimi i magazines me 4.2 ton droge
Pak ditë më parë policia zbuloi 4.2 ton drogë në një godine ne Rreshen. Magazina e ndërtuar pranë një pike ushqimore, që dikur shërbente si pularia e ndërmarrjes bujqësore të Rrëshenit, ishte kthyer nga trafikantët në laborator droge, i pajisur me rezistenca dhe tuba ajrimi, për përpunimin e bimëve narkotike. Sasia e drogës, vendosej në 6 nivele të krijuara me tela, dhe më pas aty kryhej procesi i tharjes së drogës.

Burime për Shqiptarja.com bëjnë të ditur se laboratori i drogës u ngrit pranë pikës ushqimore, me qëllim që të justifikohej lëvizja e shpeshtë e makinave dhe njerëzve që hynin e dilnin në zonë.

Mësohet se e gjithë zona ruhej me roje, ndërsa policia është vënë në dijeni të ekzistencës së laboratorit të drogës pas informacioneve për lëvizje të shpeshtë furgonësh e makinash pranë ish-pularisë.

Pas këtij informacioni, policia vëzhgoi zonën për tre ditë me radhë dhe më pas ndërhyri duke ndaluar 22 persona, të cilët do të gjykohen në Gjykatën e Krimeve të Rënda si grup i strukturuar kriminal.

Policia bën të ditur se në kuadër të operacionit të koduar "Befasia" në Rrëshen e arrestuan 22 persona, si dhe 9 gra po procedohen ne gjendje të lirë. Ajo që ra në sy ishte fakti se mes të arrestuarve ishte edhe një punëtor nga Gjirokastra dhe dy nga Lushnja.

Në operacionin “Befasia”, Policia e Shtetit mundi të sekuestrojë 4.2 ton kanabis ndërsa në kërkim u shpall Kastriot Reçi personi që rezulton të ketë dhënë me qira magazinën në pronësi të tij tek të tretë për kryerjen e këtij aktiviteti kriminal.

(er.nu/shqiptarja.com)