Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, është shprehur se pavarësia e sistemit të Drejtësisë nuk do të thotë që mund të përdoret për mosveprim apo për zvarritje të çështjeve.
Lamallari foli në ceremoninë hapëse të vitit të ri gjyqësor, Lamallari u shpreh se drejtësia në mënyrë që të jetë sa më efektive, duhet të japë edhe llogari, ashtu si çdo institucion tjetër i Republikës së Shqipërisë, për ruajtjen e parimit të kontrollit dhe balancës.
“Përtej solemnitetit të këtij momenti e cilësoi këtë forum tejet të rëndësishëm. Hapja e vitit të ri gjyqësor është një moment përgjegjësie. Është momenti kur drejtësia të shohë veten në pasqyrë dhe të pyesë ‘a po u shërbejmë qytetarëve në mënyrë të drejtë dhe të ndershme?’. Tema e kësaj ceremonia na fton në një reflektim të tillë që nuk i vlen askujt nëse nuk është i hapur dhe i drejtpeshuar.
Ruajtja e pavarësisë së drejtësisë është një luftë e vazhdueshme, por kjo pavarësi nuk mund të kuptohet pa llogaridhënie, pasi vetëm zbatimi me objektivitet i parimit kontroll dhe balance mund të garantojë përgjegjshmërinë, transparencën dhe efektivitetin e qëndrueshëm, të një sistemi që gjykatat nuk janë thjeshtë zbatuese të ligjit, por interpretuese të vlerave kushtetuese. Vetëm në këtë mënyrë ato ruajnë besimin e publikut. Reforma në Drejtësi ishte reforma kyçe që hapi rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Vetëm një sistem që reflekton dhe korrigjon veten mund të ruajë besimin e publikut. Pavarësia e Drejtësisë nuk mund të përdoret për mosveprim, për zvarritje apo mungesë përgjegjshmërie. Inpektoriati i Lartë i Drejtësisë është krijuar pikërisht për qëllimin për të garantuar standarde të larta profesionalimi dhe disipline në radhët e magjistratëve. Në vitet 2023-2025, numri i inspektimeve dhe hetimeve disiplinore mbeti i ulët. Konkretisht nga 1374 ankesa të regjistruara, janë marrë vetëm 23 vendime për çelje hetimi disiplinor për 25 magjistratë, ndërsa pjesa tjetër dërrmuese është arkivuar pas shqyrtimit fillestar”, tha mes të tjerash Lamallari.
Lajmi kryesor:
Ceremonia e vitit të ri gjyqësor, Sadushi: Drejtësi e pavarur dhe cilësi! Ministri Lamallari: Llogaridhënie, pavarësia jo me papërgjegjshmëri









