Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj dhe Erald Kapri kërkuan inteprelancë me ministren Delina Ibrahimaj për ‘Durana Tech Park’. Ata pretendojnë se ‘Durana’ që nga plani për ndërtimin fizik në Xhafzotaj ka kaluar në atë të funksionimit virtual, është krijuar për të favorizuar biznesmenë e kompani me probleme ligjore ose në pronësi të personave të shpallur në kërkim. Kjo për shkak se investitorët e huaj të regjistruar në Durana Park paguajnë zero taksa për 15 vite.

Në interpelancë, ministrja u sqaroi së pari se arsyeja që diskutimi zhvillohet me të dhe jo me ministrin e Financave është sepse projekti prek zhvillimin ekonomik.

“Një projekt  që javët e fundit ka marrë baltë, llum, por e vërteta për të nuk është folur dot sepse mediat janë mbytur me llumin që rivjen, i cili s’i hyn në detaj analizën dhe merr cdo gjë mundet për të hedhur tym mbi vizionet e qeverisë. Ky është një projekt që prek zhvillimin ekonomik dhe kjo është arsyeja pse interpelancën po e bëj unë dhe jo ministri i Financave. Ka një komponent të politikës fiskale, por në masë është projekt i zhvillimit ekonomik”, tha Ibrahimaj.

Ibrahimaj tha se ajo ka qenë pjesë e ideimit të këtij projekti, i cili rrjedh nga miratimi i një ligji në vitin 2022 për të nxitur inovacionin dhe zhvillimin ekonomik.

“Unë kam pasur rastin që të jem pjesë e ideimit të këtij projekti që në krye të herës. Projekti i zhvillimit të parqeve teknologjike është miratuar me ligj në vitin 2022. Objektivi ishte që të krijonim një zonë të lirë ekonomike me qëllim tërheqjen e investimeve të huaja, zhvillimin e investimeve vendase për fushën e teknologjisë, inovacionit dhe informacionit. Ligji i hapi rrugë krijimit të parqeve për të nxitur zhvillimin ekonomik, punë të mirëpaguara sepse produktiviteti nxitet me automatizim, modernizim nëpërmjet ligjeve të tilla”, tha Ibrahimaj.

Sa i përket parimit ligjor, ministrja sqaroi: “Parimi bazë është që në parkun teknologjik smund të regjistrohen biznese që funksionojnë në territorin e Shqipërisë, duhet të regjistrohen entitete të reja”.

Modeli i ‘Durana Tech’ është hibrid pasi kombinon operimin fizik dhe virtual.

“VKM-ja e miratuar dhe kontrata që ministria e inovacionit dhe kulturës lidhi me agjencinë kishte disa faza. Faza e parë është faza virtuale. Vkm-ja parashikon një periudhë 36-mujore ku Durana funksionon si park virtual. Ajo parashikon këtë fazë të parë gjatë 2025, fazën e operimit me strukturë fizike dhe modelin miks të operimit për këdo që zgjedh ta bëjë dhe zbatojë këtë model. Modeli miks do të thotë që përdoruesit mund të operojnë fizikisht brenda dhe virtualisht jashtë parkut, një park hibrid”, shpjegoi ministrja.

Lidhur me shifrat, Ibrahimaj dha një pasqyrë me 80 rezidentë ku 57 janë rezidentë, të tjerë në proces të avancuar. 52 prej tyre kanë kapital të huaj dhe 48 kapital shqiptar.

“Janë 80 rezidentë sot ku 57 prej tyre kanë kontrata të finalizuara dhe janë rezidentë, pjesa tjetër është në proces të avancuar. 52 subjekte janë me kapital të huaj dhe 48 me kapital shqiptar. Kjo është domethënëse sepse tregon interesin ndërkombëtar dhe zhvillimin e sipërmarrjes vendase që ka qenë që në krye të herës synimi i qeverisë shqiptare”, tha Ibrahimaj.

Ibrahimaj mohoi plotësisht pretendimet e Shehajt e Kaprit duke thënë se ‘Durana’ nuk mund të jetë parajsë fiskale pasi i nënshtrohet legjislacionit shqiptar.

