TIRANE- Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, ka hedhur poshtë akuzat e bëra mbrëmë nga Ilir Meta se ishte takuar me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal. Sot në një reagim për Report TV, Dumani deklaroi se nuk ka pasur asnjë takim të mëparshëm me McGonigal, dhe se emrin e tij e ka dëgjuar vetëm pas publikimit të lajmeve në mediet shqiptare.

Unë nuk e kam takuar kurrë McGonigal. Gjithçka është thënë në media, është në vazhdën e akuzave të vazhdueshme, te pabaza që bëhen për institucion që unë drejtoj. Nuk ka pasur asnjë arsye për të takuar McGonigal, as nuk e kam njohur kurrë dhe emrin ia kam dëgjuar pas publikimeve ne mediat shqiptare." tha Dumani në një reagim për Report Tv.

Por Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka vazhduar edhe sot (16 prill)  akuzat e tij në drejtim të kreut të Prokurorisë së Posaçme, për të cilin thotë se është kushëriri i të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani.

“Nuredini vërtet ka bërë vrasjet që ka pranuar vetë por ky karafil kujton se mund të bëhet vrasës i suksesshëm i pluralizmit në vend. Gjë që kërkon ta arrijë përmes McGonigalëve apo përmes kapjes së ndonjë laraske apo sufllaqexhiu nga Partia e Lirisë. Ka parë shumë Ilir Meta si ky kushëriri i Nuredinit, ti marrë të gjithë pentitot dhe amerikanët që thotë se e mbështesin dhe do e ketë Ilir Metën këtu. Ky as në nivelin e Nuredin Dumanit nuk është' deklaroi Meta në konferencë.

Foli dhe me tone të ashpra deri edhe kërcënuese në drejtim Dumanit kur i eta tha se duhet të ketë kujdes se nga do ikë nëse vazhdon me veprime mafiizoe, ndërsa shtoi se PL ka 300 mijë Vojo Kushë.

Unë njeri nuk kërcënoj. Por unë jam Ilir Meta o super budallenj, o supertarallakë, kudo ku jeni, në politikë edhe në SPAK. Ai të ketë kujdes se do të ikë se ku do të shkojë nëse vazhdon me veprime të paligjshme, mafioze. Di Pietro përfundoi në hajdut tenderash në Itali. Partia e Lirisë ka 300 mijë Vojo Kusha.

Akuzat e Metës janë vijim i atyre të bëra mbrëmjen e djeshme në emisionin "Opinion" kur akuzoi kreun e SPAK se është mbrojtës i pandëshkueshmërisë së Kryeministrit Edi Rama dhe se nisi hetimet ndaj tij pas takimit me Mc Gonigal.

“SPAK-u ka nis hetim në dhjetor 2019, sipas të dhënave të mia edhe pas takimeve të Dumanit me McGonigalin. Dhe pse ka nisur në dhjetor 2019 për një çështje të mbyllur? Sepse ishte koha që Ilir Meta nuk lejonte të pushtohej Gjykata Kushtetuese nga banda e Edi Ramës”, tha Meta.

Dosja CEZ DIA
Skandali i ka fillesat në vitin 2009, kur OSSH shiti 75% të aksioneve tek CEZ-DIA, gjatë qeverisjes së Sali Berishës, ndërsa në vitin 2013, kur socialistët morën pushtetin, u bë ndërprerja e kontratës abuzive. Prishja e kësaj marrëveshje që i shkaktoi buxhetit një dëm mbi 414 mln euro, u bë me argumentin se CEZ nuk kishte bërë asnjë prokurim për të importuar energji elektrike në vjeshtën e 2012, dhe në këto kushte e gjithë kërkesa për energji elektrike përballohej nga rezerva e kaskadës se Drinit.

Për këtë aferë në vitin 2017 u dënua vetëm Kastriot Ismailaj i cili ka kryer dënimin, për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim të parave”, ku me falsifikim të dokumenteve arriti të përvetësojë nga kompania CEZ, rreth 5 milionë euro për një shërbim të cilin s’e kishte kryer.

Prokuroria e Posaçme rihapi çështjen në vitin 2019, pas denoncimit të juristit të Operatorit të Shpërndarjes Romeo Kara, si dhe pas disa shkrimeve mediatike.

