Tre ditë para se GJKKO të vendosë për masën e sigurisë, Sali Berisha në hetim për aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani thërret këshillin kombëtar të Rithemelit.

Në fjalimin e tij duket që i është dorëzuar fatit por pati dhe një mesazh për ndërkombëtarët dhe njerëzit e drejtësisë 

"Tani duan dhe të burgosin Sali Berishën, por e vërteta është se për të bërë këtë nuk kanë asnjë provë, asnjë fakt dhe nuk do kenë kurrë. Me këtë akuzë faktojnë dhe provojnë dështimin e tyre total, të turpshëm dhe përfundimtar ndaj Sali Berishës.

Zotërinj, Sër, Madam, ekselancë.. dhe çfarëdo titulli apo funksioni që mbani e vërteta më autorizon t’u them të gjithë atyre që akuzuan pa asnjë provë, fakt apo dokument për korrupsion Sali Berishën, para se të përsërisni këtë gënjeshtër, këtë akuzë për Sali Berishën, kontrolloni xhepat tuaj.

Pikërisht se nuk kanë prova, ky arrestim mund të realizohej vetëm nga një zinxhir shkeljesh ligjore, aktesh antikushtetuese, nga të gjitha institucionet që dolën zbuluar se marrin urdhër politik. Unë jam Sali Berisha, me fuqinë e të vërtetës nuk mposhtem kurrë.

Gazment Bardhi dhe deputetët e grupit të tij nuk morën pjesë ndonëse në mbledhjen e kryesisë së 21 dhjetorit Berisha I ftoi të bëhen pjesë e riorganizimit të Rithemelimit.

I braktisur nga militantët, të cilët sa herë që thërret protesta, janë gjithnjë e më të paktë vendos të ndryshojë strategji e të ftojë gratë ti qëndrojnë në krah në aksionin e tij. 

Gazetarja e Report Tv, Danjela Maloku ka zbardhur pjesë të diskutimeve prapa dyerve të mbyllura që po mbahen në selinë e Rithemelimit

Duhen angazhuar të rinjte. Duhet ti motivoni ata politikisht. Ky do ishte një ndër sukseset tona më të mëdha. Gratë për shkak të emigracionit janë sot shumicë numerike dhe cilësore. Të ftojme zonjat të bëhen pjesë e betejës sonë. Ju garantoj se ne e rrëzojmë narkodiktaturen . Veprimet e Rames deshmojne se ai ka frike se rrezohet nga pushteti. Por ne duhet te marrim kthesen, nuk mjafton vetëm  denoncimi" mësohet të ketë thënë në mbledhjen me dyer të mbyllura të këshillit mëson Report Tv

Ish kryeministri po përgatit pasuesit për largimin e tij fizik, në një hapësirë ku liritë do i ketë të kufizuara.

Sot Edi Rama, Rilindja, Skapi, Sorosi dhe të gjithë armiqtë e demokracisë shqiptarë po fërkojnë duart duke pritur arrestimin e Sali Berishës. Ata thonë se ky është fundi i Sali Berishës, fundi i opozitës. Absurde!  Sali Berisha nuk heq dorë kurrë nga mbrojtja e idealeve të lirisë, opozitarizmit, programit të PD. Jo në shtëpi, në qeli apo në ndonjë ishull, por edhe në Hënë po të më çojnë, unë do gjej mënyrë për të bërë opozitë dhe do qëndroj për të vërtetën.

Në këtë fazë të re të aksionit opozitar Berisha lë dy porosi: Mobilizim dhe mosbindje. Me apo pa të, protesta tjetër do jetë më 27 dhjetori dita kur Gjykata e Lartë pritet të shprehet për rekursin që grupimi i ish-kryeministrit ka depozituar për vendimin e 3 marsit, ku Apeli i Përgjithshëm ktheu në shkallë te parë çështjen e logos dhe vulës.

"Do të mbrojmë logon, do e mbrojmë shtëpinë tonë, dhëmb për dhëmb pa hezitim sepse nuk ka shqiptar sot që nuk e di se ajo logo është e jona.Kjo betejë do jetë vetëm për logon tonë por edhe për inspirimin e çdo shqiptari që të zgjojë luanin e tij dhe të përballet me diktaturën e Edi Ramës"

Kërkon nga anëtarët e këshillit të angazhohen më shumë

O sot o kurrë të zgjojmë luanin dhe të tregojmë të vërtetën e madhe se populli shqiptar është luani i këtij vendi dhe rilindësit e Edi Ramës janë hienat e këtij vendi. Në këtë fazë të re të aksionit opozitar, vetëm dy fjalë do drejtojnë veprimet tona: Mobilizim dhe mosbindje.Koha për t’u komunikuar shqiptarëve se jemi në diktaturë, mbaroi. Këtë betejë e fituam. Tani është koha e përballjes me diktaturën. 

Në diskutimin me dyer të mbyllura, edhe deputeti Flamur Noka krahu i djathtë i tij tha se rruga e vetme është mosbindja cilive.

“Berisha paraqiti situatën e vendit. Kuvendi miratoi një rezolutë. Kryefjalë është aksioni opozitar në terren dhe mosbindja civile. Deputetët e kanë nisur prej më shumë se 2 muajsh. Liderin e opozitës dhe opozitën synojnë ta likujdojnë. Rruga jonë e vetme është përballja dhe mosbindja civile”, tha deputeti Flamur Noka.

Edhe ish kryeministri në takimin me dyer të mbyllura i ka kërkuar mbështetësve të tij të mos heshtin 

Ky regjim nuk u instalua për pak ditë por vit pas viti. Diktatura e re shkeli ligjet dhe procedurën dhe ushtroi vullnetin e një njeriu, njësoj si në kohën e Hoxhës. Sot jemi para vendimit të rëndësishëm. A do vendosim të përballemi me këtë diktaturë? Nëse po ne duhet të shënojmë një kthesë. Deputetët e shënuan. Rama është diktator. Beteja kundër diktaturës kërkon sakrifica. Një vendim historik i secilit është vendimtar në qëndrimin tonë.  Shoqëritë në diktaturë janë të ndara, ka dhe nga ata që heshtin. Heshtja është gjëja më e çmuar në diktaturë. Të mos bëhemi pjesë e heshtjes. Të guxojmë duke vrarë frikën. Të bëjmë projekte si ta dëmtojmë diktaturën. Rama është armiku më i egër i yni. Jemi në diktaturë. Duhet guxim për çdo akt të mosbindjes civile”, tha Berisha

U ndal dhe tek qëndrimi i ndërkombëtarëve mbështetjen e të cilëve e ka humbur

Në 1990 unë isha në protestën e studentëve. Ato ditë ndërkombëtar ishte vetëm ambasadori Hungarisë. Ju siguroj se mbështetja ndaj nesh përcaktohet nga veprimi ynë. Ne duhet të ndihmojmë veten para se të na ndihmojnë të tjerët. KE ne raport vendosi pikë të parë dialogun me opozitën. Mbështetjen e ndërkombëtareve e kemi ne dorën tonë' tha Berisha prapa dyerve të mbyllura.

Të martën e 26 dhjetorit GJKKO do të vendosë për masën e sigurisë të ish kryeministrit i akuzuar për korrupsion pasiv në aferën e privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani i cili u pasua me ndërtimin e 19 kullave dhe fitimin e 5.4 mln eurove nga dhëndri i tij Jamarbër Malltezi. SPAK ka kërkuar ‘arrest shtëpie’