“Çdo përdorues që hyn në Durana përfiton nga lehtësirat fiskale dhe nuk janë aty për evazion. Lehtësirat fiskale përdoren gjerësisht nga qeveritë për nxitjen e sektorit prioritar. Teknologjia, inovacioni. Subjektet që marrin status përdorues, kur bëjnë shkelje, e humbin këtë status. Subjektet i nënshtrohen legjislacionit shqiptar. Nuk jemi në kushtet e parajsës fiskale”¸tha ajo duke përmbyllur se “shteti ka fituar, nuk ka humbur”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:22
Ministri Malaj: Je i dënuar për shpifje e vjedhje të dhënash, s’mund të flasësh ti për drejtësi! Shehaj: I dëshpëruar, fundin e ke te SPAK

Ministri i Financave Petrit Malaj iu drejtua deputetit Agron Shehaj duke i thënë se një i dënuar për shpifje dhe vjedhje të dhënash, është fundi i botës. Malaj tha se për Shehajn ka një kallëzim penal lidhur me kompanitë që sipas Malajt, janë skema të parajsës fiskale.

“Mezi po e pres interpelancën me ty. Këtu është fundi i botës të flasësh ti për drejtësinë, një person që është dënuar nga gjykata si hajdut të dhënash, si shpifës. Edhe hajdut dhe shpifës. Vesi del me shpirtin, ke dhe një kallëzim tjetër që përsëri akuzohesh si hajdut të dhënash. Ka kallëzim penal për ty dhe kompanitë që ke krijuar si skema të parajsës fiskale. ‘Të çon të fala Monxani’”, tha Malaj.

Shehaj u përgjigj se Malaj po mashtron dhe ndërsa thotë se fundin do e keni tek SPAK.

“E kuptoj që është i dëshpëruar dhe kur është i dëshpëruar vetëm shpif. Ti je shpifës nga maja e flokut deri te këmbët. Sapo gënjeve në mënyrë të paturpshme. I ke falur 100 mln gjobë. Çfarë u be me ato para. Si i ndave me bankers. Si puna juaj këtu kam dëgjuar pafund. Të gjithë kështu flisnin. Fundin e keni te SPAK. Ju ka ardhur dita. Do përfundosh si Tahiri, Veliaj e Balluku, do të përdori Rama e do të hedhi poshtë”, u përgjigj Shehaj.

Ora 12:10
Shehaj: E mbroni korrupsionin me buzëqeshje, nuk ju pyet njeri vetëm firmosi letra! Do të shkoni në SPAK për Durana Park, keni favorizuar krimin

Deputeti Agron Shehaj iu drejtua ministres Delina Brahimajt, duke i thënë se ju vetëm keni firmosur letrat lidhur me Durana Park në favor të bandave kriminale që ata të përfitojnë nga ky park që tashmë funksionon virtualisht.

“Ju mbroni korrupsionin me buzëqeshje. U tregtuat e sinqertë. Jo që nuk kuptohet, nga një anë e mburrni projektin, dhe nga an tjetër minimizoni efektet. Ju duhet të jeni koherente, ose jeni krenare, ose keni frikë mos del në publik që përfituesit kanë përfituar miliona euro. Thatë që e keni ideuar ju këtë projekt. Mos u bëni qesharake, e keni ideuar ju? Ju nuk keni ideuar asgjë, dhe ju nuk keni vendosur asgjë. Nuk ju pyet njeri, ju plotësoni vetëm letrat dhe mbani përgjegjësi. Ju nuk dini nga t’ia mbani. Ju nuk i shmangni dot përgjegjësitë. Do ju thërrasin në SPAK për Duranën. Si kaluat ju nga parku fizik në parkun virtual? Ju bashkë me drejtoreshën e  korporatës, u bëtë bashkë dhe vendoset ta bënit virtual. Ju thanë në duhet tani të përfitojmë. Shpikët parkun virtual. po ju bie në qafë kot, ju thjeshtë keni bërë letrat”, tha Shehaj.  

P.J/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 15 Shkurt, 14:59

    Rama firmos ndryshimin ligjor që ndalon GJKKO të pezullojë ministrat, jeni dakord?