Lidhur me këtë dosje më 8 nëntor 2023, SPAK mori në pyetje Ilir Metën për mbi 2 orë.Meta është gjendur shpesh në të kaluarën, nën akuza publike për lidhjet e tij me administratorin e DIA-s, Kastriot Ismailaj, por vetë ka mohuar të ketë lidhje dhe rihapjen e hetimeve e quan si tentativë të Edi Ramës për ta eliminuar nga skakiera politike. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:26
Akuzat e Ilir Metës për Dumanin, deputeti Sula: Të ndalen sulmet ndaj SPAK

1713299354_spak.jpg

Deputeti opozitar Dashnor Sula ka reaguar ndaj sulmeve të kreut të Partisë së Lirisë Ilir Meta kundrejt kreut të SPAK Altin Dumani.

"Sulmet ndaj SPAK duhet të ndalen! Në 2016, reforma në Drejtësi mori 140 votat e deputetëve. U duartrokit nga të gjithë. Me kalimin e viteve, drejtësia e re ka arritur të fitojë besimin e qytetarëve. SPAK dhe GJKKO gëzon për momentin përqindjen më të larte të besueshmërisë nga qytetarët.Të gjithe jemi të vetëdijshëm se drejtësia e re mund të bëj më mirë. Por që drejtësia të bëj më mirë, duhet të ndalim një orë e më parë sulmet ndaj SPAK dhe drejtuesit të saj.

Fakti që sulmet ndaj SPAK janë shtuar shumë së fundmi, tregon se drejtësia e re po depërton tek ata që janë konsideruar të paprekshëm. Drejtësinë e reformuar ndaj e kërkuam në fakt: të depërtojë tek të “paprekshmit”. Por menjëherë sapo krijohet perceptimi se po kalohen hendeqet, javët e fundit kanë nisur sulme nga të gjitha anët ndaj SPAK. Kjo është e patolerushme. Kushdo që mendon se është i pafajshëm dhe s’ka abuzuar me pushtetin duhet të jetë i qetë të përballet", shkruan Sula në rrjete sociale.

Ora 19:44
Këshilli i Lartë i Prokurorisë reagon për sulmin e Metës ndaj kreut të SPAK: Dënojmë çdo veprim fyes dhe intimidues ndaj prokurorëve

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka dënuar sulmin e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta në drejtim të kreut të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani të cilin e akuzoi se ishte takuar me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal.

Përmes një reagimi për shtyp KLP i cilëson shqetësuese deklarata të tilla fyese dhe intimiduese, ndërsa bën thirrje të mos cenohet puna e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme.

"Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka ndjekur me shqetësim ditët e fundit, deklaratat e subjekteve të veçanta në mediat audio vizive dhe ato elektronike, lidhur me prokurorët e Prokurorisë së Posaçme pranë (SPAK) dhe kreut të saj. Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dënon çdo gjuhë urrejtje, shprehje, veprim fyes dhe intimidues që synon të denigrojë në mënyrë të padrejtë figurën e prokurorëve apo të ushtrojë presion ndaj tyre, duke i bërë thirrje gjithkujt të mos cenojë në asnjë mënyrë punën profesionale të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme", thuhet në reagim.

KLP thotë se Dumani mund  të bëjë ankesë, ndërsa garanton mbështetje ndaj çdo prokurori.

"Çdo subjekt i përfshirë në veprimtarinë ligjore të prokurorisë, ka të drejtë të paraqesë çdo pretendim, ankesë apo kundërshtim në Gjykatën kompetente të parashikuar nga ligji për dhënien e drejtësisë. Kjo, në një shtet demokratik, është e vetmja mënyrë për të arritur tek e vërteta. Në të njëjtën kohë Këshilli mbështet pa rezerva veprimtarinë ligjore të çdo prokurori të sistemit të prokurorisë, duke i inkurajuar ata të vijojnë të ushtrojnë me kompetencë dhe pavarësi të plotë funksionin e tyre për ngritjen dhe përfaqësimin e akuzës ndaj kujtdo, në emër të shtetit shqiptar, të pa ndikuar nga askush."

Ndonëse Dumani sqaroi gazetarët se nuk është takuar asnjëherë me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së McGonigal, Meta përsëriti akuzat ndaj drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, madje e cilësoi atë si "vrasës të pluralizimit".